Thirrje nga Mitrovica për bashkim dhe përgjegjësi kombëtare

Shkrime relevante

Kur historia shqiptare “hyn në xhami” dhe prej saj del me “pasaportë osmane!”

Lirim Gashi, Prizren ____ KUR HISTORIA SHQIPTARE HYN NË XHAMI DHE DEL PREJ...

Thirrje nga Mitrovica për bashkim dhe përgjegjësi kombëtare

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë Letër për bashkëveprimtarët e mi dhe...

Protesta që nuk po bëhet revoltë, pse PDK–AAK nuk po e “tronditin” Kurtin?

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Ka ca ditë që, para...

Tirana ka të drejtë të mbetet kryeqendra botërore e bektashizmit

Luan - Asllan Dibrani, Gjermani Veprimtar, publicist, ish-i burgosur politik dhe...

Kosova mes miqësisë ndërkombëtare dhe përgjegjësisë vendore

MSc. Adem Lushaj, Deçan Gjendja politike në Kosovë nuk mund të shpjegohet...

Shpërndaj

Letër për bashkëveprimtarët e mi dhe për opinionin kombëtar e ndërkombëtar
Po e shkruaj këtë letër nga Mitrovica, si njëri prej atyre që prej vitesh është angazhuar në kauzën kombëtare dhe që beson se, në kohë të turbullta, përgjegjësia duhet të jetë më e madhe se egoja personale.
Prandaj, një porosi miqve të mi, aktivistëve të lëvizjeve kombëtare:
Të jemi maksimalisht të kujdesshëm në çdo paraqitje publike.
Dallimet, debatet, pakënaqësitë dhe, sidomos, çështjet personale t’i zgjidhim brenda nesh. Të mos e nxjerrim para opinionit atë që mund të na përçajë. Të mos lejojmë që bajraktarizmi, ambiciet personale apo gara se kush duhet të jetë i pari ta zbehin atë për të cilën jemi bashkuar.
Nëse synimi ynë është mbrojtja dhe ruajtja e identitetit tonë kombëtar e shpirtëror, forcimi i shtetit dhe mbrojtja e sovranitetit të Republikës së Kosovës, atëherë sot kemi nevojë më shumë se kurrë për afrimin e njëri-tjetrit.
Le ta dëgjojmë edhe një herë porosinë e Himnit tonë:
“Rreth flamurit të përbashkuar…”
Jo vetëm si varg, por si parim veprimi.
Ndërsa ne mund të kemi dallime mes nesh, përballë nesh ekzistojnë edhe projekte politike e ideologjike që synojnë dobësimin e identitetit dhe kohezionit tonë shoqëror. Përballë tyre përgjigjja jonë duhet të jetë më shumë bashkim, më shumë argument, më shumë kulturë dhe më shumë shtet.
Sot nuk na duhet më shumë zhurmë mes nesh; na duhet më shumë bashkim.
MOS E PËRDORNI KOSOVËN SI SHKREPËSE!
Ekziston edhe një papërgjegjësi tjetër që duhet ndalur me kohë.
Po dëgjohen zëra se, nëse katër liderët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë dënohen, “Kosovës do t’i vihet zjarri”.
Atyre zotërinjve që flasin kështu do t’u bëja një pyetje të thjeshtë:
Para se të mendoni ta digjni Kosovën në emër të katër burrave që ndodhen në Hagë, shkoni atje dhe pyetini ata vetë: a do ta pranonin lirinë e tyre me çmimin e djegies së Republikës së Kosovës?
Unë besoj se përgjigjja do të ishte jo.
Nuk besoj se një luftëtar i UÇK-së, i cili ka rrezikuar jetën për lirinë e Kosovës, do ta dëshironte lirinë e vet mbi hirin e Kosovës.
Dhe këtu kemi edhe një kujtesë që nuk guxon të harrohet:
Familja Jashari.
Kujtojeni sakrificën e asaj familjeje legjendare. Kujtojeni çfarë çmimi pagoi ajo familje për lirinë e Kosovës.
A mendoni vërtet se ajo sakrificë u bë që një ditë dikush, në emër të UÇK-së, të kërcënojë me djegien e Kosovës?
Jo!
Po ta imagjinonim për një çast komandantin legjendar Adem Jashari të gjallë përballë këtyre zërave dhe ta dëgjonte dikë duke thënë: “Do t’ia vëmë zjarrin Kosovës”, besoj se përgjigjja e tij do të ishte e prerë, pa diplomaci. Në gjuhën e tij të drejtpërdrejtë, ndoshta do t’i quante “zagarë” — jo si gjuhë që duhet ta përdorim ne sot, por si një mënyrë hipotetike për ta shprehur përbuzjen ndaj një mendësie që është krejtësisht e kundërt me sakrificën e tij.
Sepse:
Adem Jashari nuk u sakrifikua për ta djegur Kosovën. Ai dhe familja e tij u sakrifikuan që Kosova të jetojë e lirë.
Prandaj, mos e përdorni emrin e UÇK-së, emrin e Jasharajve apo emrin e Kosovës si mbulesë për kërcënime që mund ta dëmtojnë vetë Kosovën.
Nëse vërtet doni t’i nderoni ata që ranë për liri, atëherë ruajeni Kosovën që ata nuk e kursyen as jetën për ta fituar.
At Gjergj Fishta e ka shprehur këtë dashuri për atdheun me fjalë që edhe sot kanë peshë:
«“Veç se ty të shoh un n’andërr,
Veç se ty, çuet, t’kam n’mendim;
Ndër t’vështira ti m’je qandërr,
Për ty i lehtë m’vjen çdo ndeshkim.”»
Kjo është dashuria për atdheun: të pranosh edhe ndeshkimin për të, jo ta ndëshkosh atdheun për hir të vetes.
Prandaj shqetësohem kur dëgjoj edhe për data të përfolura, për “ditën e fillimit”, për ndezje zjarresh e skenarë të tillë. Në Kosovë, ku një shkëndijë mund të shndërrohet në tragjedi, askush nuk ka të drejtë të luajë me zjarrin.
Dhe pyetja është e pashmangshme:
Nëse, larg qoftë, Kosova digjet, çfarë fitojmë?
Çfarë fiton populli?
Çfarë fiton shteti?
Çfarë fiton sovraniteti?
Dhe mbi të gjitha: çfarë fitojnë katër burrat që po gjykohen në Hagë?
Asgjë.
Do të humbnim të gjithë.
Prandaj ky është apeli im:
Ta ruajmë zjarrin e dashurisë për atdheun, por të mos ndezim zjarre në atdhe.
T’i lëmë mënjanë inatet, debatet personale dhe bajraktarizmin.
Të afrohemi rreth asaj që na bashkon.
Rreth flamurit të përbashkuar.
Sepse Kosova është më e madhe se secili prej nesh, më e madhe se çdo lëvizje, parti, individ apo lider.
Kosova është e jona të gjithëve.
Dhe ajo mbrohet duke e forcuar, duke e ruajtur dhe duke e ndërtuar — jo duke e djegur.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu