PËRPELLAC I LASHTËSISË
Poezi
Dikur,
me burra të ndershëm e gra fisnike,
me djem të bukur e të hareshëm,
me gocat porsi kanarina,
me krojet e kristalta të Katrojëve,
ku shuanim etjen
kur kullosnim bagëtinë.
Doriu hingëllonte
te Ura e Kojelit,
Laroi bërlykej në Kërshaja,
Ugiçi tundte kambanën
dhe i printe tufës
drejt livadheve të Orlishtës,
si të ishte epror.
Vajzat luanin guralec,
djemtë lojën e sokolit.
Kur bënte vapë,
delet nën hijen e lisave
mrizonin,
kurse ne,
sikur në kor,
këngës ia thoshim.
Kishim një shkollë të vogël,
vetëm me dy dhoma
e një hajat,
në një bregore.
Edhe pse në klasë kishim vetëm
dërrasën e zezë
dhe shkumësin,
ndiheshim të kënaqur,
sepse kishim mollët,
ftonjtë, dardhat,
kumbullat, qershitë,
thanat e lajthitë,
si dhe aromën e këndshme
të blinjve
e mjaltin e bletëve.
Sot,
Përpellac i stuhive e shtrëngatave,
ke mbetur pa njeri;
asnjë oxhak
nuk nxjerr më tym,
vetëm zogjtë
të bëjnë roje mbi Kapi.
Kur më kap malli,
shkoj te Fusha e Gurit,
kërkoj gjurmët e hapave
të mësuesit Qazim Uka
dhe zilen e shkollës,
në duart e shtëpiakut
Shaqir Beqiri,
e imagjinoj,
teksa na thërriste
për rreshtim.
Emocionohem
dhe qaj
porsi fëmijë jetim.
Rini e ndritur, rini,
kthehu në Përpellac,
në tokën e Miftar Zejnullahut
e Skënder Zejnullahut,
Ferat Aliut, Bekim Manit
dhe dëshmorëve të tjerë,
që e mbrojtën me gjak
nga kriminelë,
çetnikë e neofashistë.
Përpellac i lashtësisë,
arterie lidhëse,
që shpie në Kurshumli e Nish
të Shqipnisë së Vjetër.
Sikur ty të bukur
s’gjej askund tjetër.

Arif Ejupi, Gjenevë, 24 qershor 2010
Shënim autorial : Përpellaci për mua nuk është vetëm një emër vendi.
Është një kujtim që merr frymë, një copëz historie familjare dhe një urë që më lidh me nënën time të ndjerë.
Në ato kroje, livadhe, shtigje, lisa e bregore jetojnë ende kujtimet e një kohe që nuk kthehet më. Aty mbetën zërat e fëmijëve, tingulli i ziles së shkollës, hingëllima e kuajve, kambanat e bagëtive, kënga e barinjve dhe aroma e blinjve.
Mbetën edhe emrat e njerëzve që e deshën, e punuan dhe e mbrojtën atë tokë. Këtë poezi e kam shkruar si një përulje para kujtesës së tyre dhe si një homazh për vendlindjen e nënës sime.
Në çdo varg ka mall, dhimbje dhe dashuri për një vend që sot është më i heshtur, por që në shpirtin tim vazhdon të jetë i gjallë. Sa herë e kujtoj Përpellacin, më duket sikur rikthehem për një çast në një botë të humbur, por assesi të harruar.


