Protesta që nuk po bëhet revoltë, pse PDK–AAK nuk po e “tronditin” Kurtin?

Shkrime relevante

Thirrje nga Mitrovica për bashkim dhe përgjegjësi kombëtare

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë Letër për bashkëveprimtarët e mi dhe...

Protesta që nuk po bëhet revoltë, pse PDK–AAK nuk po e “tronditin” Kurtin?

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Ka ca ditë që, para...

Tirana ka të drejtë të mbetet kryeqendra botërore e bektashizmit

Luan - Asllan Dibrani, Gjermani Veprimtar, publicist, ish-i burgosur politik dhe...

Kosova mes miqësisë ndërkombëtare dhe përgjegjësisë vendore

MSc. Adem Lushaj, Deçan Gjendja politike në Kosovë nuk mund të shpjegohet...

Vrasja e Maxharr Pashës në Gjakovë

Jusuf Buxhovi, historian, Prishtinë ____ Më 6 shtator 1878, në Gjakovë u vra...

Shpërndaj

Ka ca ditë që, para “dyerve” të Qeverisë, dy parti opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, që i bashkon, ndër të tjera, edhe background-i i luftës, ai i bashkëqeverisjes, por edhe statusi i të qenit opozitare që nga shfaqja e LVV-së në skenën politike, po zhvillojnë protesta interesante e “atraktive” për traditën dhe kulturën e deritanishme demokratike të Kosovës. Shikuar nga “skalpeli” im sociologjik, ky veprim, përveçse duket simpatik, është një shenjë emancipimi politik, po edhe një risi specifike e sjelljes dhe kulturës sonë politike.

E them kështu, ngase, në shikim të parë, ajo lë përshtypje, po edhe mund të perceptohet si një reagim legjitim opozitar ndaj krizës së zgjatur institucionale dhe bllokimit të funksionimit të institucioneve. Mirëpo, po qe se këtë reagim dhe demonstrim të pakënaqësisë evidente bëjmë përpjekje ta interpretojmë jo nga prizmi politik, por nga lenta jonë sociologjike, do të mund të shtronim pyetje shumë më interesante sesa ato që nuk po i shtrojnë as mediet, as ekspertët”, e as shoqëria civile e ish opozitarët. E ajo pyetje ka të bëjë me çështjen:

Pra, cilat janë shanset që kjo protestë e PDK-s dhe AAK-s  të prodhojë një kauzë të re që do gjeneronte mobilizim të zgjeruar shoqëror dhe një kapital të ri politik, sepse, në rrethanat e krijuara nuk janë të mjaftueshme vetëm aksionet simbolike klasike ndaj pushtetit të Kurtit?

Në gjykimin tim, kjo protestë ka shumë pak gjasa, për të mos thënë aspak, që të shndërrohet automatikisht në një kauzë shoqërore vetëm pse zhvillohet në hapësirën publike. Ngase, për t’u bërë një kauzë e re mobilizuese, ajo duhet ta arrijë stadin që ta bindë qytetarin e stërlodhur të Kosovës se problemi aktual rreth ngërçit apo “kaosit” të kontrolluar politik (nga LVV-ja), për të cilin protestohet, nuk është vetëm problem i partive politike, por problem i vetë shoqërisë dhe i jetës së përditshme e qytetarisë kosovare.

Kështu që protesta e PDK-së dhe AAK-së, duke mbetur vetëm në suazat e skemës institucionale dhe duke u cilësuar vetëm si një situatë ku “Kuvendi nuk po konstituohet”, “institucionet nuk po funksionojnë”, “Kushtetuta po shkelet dhe vendi po mbahet peng”, nuk mund ta ndërtojë e as të afirmojë atë “çadrën” e një mobilizimi më të zgjeruar qytetar.

Një tjetër dobësi evidente që do të mund t’i adresohej kësaj mënyre të protestimit qëndron te fakti se këto argumente të protestimit janë shumë abstrakte për të prodhuar një emocion kolektiv te qytetaria e sotme kosovare. Qytetari i kohës sonë nuk mund të mobilizohet aq lehtë vetëm për një mangësi juridike, sado i madh të jetë ai, në procedurat parlamentare. Ai mund të mobilizohet vetëm atëherë kur ideatori i protestës arrin ta lidhë atë procedurë me një shqetësim konkret dhe personal, sikurse shqetësimi që ka të bëjë me vendin e punës, mirëqenien familjare, sigurinë dhe stabilitetin emocional, të ardhmen e fëmijëve, marrëdhëniet me aleatët apo zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e shtetit.

Pra, një mobilizim i efektshëm kolektiv nuk mund të prodhohet vetëm nga ekzistenca e një defekti që mund të “detektohet” në procedurat tona parlamentare, por vetëm nga një lloj eferveshence kolektive, që nënkupton një ndjenjë sublime, një empati apo një solidaritet gjithëpërfshirës, ku individët apo qytetarët ndiejnë dhe përjetojnë një energji të fortë emocionale, përmes së cilës e ndiejnë veten pjesë të një vlere apo kauze të përbashkët që krijon atë “Ne”-në e madhe mobilizuese.

Kurse protestës së këtyre dy subjekteve opozitare i mungon pikërisht ky element kyç!

Mesazhi i protestës vazhdon të tingëllojë më shumë si një mesazh opozitar, i drejtuar kundër qeverisë, sesa si një mesazh i qytetarëve që janë kundër bllokimit të shtetit. Dhe këtu dallimi është thelbësor, sepse në mesazhin e tyre kemi tendencën e mobilizimit partiak e ideologjik kundër bllokimit, pa ofruar asnjë opsion e asnjë zgjidhje praktike për një narrativë të re që do ta tejkalonte vetë problemin e bllokimit.

Thënë edhe më ndryshe, këto dy subjekte opozitare po protestojnë kundër bllokimit, duke ripërsëritur se procedurat e sistemit do të rikthehen në funksion, ama as PDK-ja e as AAK-ja, as de facto e as de jure, nuk po japin përgjigjen e duhur rreth pyetjes se çfarë lloj funksionimi duhet të ndërtohet pas ngërçit?!

Në gjykimin weberian, legjitimiteti i një subjekti apo institucioni nuk ndërtohet vetëm nga pozicioni formal që një aktor e ka në sistem, por edhe nga aftësia për ta bindur shoqërinë se autoriteti i tij është i arsyeshëm dhe i pranueshëm. Dhe për këtë shkak, PDK-ja dhe AAK-ja nuk do të mund ta rifitojnë legjitimitetin e dikurshëm vetëm duke kontestuar e protestuar para dyerve të Qeverisë, por duhet ta bindin qytetarinë se ato janë “adresa” e vërtetë dhe e vetme që përfaqëson një alternativë shumë më bindëse qeverisëse, sesa LVV-ja.

Në këtë kuptim, protesta nuk prodhon domosdoshmërisht mobilizim vetëm pse zhvillohet në hapësirën publike, para Qeverisë në dorëheqje. Ajo bëhet forcë dhe armë e fuqishme politike vetëm kur arrin ta shndërrojë një problem institucional në një shqetësim kolektiv, duke krijuar një “Ne” shoqërore përballë një “Ata”-je politike. Pikërisht këtë transformim, për momentin, PDK-ja dhe AAK-ja nuk po arrijnë ta bëjnë.

Në këtë sfond, PDK-ja dhe AAK-ja duket se po përpiqen ta sfidojnë një pushtet që është ndërtuar politikisht mbi narrativën e konfliktit ndërmjet “qytetarit” dhe “establishmentit”. Por, kur ish-opozita del në rrugë me struktura partiake, deputetë dhe drejtues politikë, ajo, në fakt, rrezikon të rikrijojë pikërisht ndarjen që e favorizon pushtetin e LVV-së.

Pra, PDK–AAK po protestojnë vetëm kundër ngërçit, por ende nuk kanë arritur në atë pikë  kritike që mund ta kthejnë absurdin e ngërçit në krizë të pushtetit të Kurtit. Dhe ky deficit i narrativës së kësaj natyre është ajo “thembra e Akilit” së kësaj proteste…

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu