“TOP SEKRETI 1” DHE STOP-I I NAIM TËRNAVËS
EFENDIU PA DEKRET, PERANDORIA PA PERANDOR DHE STOP-I PA SEMAFOR – NGA STOP TEK PËRPARËSIA!
Sot, Naim Tërnava foli për “Top Sekretin 2”.
Foli për transparencë, verifikim, zbardhje dhe nevojën që gjithçka të sqarohet deri në detaj.
Shumë mirë, z. Tërnava.
Por këtu akademia e pyetjeve na detyron të bëjmë një ndalesë të vogël – pikërisht te tabela STOP.
Sepse pyetja është e thjeshtë:
Po “Top Sekreti 1”, z. Tërnava, ku mbeti?
Mos vallë është aq “top sekret” saqë nuk mund të përmendet publikisht?
Për të nuk pati shumë transparencë.
As për gurin.
As për kishën.
As për themelet e një kishe paleokristiane.
As për meshën.
As për pagëzimet.
As për truallin e dhuruar për kishën.
As për atë që ndodhi në Zogaj.
Çuditërisht, për “Top Sekretin 2” kërkohet mikroskop, lupë, ndriçim laboratorik dhe verifikim deri në molekulë, ndërsa “Top Sekreti 1” duket se është futur në një arkiv ku edhe drita e diellit e ka të vështirë të depërtojë.
Dhe këtu lind një pyetje krejt akademike:
A kemi dy standarde transparence, apo kemi dy tabela trafiku për të njëjtin udhëkryq?
NGA “STOP” TEK “PËRPARËSIA”
Para disa ditësh pamë dorën e ngritur:
STOP!
Mesazhi dukej i qartë: disa njerëz mund të mendojnë ndryshe, të besojnë ndryshe, por rruga e tyre nuk duhet të kalojë aty ku dikush tjetër ka vendosur tabelën e vet.
Por këtu lind një keqkuptim historik.
Z. Tërnava, ju nuk jeni Skënderbeu që duhet të vendosni kush hyn e kush del nga “kalaja” juaj.
Sepse në Republikën e Kosovës nuk kemi më kala personale, pashallarë, sulltanë e oborre perandorake.
Kemi Kushtetutë, ligj, pronë private, liri besimi dhe barazi qytetarësh.
Prandaj sot, çuditërisht, STOP-i duket pak më i zbutur.
Në vend të tij shfaqet tabela e përparësisë.
Një ndryshim i vogël në trafik, por shumë domethënës në semantikën e pushtetit.
Sepse kur rruga ngushtohet, nuk mjafton të thuash:
STOP!
Duhet të përcaktosh edhe:
Kush ka përparësi?
Dhe pikërisht këtu fillon komedia serioze e “Top Sekreteve”.
ÇFARË PAMË NË ZOGAJ?
Një protestë kundër një guri që, në momentin e protestës, nuk ishte aty.
Një protestë kundër ndërtimit të një kishe.
Një protestë kundër themeleve të një kishe paleokristiane.
Një protestë kundër meshës.
Një protestë kundër pagëzimeve.
Pra, në gjuhën e thjeshtë të qytetarit:
Guri mungonte, kisha ende nuk ishte ndërtuar, por kundërshtimi ishte aty – madje me kohë!
Në kuptimin metaforik të gjithë kësaj shfaqjeje, mund të shtrohet edhe pyetja:
A ishte vallë një protestë kundër Zotit – në emër të Allahut?
Këtë le ta gjykojnë faktet dhe institucionet.
Por pastaj kemi edhe një episod tjetër të “Top Sekretit 1”.
Në protestë ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës – kryetari i degës në Vushtrri.
Dhe kjo ndodhi vetëm pak ditë pasi ju, z. Tërnava, kishit zhvilluar takim me imamë e hoxhallarë pikërisht në Bashkësinë Islame në Vushtrri.
Nuk po bëj akuzë.
Nuk po them se çfarë është thënë në atë takim.
Nuk kam qenë aty.
Por, meqë sot po kërkohet transparencë, atëherë le të jemi të gjithë transparentë deri në fund.
Pyetja është legjitime:
A ishte rastësi prania e përfaqësuesit të BIK-ut në një protestë kundër gurit, kishës, meshës dhe pagëzimeve, vetëm pak ditë pas atij takimi?
Nëse ishte rastësi – shumë mirë.
Rastësitë janë pjesë e jetës.
Por atëherë, z. Tërnava, pse të mos flasim edhe për këtë rastësi?
Sepse toleranca nuk mund të jetë si Wi-Fi-ja:
të jetë e fortë vetëm aty ku ju duhet sinjali.
As bashkëjetesa nuk mund të jetë një koncept që aktivizohet me telekomandë sipas rastit.
E as liria fetare nuk mund të funksionojë sipas parimit:
“E imja është e drejtë fetare; e jotja është çështje për t’u verifikuar.”
Nëse ky është standardi, atëherë nuk kemi më tolerancë.
Kemi hierarki të tolerancës.
Dhe kjo është diçka krejt tjetër.
EFENDIU PA DEKRET
Dhe tani, meqë po flasim për institucione, autoritet dhe transparencë, le të ndalemi edhe te një detaj që disa media duket se e kanë harruar në ndonjë sirtar të fjalorit osman:
“EFENDI”.
Disa media i drejtohen Naim Tërnavës me këtë titull.
Mirë.
Por pyetja është:
Efendi – në bazë të cilit dekret të Republikës së Kosovës?
Ku është ligji?
Ku është neni?
Ku është institucioni që e shpall këtë titull?
Sepse në Republikën e Kosovës “Efendi” nuk është titull zyrtar apo juridik shtetëror.
Nëse përdoret si shprehje tradicionale nderimi, kjo është çështje gjuhësore e kulturore.
Por të mos ndodhë që një fjalë e trashëguar nga terminologjia osmane të fillojë të sillet në publik sikur të ishte gradë kushtetuese.
Sepse këtu kemi një problem të vogël:
Republika e Kosovës nuk është Perandoria Osmane.
Nuk kemi sulltan.
Nuk kemi pasha.
Nuk kemi divan perandorak.
Dhe, me sa dimë, nuk kemi as dekret që ta ketë shpallur Naim Tërnavën “Efendi të Republikës së Kosovës”.
Prandaj, media të nderuara, një këshillë miqësore:
Mos ia rrisni çmimin një personi vetëm duke ia rritur titullin.
Sepse një titull i bukur në televizor nuk krijon kompetencë juridike.
Një mikrofon nuk krijon autoritet kushtetues.
Dhe fjala “Efendi” nuk e shndërron një drejtues fetar në sundimtar.
Madje, po ta marrim pak me humor:
Efendiu mund të ekzistojë në fjalor.
Por nuk ekziston në Kushtetutë.
Mund të ekzistojë në traditën osmane.
Mund të ekzistojë në ligjërimin fetar.
Mund të ekzistojë edhe në ndonjë studio televizive.
Por në Republikën e Kosovës:
kompetenca nuk vjen nga titulli – vjen nga ligji.
Dhe këtu “Efendiu” duhet të zbresë nga kali i Perandorisë dhe të hyjë në realitetin e Republikës.
Pa dekret. Pa pashallëk. Pa kalifat.
Vetëm ligj.
TOP SEKRETI 1 APO PERDE PËR TOP SEKRETIN 2?
Prandaj pyetja kryesore mbetet:
A mos vallë “Top Sekreti 2” po shërben si perde për “Top Sekretin 1”?
Njëra çështje hidhet në dritën e prozhektorëve.
Tjetra lihet në errësirë.
Njëra kërkon hetim publik deri në molekulë.
Tjetra sikur duhet të ruhet në frigoriferin institucional, ndoshta derisa t’i skadojë afati i kujtesës publike.
Por këtu kemi një problem:
Kujtesa publike nuk ka frigorifer.
Dhe ne shaljanët kemi një shprehje të vjetër:
“Qentë lehin aty ku hanë.”
Kur lehja bëhet 24 orë, pyetja nuk është më vetëm:
Pse lehin?
Pyetja bëhet:
Kush po i ushqen?
Çfarë po ziejnë?
Dhe kujt po i shërben tymi që del nga kazani?
Natyrisht, këto janë pyetje.
Jo aktakuzë.
Sepse në një shtet demokratik, pyetja nuk është krim.
Përgjigjja është përgjegjësi.
Unë, si ideator i projektit për ndërtimin e kishës katolike shqiptare në Shalë të Bajgorës dhe si pjesëtar i Familjes Musa, nuk kërkoj privilegj për fenë time.
Kërkoj atë që duhet t’i takojë çdo qytetari:
lirinë e besimit, respektin për pronën, respektin për historinë dhe barazinë para ligjit.
Prandaj, z. Tërnava, para se të kërkoni – me të drejtë – zbardhjen e “Top Sekretit 2”, ndoshta do të ishte mirë që opinioni publik të dëgjonte edhe për:
TOP SEKRETIN 1.
Çfarë ndodhi në Zogaj?
Pse u protestua kundër një guri që nuk ishte aty?
Pse u kundërshtua një kishë ende e pandërtuar?
Pse u kundërshtuan mesha dhe pagëzimet?
Pse ishte aty përfaqësuesi i BIK-ut në Vushtrri?
Dhe a kishte ndonjë lidhje kjo me takimin e zhvilluar pak ditë më parë me imamët dhe hoxhallarët në Vushtrri?
Le të flasin faktet.
Le të flasin dokumentet.
Le të flasin institucionet.
Sepse guri mund të hiqet.
Ceremonia mund të ndalet.
STOP-i mund të ngrihet.
Tabela e përparësisë mund të vendoset.
Por një gjë nuk mund të ndalet me tabelë trafiku:
KUJTESA E NJË POPULLI.
Dhe historia ka një ves të tmerrshëm për ata që duan ta mbajnë të kaluarën “Top Sekret”:
herët a vonë, ajo i hap vetë dosjet.
Ashtu sikurse po hapet e po zbardhet “Top Sekreti 2” – me apo pa dëshirën e dikujt.
Dhe nëse, sipas të dhënave të publikuara deri tani, edhe ai sekret do të sqarohet, atëherë po e them me një fjalë të urtë:
“HIQ NJË KASHTË, SE DALIN GJASHTË!”
Prandaj, z. Tërnava, mbajeni mend mirë:
Dardania nuk është Arabi.
Dardania nuk është Turqi.
Dardania është Dardani.
Ky popull ka përballuar pushtues e perandori.
Ka përballuar ushtri, administrata, ndalime, presione dhe përpjekje për t’ia ndryshuar gjuhën, emrin, kujtesën dhe identitetin.
Dhe nuk u dorëzua.
Sepse ne nuk jemi brez pa histori.
Ne jemi pasardhës të një tradite shqiptare që e njeh Gjergj Kastriotin – Skënderbeun – si një nga figurat themelore të historisë sonë.
Prandaj mund të vendosni STOP në rrugë.
Mund të vendosni edhe tabelën e përparësisë në udhëkryq.
Mund të hapni “Top Sekrete” të reja.
Mund të prodhoni edhe tituj të rinj për media.
Madje mund të na riktheni edhe “Efendinë” nga fjalori i Perandorisë Osmane.
Por mos harroni një gjë:
REPUBLIKA E KOSOVËS NUK ËSHTË PERANDORIA OSMANE.
Një titull mediatik nuk e ndryshon Kushtetutën.
Një tabelë trafiku nuk e ndryshon historinë.
Dhe një “STOP” nuk mund ta ndalë një popull të kujtojë se kush është.
Sepse:
STOP-i mund ta ndalë një makinë.
NUK MUND TA NDALË HISTORINË.
Dhe historia shqiptare ka treguar:
KUR SHQIPTARËT E DINË KUSH JANË, NUK KA TABELË STOP QË UA NDRYSHON DREJTIMIN.



