Prania e miteve dhe emërtimeve greke në vendbanimet shqiptare

Shkrime relevante

Referendum për “shtetin bektashi”

Nga: Foti Cici ____ Është shumë shqetësuese që Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë nuk...

Prania e miteve dhe emërtimeve greke në vendbanimet shqiptare

Safet Sadiku, Zvicër Hulumtim: (2) Edhe ky trajtim kërkon të shqyrtojë praninë...

Vuçiqi ishte bashkëpunëtor me Milosheviqin e Mlladiqin, këtë e di edhe Bashkimi Europian

Gani Mehmeti Thonë se ujku e ndërron qimen por jo zanatin. E,...

Kisha e Milosheviqit dhe xhamia e Sulltan Mehmetit

Gani Mehmetaj, Prishtinë ___ Xhamia e Sulltan Mehmetit në Prishtinë, u ngrit mbi...

Tash mësohet në Gjermani e Europë se kush kishte plane apo ishin vegla që përdoreshin

Merita Leka Tash fillon ne Gjermani me u pa kush ka pasë...

Shpërndaj

Safet Sadiku, Zvicër

Hulumtim: (2)

Edhe ky trajtim kërkon të shqyrtojë praninë dhe përhapjen e miteve, figurave mitologjike dhe emërtimeve të botës greke në hapësirat e banuara nga popullsi ilire dhe më vonë shqiptare, duke bërë dallimin e domosdoshëm midis ndikimit kulturor, kontakteve qytetëruese dhe përkatësisë etnike.

Shembulli i Kimerës do të përdoret si pikënisje simbolike për të treguar se një mit mund të udhëtojë përtej vendit ku është krijuar dhe të bëhet pjesë e kujtesës së hapësirave të tjera, pa qenë kjo, në vetvete, dëshmi e identitetit të banorëve të tyre. Prania e kolonive dhe ndikimeve greke në bregdetin e territorit të sotëm të Shqipërisë është e dokumentuar, ndaj hulumtimi ka kërkesë të shqyrtojë me kujdes se ku përfundon ndikimi kulturor dhe ku fillojnë pretendimet historike që kërkojnë prova të tjera.

Në hapësirat shqiptare, gjatë shekujve, kanë bashkëjetuar gjurmë të shumë qytetërimeve, kulturave dhe traditave, ndërsa mitet dhe emërtimet e huaja kanë hyrë në kujtesën e vendbanimeve përmes kontakteve, pushtimeve, shkëmbimeve dhe ndikimeve kulturore. Por prania e një miti apo e një emri të huaj nuk përbën domosdoshmërisht dëshmi të përkatësisë së territorit apo të popullsisë që e ka trashëguar atë.

Prandaj, theksi jonë është se si këto mite dhe emërtime kanë ardhur, janë përcjellë dhe janë interpretuar ndër shekuj, por ne keni bërë pak, se këto mite, në ç’masë janë shndërruar nga elemente kulturore në mjete të kujtesës dhe, në periudha të caktuara, edhe të politikës, si zhurmë e pretendimeve.

Pikërisht këtu qëndron edhe pyetja që ky hulumtim synon të bëjë sqarime të rëndsishme. Kur një mit i lashtë, një emërtim ose një simbol kulturor vendoset mbi një territor dhe përsëritet për një kohë të gjatë, a mund të shndërrohet ai gradualisht nga kujtesë mitologjike në instrument të identitetit dhe më pas në argument politik? Përgjigjja nuk mund të jepet vetëm nga miti. Ajo kërkon shqyrtimin e mënyrës se si miti është përdorur në periudha të ndryshme historike.

1) Mitologjitë greke dhe hapësira shqiptare gjatë periudhave historike

Kur flasim për mitologjinë greke në hapësirat shqiptare, duhet të kemi kujdes të dallojmë ndikimin kulturor nga përkatësia etnike dhe politike. Bota e lashtë nuk ishte e ndarë sipas kufijve të sotëm dhe marrëdhëniet midis komuniteteve ishin të ndërlikuara: kishte tregti, luftëra, aleanca, migrime, koloni, përzierje kulturore dhe shkëmbime të vazhdueshme.

Mitet greke kanë qarkulluar në një hapësirë shumë më të gjerë sesa territori i Greqisë së sotme. Prania e një miti, e një hyjnie, e një legjende ose e një emërtimi grek në një vendbanim nuk është, në vetvete, provë se banorët e atij vendi kanë qenë grekë. Historia kërkon shumë më tepër: gjuhën, arkeologjinë, dokumentet, mbishkrimet, toponiminë, dëshmitë historike dhe vazhdimësinë e popullsisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për hapësirën ilire dhe epirote, ku kontaktet me botën helenike kanë qenë të hershme dhe të dendura. Një qytet mund të ndikojë mbi tjetrin pa e zhdukur identitetin e tij, dhe një kulturë mund të përhapë mitet e saj pa zëvendësuar domosdoshmërisht popullsinë vendore. Prandaj, problemi nuk është se mitologjia greke ekziston në historinë e këtyre trojeve. Ajo është pjesë e historisë së kontakteve të tyre. Problemi lind atëherë kur një ndikim kulturor i mëvonshëm përdoret si argument për të fshirë ose përjashtuar historinë e popullsive vendore. Kimera, në këtë kuptim, bëhet një simbol i fuqishëm: shumë pjesë mund të bashkohen në një figurë, por kjo nuk do të thotë se çdo pjesë ka të njëjtën origjinë.

2) Perandoria Romake

Me zgjerimin e Perandorisë Romake, hapësirat ballkanike hynë në një sistem të ri politik, administrativ, ushtarak dhe ekonomik. Roma nuk solli vetëm ushtrinë dhe administratën, por edhe rrugët, qytetet, institucionet, ligjin dhe një mënyrë të re të organizimit të territorit. Romanizimi ishte një proces kompleks dhe nuk ndodhi në të njëjtën mënyrë kudo. Disa popullsi u integruan më thellë në sistemin romak, disa ruajtën elemente të traditave të tyre, ndërsa të tjera u përfshinë gradualisht në një kulturë të përzier. Por këtu shfaqet një mësim i rëndësishëm historik: pushteti politik mund të ndryshojë institucionet shumë më shpejt sesa mund të ndryshojë kujtesën e një populli. Roma mund të ndërtonte rrugë dhe administrata, por nuk mund të fshinte menjëherë traditat e komuniteteve që jetonin në këto territore.

Gjuha e administratës mund të ndryshonte, ligji mund të ndryshonte dhe qyteti mund të merrte një funksion të ri, ndërsa kujtesa vendore vazhdonte të jetonte në familje, në fshatra, në rite, në emra dhe në gojëdhëna. Dhe pikërisht këtu fillon një prej temave më të rëndësishme të historisë shqiptare: vazhdimësia nuk duhet kërkuar vetëm në dokumentet e pushtetit, por edhe në gjurmët e komuniteteve që kanë mbijetuar brenda tij. Dhe pikërisht në këtë pikë qëndron një nga mangësitë e studimeve shqiptare: ende mungojnë studime të mirëfillta dhe të mbështetura në burime, që ta trajtojnë në mënyrë të ndërthurur këtë vazhdimësi. Roma dhe gjurmët e saj në hapësirat shqiptare: Gjurmët e pranisë romake janë ende të dukshme në shumë pjesë të hapësirave shqiptare, në rrugët e lashta, në qendrat urbane, në ura, fortifikime, objekte publike dhe në shtresat arkeologjike të vendbanimeve.

Rruga Egnatia është një prej shembujve më domethënës të mënyrës se si infrastruktura romake lidhi hapësira të gjera të Ballkanit me qendrat e mëdha të Perandorisë. Edhe qytete si Dyrrahu, Apolonia dhe qendra të tjera të lashta dëshmojnë për ndërthurjen e strukturave vendore me sistemin politik dhe ekonomik romak. Këto gjurmë nuk duhen parë vetëm si dëshmi të pushtimit romak, por edhe si dëshmi të një procesi të gjatë ndërveprimi, në të cilin popullsitë vendore u përballën me një sistem të ri shtetëror, ekonomik dhe kulturor, duke ruajtur në forma të ndryshme edhe elemente të trashëgimisë së tyre. Kjo përvojë historike do të dëshmojë kalimin nga hapësira e ndikimeve të ndryshme lokale e helenike drejt përfshirjes së territoreve shqiptare në sistemin romak, duke analizuar administratën, rrugët, qytetet, gjuhën, institucionet dhe proceset e romanizimit.

Qëllimi nuk do të jetë të paraqitet Roma vetëm si pushtuese, por të kuptohet se si një perandori e madhe mund të ndryshojë strukturat politike dhe kulturore të një territori, ndërsa popullsitë vendore vazhdojnë të ruajnë elemente të identitetit të tyre. Pikërisht këtu mbetet ende hapësirë e madhe për gjurmime mbi mënyrën se si gjurmët romake kanë mbetur në gjuhë, kulturë dhe toponimi dhe si janë ndërthurur me shtresat më të hershme të popullsisë vendore.

3) Bizanti, krishterimi dhe kujtesa vendore

Pas ndarjeve dhe transformimeve të botës romake, hapësirat shqiptare u përfshinë në botën bizantine. Perandoria Bizantine solli një tjetër sistem administrativ, kulturor dhe fetar. Krishterimi ndryshoi thellësisht jetën shpirtërore dhe institucionale të popullsive të Gadishullit Ilirik. Kishat dhe manastiret u bënë qendra të rëndësishme të kulturës, arsimit dhe ruajtjes së dokumenteve. Por edhe këtu duhet të shmangim një gabim të zakonshëm: ndryshimi fetar nuk është i njëjtë me ndryshimin etnik.

Një popull mund të ndryshojë fenë, të hyjë në një perandori tjetër, të përdorë një alfabet tjetër ose të administrohet nga një qendër e huaj dhe përsëri të ruajë elemente të identitetit të vet. Prandaj, kur shohim një kishë bizantine, një dokument në greqisht ose një emërtim të trashëguar nga administrata bizantine, nuk duhet të nxitojmë të nxjerrim përfundimin se popullsia që jetonte aty ishte domosdoshmërisht greke. Gjuha e administratës dhe identiteti i popullsisë nuk janë gjithmonë e njëjta gjë. Trashëgimia bizantine në hapësirat shqiptare është një pjesë e rëndësishme e historisë së tyre dhe duhet studiuar si një shtresë e veçantë e qytetërimit të kësaj treve.

Kishat, manastiret, mozaikët, mbishkrimet, dokumentet dhe qendrat urbane dëshmojnë për një periudhë të gjatë ku kultura bizantine u ndërthur me traditat vendore. Një shembull domethënës është trashëgimia e qyteteve dhe qendrave kishtare të jugut të Shqipërisë, ku objektet e kultit, arkitektura dhe mbishkrimet në greqisht dëshmojnë për ndikimin e fuqishëm të kulturës bizantine. Por prania e kësaj kulture nuk duhet të interpretohet automatikisht si dëshmi e një përkatësie të vetme etnike të popullsisë. Pikërisht për këtë arsye, objektet duhet të studiohen së bashku me burimet historike, gjuhësore, demografike dhe arkeologjike. Ky konfirmim ishte i fokusuar në periudhën bizantine dhe në ndikimin e administratës, kulturës dhe krishterimit mbi hapësirat shqiptare, duke shmangur barazimin e gjuhës së administratës apo të kulturës kishtare me përkatësinë etnike të popullsisë. Do të studiohet mënyra se si institucionet fetare, qytetet, dokumentet dhe traditat bizantine u ndërthurën me traditat vendore dhe çfarë gjurmësh kanë lënë ato në vendbanime, emërtime dhe kujtesën historike.

4) Perandoria Osmane dhe ndryshimi i strukturave shqiptare

Një nga periudhat më të gjata të historisë së Gadishullit Ilirik, ish-Ballkanit ishte ajo e Perandorisë Osmane. Për disa shekuj, pjesë të mëdha të trojeve shqiptare u administruan brenda strukturave osmane. U ndryshuan sistemet administrative, qytetet morën funksione të reja, u zhvilluan qendra tregtare dhe u përhapën forma të reja kulturore e fetare. Edhe turqishtja osmane, si dhe elemente me prejardhje arabe e perse, lanë gjurmë në gjuhë, administratë, kulturë dhe jetën urbane. Por ndikimi i një perandorie nuk duhet barazuar automatikisht me zhdukjen e identitetit të popullsive vendore. Komunitetet shqiptare ruajtën gjuhën, zakonet, lidhjet farefisnore dhe traditat e tyre lokale. Kjo na tregon përsëri se një perandori mund të sundojë territorin pa e përkufizuar domosdoshmërisht identitetin e përhershëm të popullsisë së tij.

Në shekujt e fundit të Perandorisë Osmane, ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar u bë gjithnjë e më i fuqishëm dhe çoi drejt kërkesës për arsim në gjuhën shqipe, për kulturë kombëtare dhe më pas për shtet politik. Kjo ishte një përballje jo vetëm për territorin, por edhe për të drejtën për ta emërtuar dhe për ta treguar vetveten. Gjuha, arsimi dhe emërtimi: Një nga fushat ku u shfaq më qartë përplasja ndërmjet administrimit perandorak dhe ndërgjegjësimit kombëtar ishte arsimi dhe përdorimi i gjuhës. Për shqiptarët, hapja e shkollave në gjuhën amtare dhe krijimi i një alfabeti të përbashkët nuk ishin vetëm çështje kulturore, por edhe hapa drejt krijimit të një vetëdijeje kombëtare. Kjo tregon se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi. Në periudha të caktuara historike, ajo mund të bëhet edhe mjet i ruajtjes së identitetit, ndërsa arsimi mund të shërbejë si instrument i forcimit ose dobësimit të një identiteti kolektiv. Kjo periudhë duhet të analizohet jo vetëm nga këndvështrimi i pushtimit politik, por edhe përmes administratës, sistemit të qyteteve, fesë, arsimit, tregtisë, gjuhës dhe ndryshimeve në emërtimet e vendbanimeve. Këto dëshmi historike mund të analizohen edhe sot për të kuptuar se si shqiptarët, brenda një perandorie shumëetnike, ruajtën elemente të rëndësishme të gjuhës, zakoneve dhe lidhjeve shoqërore, ndërsa njëkohësisht përvetësuan ose u ndikuan nga elemente të kulturës osmane. Një pjesë e veçantë i është kushtuar periudhës së Rilindjes Kombëtare, kur çështja e gjuhës, arsimit dhe emërtimit të vetvetes u shndërrua gradualisht në çështje politike dhe kombëtare.

5) Regjimet serbe, greke dhe jugosllave

Në shekujt XIX dhe XX, problemi mori një dimension tjetër: Formimi i shteteve kombëtare ( të quajtura ballkanike) e bëri territorin dhe popullsinë pjesë të një politike të re: politikës së kombit, kufirit dhe homogjenizimit. Në territore me popullsi të përziera, shkollat, administrata, ushtria, regjistrimi i popullsisë, gjuha zyrtare, emrat e vendeve dhe hartografia po bëheshin instrumente të rëndësishme të politikës shtetërore.

Në hapësirat shqiptare të mbetura jashtë shtetit shqiptar, sidomos në Kosovë, Maqedoninë e sotme të Veriut, Kosovën Lindore, Malin e Zi dhe në viset shqiptare të Epirit, sidimos në Çamëri, historia e shekujve të fundit është e lidhur edhe me përpjekjet për të kontrolluar jo vetëm territorin, por edhe identitetin e banorëve.

Këtu duhet bërë dallimi midis një ndryshimi normal administrativ dhe një politike të qëllimshme asimiluese. Jo çdo ndryshim emri është domosdoshmërisht një akt i tillë, por kur ndryshimi i emrave shoqërohet me ndalimin ose kufizimin e gjuhës, ndryshimin e sistemit arsimor, presionin administrativ dhe mohimin e identitetit, atëherë emri bëhet pjesë e një mekanizmi më të gjerë politik. Dhe kjo është shumë më tepër se një çështje fjalori. Është çështje e kujtesës, e identitetit dhe e mënyrës se si një shtet mund të ndikojë në perceptimin historik të një territori.

Regjimet moderne dhe politika e identitetit te shqiptarët: Në periudhën moderne, çështja e territorit dhe identitetit u lidh gjithnjë e më shumë me shtetet kombëtare dhe projektet e tyre politike përmes kompetencave shtetërore. Hulumtime të tilla kanë për qëllim të shqyrtojnë në mënyrë dokumentare politikat që prekën shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e sotme të Veriut, Kosovën Lindore, Malin e Zi dhe viset shqiptare të Epirit, veçanërisht në Çamëri, duke analizuar sidomos administratën, arsimin, përdorimin e gjuhës, regjistrimet e popullsisë dhe ndryshimet toponimike.

Këtu duhet të bëjmë një dallim të prerë midis ndryshimit administrativ normal dhe politikave të qëllimshme të asimilimit, duke i trajtuar vetëm rastet e dyta aty ku dokumentet dhe burimet historike e mbështesin argumentin. 6) Toponimia – arkivi i heshtur i pushtetit Ndoshta askund nuk shihet më qartë marrëdhënia midis pushtetit dhe kujtesës sesa te toponimia, pra te emrat e vendeve. Një mal, një lumë, një fshat ose një qytet nuk është vetëm një pikë në hartë. ‘

Emri i tij mund të mbartë histori, gjuhë, kujtesë familjare dhe marrëdhënie të vjetra shoqërore. Kur një administratë ndryshon emrin e një vendi, ajo nuk ndryshon menjëherë realitetin fizik të atij vendi. Mali mbetet mal, lumi vazhdon të rrjedhë dhe qyteti vazhdon të qëndrojë aty. Por brezat e ardhshëm mund të fillojnë ta njohin atë vend vetëm me emrin e ri. Kështu, një ndryshim administrativ mund të shndërrohet gradualisht në një ndryshim të kujtesës. Prandaj mund të themi: Emri i një vendi ende është një arkiv i heshtur i pushtetit, por njëkohësiyht është edhe një dëshmi e qëndresës së kujtesës vendore. Sepse shumë emra të vjetër kanë mbijetuar në gojën e banorëve, në familje dhe në përdorimin e përditshëm edhe atëherë kur administrata i kishte zëvendësuar në dokumente. Këtu studiuesi duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm: një toponim nuk duhet interpretuar i vetëm. Duhet krahasuar me burimet gjuhësore, historike, hartografike dhe arkeologjike. Por pikërisht kjo e bën toponiminë një fushë kaq të rëndësishme për studimin e historisë shqiptare. Sepse harta nuk është vetëm gjeografi, por edhe kujtesë e shkruar nga pushteti.

Emrat dhe toponimia si arkiv i historisë dhe i pushtetit: Ky është një nga trajtimet më të rëndësishëme të gjithë hulumtimit, sepse toponimia mund të ruajë shtresa të ndryshme gjuhësore dhe historike të një territori. Ndonëse edhe sot kemi ende të pashqyrtuar shumë prej emrave të qyteteve, fshatrave, maleve, lumenjve dhe krahinave, ndonëse ato mund të studiohen duke krahasuar format e tyre të vjetra me ato të mëvonshme dhe duke dalluar origjinën gjuhësore nga përdorimi administrativ. Në këtë kuadër, një vend të veçantë duhet të zërë edhe arkeologjia shqiptare e lashtësisë, sepse toponimia nuk mund të shkëputet nga vendbanimi fizik, shtresat arkeologjike dhe dëshmitë materiale të një territori. Emri i një vendi merr kuptim më të plotë kur krahasohet me historinë e vendbanimit, rrugët e komunikimit, objektet e kultit, mbishkrimet, monedhat, strukturat urbane dhe dëshmitë e tjera materiale.

Prandaj, ky hulumtim do të kërkojë edhe në të ardhmen një qasje të ndërthurur midis gjuhësisë historike, toponimisë, arkeologjisë dhe dokumentacionit historik. Emri i vendit mund të jetë një burim i rëndësishëm për rindërtimin e historisë së një territori, por nuk duhet interpretuar kurrë i shkëputur nga burimet e tjera. 7) Rikthimi i kujtesës shqiptare Sot, kur shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe kur kufijtë politikë nuk përputhen gjithmonë me hapësirat historike, pyetja nuk duhet të jetë: Si ta fshijmë historinë e të tjerëve? Por, pyetja duhet të jetë: Si ta rikthejmë në historinë e shkruar atë që është harruar, anashkaluar ose interpretuar vetëm nga këndvështrimi i të tjerëve?

Rikthimi i kujtesës nuk do të thotë të mohosh grekët, romakët, bizantinët, osmanët, serbët apo kulturat e tjera që kanë lënë gjurmë në Gadishullin Ilirik – ish-Ballkanin e dikurshëm. Përkundrazi, një histori serioze duhet t’i njohë të gjitha këto shtresa. Por njohja e ndikimit të tyre nuk duhet të shndërrohet në fshirjen e zërit shqiptar. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një mitologji të re për të ekzistuar. Kanë nevojë për studim, dokumentim, arkiva, arkeologji, gjuhësi, histori kritike dhe një marrëdhënie të ndershme me të kaluarën. Sepse vetëm atëherë mund të kuptojmë se çfarë është trashëguar, çfarë është huazuar, çfarë është imponuar dhe çfarë është ruajtur nga vetë popullsia.

Dhe këtu Kimera kthehet edhe një herë në fillim të rrugës sonë. Ajo është një krijesë e përbërë nga pjesë të ndryshme. Edhe historia e ish-Ballkanit është e përbërë nga shumë shtresa: ilire, helenike, romake, bizantine, osmane, shqiptare, sllave dhe të tjera. Por detyra e historianit nuk është ta shohë këtë përzierje si një trup pa identitet. Detyra e tij është të zbulojë nga erdhi secila pjesë, kur erdhi, si u përhap, kush e përdori dhe çfarë gjurmësh la. Sepse një popull nuk duhet të ketë frikë nga historia e të tjerëve.

Duhet të ketë frikë vetëm nga humbja e historisë së vet. Dhe nëse mitologjia mund të pushtojë imagjinatën, regjimi mund të pushtojë institucionet, ndërsa emri mund të pushtojë kujtesën, atëherë përgjigjja më e fuqishme është njohja. Të njohësh emrin. Të njohësh gjuhën. Të njohësh vendin. Të njohësh dokumentin. Të njohësh historinë. Sepse kujtesa e një populli nuk duhet të jetë një Kimera e ndërtuar nga të tjerët, por një histori e ndërtuar nga e vërteta, nga dëshmitë dhe nga zëri i vetë popullit shqiptar.

Çfarë përfaqëson Kimera në rastin e Himarës? Kimera është një figurë e mitologjisë së lashtë greke, e njohur nga burimet antike si një krijesë hibride. Vetë prania e një figure të tillë mitologjike në traditën kulturore të një hapësire nuk provon përkatësi etnike, sepse mitet mund të qarkullojnë shumë më larg përtej territoreve ku janë krijuar. Në rastin e Himarës, çështja bëhet veçanërisht interesante atëherë kur një simbol i mitologjisë greke vendoset pranë një territori dhe më pas përdoret në një narrativë më të gjerë që synon ta lidhë atë territor në mënyrë të privilegjuar me trashëgiminë greke.

Në këtë pikë, nuk kemi më vetëm një çështje mitologjike apo kulturore, por kemi një pyetje mbi mënyrën se si trashëgimia mund të politizohet dhe të përdoret për ndërtimin e një narrative identitare. Një shembull i kësaj dukurie duhet kërkuar pikërisht te mënyra se si emrat, simbolet dhe figurat e lashtësisë janë përdorur në përshkrimin modern të Himarës. Nëse një simbol mitologjik vendoset vazhdimisht në qendër të përfaqësimit të një territori, ai mund të krijojë te publiku përshtypjen e një vazhdimësie të drejtpërdrejtë midis mitit antik dhe identitetit modern të banorëve. Por kjo vazhdimësi nuk mund të merret si e mirëqenë. Ajo duhet të provohet përmes burimeve historike, gjuhësore, arkeologjike dhe dokumentare.

Gusht 2026, Himarë

(Nga dorëshkrimet, sirtari 205)

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Tema që trajton autori është me interes dhe padyshim meriton studim serioz. Megjithatë, pikërisht për shkak të rëndësisë dhe ndjeshmërisë së saj, kam rezerva që ky shkrim të cilësohet “hulumtim” në kuptimin akademik të fjalës.

    Në tekst thuhet me të drejtë se historia nuk mund të ndërtohet vetëm mbi mite, por kërkon gjuhësi, arkeologji, dokumente, toponimi, antropologji dhe burime historike. Mirëpo këtu lind edhe problemi kryesor: ku janë këto burime në vetë shkrimin?

    Për shembull, kur flitet për praninë e miteve dhe emërtimeve greke në hapësirat shqiptare, do të duhej të paraqiteshin raste konkrete: cili është emërtimi, në cilin burim dokumentohet për herë të parë, cila është forma e tij më e hershme, si ka evoluar gjuhësisht dhe çfarë thonë studiuesit e onomastikës për prejardhjen e tij. Vetëm atëherë mund të shqyrtohet nëse kemi huazim kulturor, vazhdimësi historike, riemërtim apo një dukuri tjetër.

    E njëjta vërejtje vlen për Himarën. Pohimi se përmes miteve, simboleve dhe emërtimeve është synuar krijimi i një lidhjeje të veçantë të Himarës me botën greke është një tezë që kërkon prova konkrete: dokumente, politika shtetërore, tekste historiografike, harta, ndryshime toponimike dhe krahasim të burimeve shqiptare, greke e ndërkombëtare. Pa këtë dokumentacion, kemi një interpretim të autorit, jo ende një përfundim të provuar nga hulumtimi.

    Edhe pohimi se emri “Ballkan” ka zëvendësuar “emrin origjinal të Gadishullit Ilirik” është një tezë që nuk mund të lihet pa referencë. Duhet treguar se cilat burime historike e quajnë kështu gadishullin, në cilën periudhë, me çfarë kuptimi gjeografik dhe nëse ky emërtim përputhet me territorin që sot quajmë Ballkan.

    Në pjesën e fundit, teksti kalon edhe më dukshëm nga analiza historike te qëndrimi politik, kur diskuton politikën greke, reagimin e politikës shqiptare dhe standardet e Bashkimit Evropian. Autori sigurisht ka të drejtë të shprehë një qëndrim të tillë, por metodologjikisht duhet bërë dallimi ndërmjet hulumtimit historik dhe komentit politiko-publicistik.

    Prandaj, problemi im nuk është domosdoshmërisht me pyetjet që ngre autori. Përkundrazi, disa prej tyre janë pyetje që ia vlen të hulumtohen. Problemi është me kalimin nga pyetja te përfundimi pa na treguar zinxhirin e provave që i lidh ato.

    Një hulumtim nuk bëhet i tillë nga rëndësia e tezës, por nga metoda me të cilën ajo provohet ose hidhet poshtë.

    Për këtë arsye, këtë shkrim do ta konsideroja më tepër ese historiko-politike ose parashtrim tezash për një hulumtim të ardhshëm, sesa hulumtim të përfunduar shkencor. Nëse autori do t’i shoqëronte këto teza me burime parësore, literaturë akademike, referenca të sakta dhe analizë krahasuese, tema mund të zhvillohej në një studim shumë më serioz dhe të debatueshëm në rrafshin shkencor.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu