Nikollë Shabanaj, Halil Maxharraj, Hysen Bashota dhe deputet të tjerë, janë heronjt institiucional të Republikës së Kosovës

Shkrime relevante

Serbia nuk do të denazifishohet, përderisa të mos ndodhë pagesa e reparacioneve

Akademik Hakif Bajrami, historian nga Prishtina 1.Iluzionet se nuk duhet filluar lufta...

16 Shtatori, Dita e Drejtësisë apo dita që (s)mund ta tronditë Kosovën?

Prof.Dr. Fadil Maloku,sociolog nga Prishtina Analizë hipotetike sociologjike. Këtyre ditëve, duke pritur...

Përpellac i lashtësisë

PËRPELLAC I LASHTËSISË Poezi Dikur, me burra të ndershëm e gra fisnike, me djem të...

Prishtina duhet ta nderojë Bogdanin, jo ta glorifikojë pushtuesin; xhamia tek “Muzeu i Kosovës” të bëhet “Muzeu Pjetër Bogdani”

Basri Beka, Prishtinë ___ PROPOZIM ___ XHAMIA TEK MUZEU I KOSOVËS TË BËHET “MUZEU PJETËR...

Shpërndaj

Lekë Mrijaj, Klinë

Historia e një shteti nuk fillon vetëm ditën kur ngrihet flamuri shtetëror apo kur arrijnë njohjet ndërkombëtare. Por, ajo nis shumë më herët, pikërisht atëherë kur një popull arrin ta shndërrojë aspiratën për liri në vullnet politik, vullnetin në përfaqësim, ndërsa përfaqësimin në të drejtë dhe institucion.

Në këtë këndvështrim timin analitik e shoh 7 shtatorin e vitit 1990, Kushtetutën e Kaçanikut dhe plejadën parlamentare që mori mbi vete një prej përgjegjësive më të mëdha politike të kohës. Brenda atij brezi intelektualësh dhe veprimtarësh qëndrojnë edhe tre përfaqësues të Klinës: Nikollë Shabanaj (1931–1999), Halil Maxharraj (1926–Bashota dhe Hysen Bashota (1925–1995), së bashku me deputetët e tjerë pjesëmarrës.

Prania e tyre në këtë histori nuk mbështetet vetëm në kujtesën lokale apo në dëshmitë institucionale të Kosovës. Emrat e tyre janë dokumentuar nominalisht edhe në literaturën akademike në gjuhën angleze. Në studimin The Political Movement for the Republic of Kosovo – July 2, 1990, në tabelën “Delegates of the Constitutional Declaration of July 2nd”, në faqen 168, të tre figurojnë në listën e delegatëve: Hysen Bashota, nr. 43; Nikoll Shabani, nr. 95; dhe Halil Maxhari, nr. 96. Format Shabani dhe Maxhari janë ato që përdoren në këtë burim akademik, ndërsa në burimet biografike hasen edhe trajtat Nikollë Shabanaj dhe Halil Maxharraj. Kështu, përfaqësuesit e Klinës dokumentohen së bashku nominalisht në një botim akademik në gjuhën angleze, në lidhje të drejtpërdrejtë me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990.

Për mua, deputetët klinas, së bashku me deputetët e tjerë pjesëmarrës, përbëjnë hallkën e parë të heronjve institucionalë në themelet e Republikës së Kosovës: njerëzit që, në një kohë kur Republika ende nuk kishte fuqinë t’i mbronte, patën guximin ta mbronin idealin e saj me mandat, votë dhe Kushtetutë.

Heroizmi në historinë e një kombi nuk shkruhet vetëm në fushëbetejë. Ekziston edhe heroizmi qytetar e institucional: të votosh kur vota mund të të kushtojë lirinë; të nënshkruash kur nënshkrimi mund të sjellë përndjekje; ta mbrosh mandatin kur institucioni yt mbyllet me forcë. Deputetët e vitit 1990 u gjendën pikërisht përballë kësaj prove.

2 korriku dhe 7 shtatori 1990 janë dy gurë të së njëjtës urë historike. I pari artikuloi politikisht Republikën e Kosovës, ndërsa i dyti i dha asaj trajtën kushtetuese. Menjëherë pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, autoritetet serbe, më 5 korrik, shpërndanë Kuvendin dhe organet ekzekutive të Kosovës. Por mbyllja e dyerve të institucionit nuk e mbylli vullnetin politik të përfaqësuesve shqiptarë të asaj kohe. Pushteti mund ta mbyllte një sallë, por nuk mund ta mbyllte një ide që tashmë kishte zënë rrënjë në ndërgjegjen politike të popullit. Dhe kështu erdhi 7 shtatori 1990.

Në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën kërcënimin e represionit serb, delegatët e Kuvendit të shpërndarë u mblodhën fshehurazi në Kaçanik. Aty u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, duke i dhënë aspiratës politike për Republikë një trajtë të organizuar kushtetuese.

Edhe dokumentacioni i paraqitur vite më vonë në procedurën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë e dëshmon këtë zhvillim historik. Në parashtresën e Republikës së Polonisë përmenden akti i 7 shtatorit dhe Kushtetuta e Kaçanikut, ndërsa edhe parashtresa e Serbisë, megjithëse nga një pozicion juridik krejtësisht i kundërt, evidenton mbledhjen e delegatëve dhe miratimin e Kushtetutës. Kjo përputhje faktike ndërmjet burimeve me interpretime të kundërta i jep 7 shtatorit një peshë të veçantë dokumentare. Vlerësimet juridike mund të ndryshojnë, por fakti historik mbetet: deputetët u mblodhën dhe, në kushte të jashtëzakonshme, i dhanë aspiratës për Republikë trajtën e një akti kushtetues.

Njëkohësisht, edhe International Crisis Group, në raportin Kosovo Spring, e regjistron 7 shtatorin si ditën kur delegatët e Kuvendit të shpërndarë u mblodhën fshehurazi në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën që e afirmonte Kosovën si republikë sovrane brenda Jugosllavisë.

Për hir të saktësisë historike, kjo nuk ishte ende pavarësia e plotë shtetërore dhe juridike e 17 shkurtit 2008. Ishte, megjithatë, një etapë vendimtare në rrugën që, nga kërkesa për Republikë, do të kalonte drejt vetëvendosjes dhe, shumë vite më vonë, drejt shtetit sovran e të pavarur.

Kaçaniku, prandaj, nuk ishte një seancë parlamentare e zakonshme. Nuk kishte gardë shtetërore, protokoll diplomatik apo sigurinë e një parlamenti të lirë. Kishte fshehtësi, kërcënim dhe pasiguri. Por kishte diçka që pushteti nuk mund ta shpërndante me dekret: vullnetin për Republikën. Deputetëve ua kishin marrë sallën, por jo mandatin; ua kishin mbyllur institucionin, por jo ndërgjegjen. Përballë forcës vendosën Kushtetutën; përballë nënshtrimit politik, Republikën. Edhe çmimi i këtij veprimi ishte real.

Sipas dokumentimit të International Crisis Group, vetëm dhjetë ditë më vonë, më 17 shtator 1990, 111 delegatë dhe gjashtë anëtarë të Qeverisë së Kosovës u akuzuan lidhur me aktet e 2 korrikut dhe 7 shtatorit. Human Rights Watch/Helsinki Watch ka dokumentuar gjithashtu klimën e rëndë të represionit në Kosovën e fillimit të viteve nëntëdhjetë: arrestimet, presionin policor, largimin e shqiptarëve nga institucionet dhe vendet e punës, si dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut. Në atë atmosferë, vota merrte një kuptim tjetër. Nuk ishte vetëm procedurë parlamentare; ishte qëndrim, rrezik dhe përgjegjësi historike.

Pikërisht këtu i vendos edhe tre përfaqësuesit e Klinës: jo të shkëputur nga deputetët e tjerë dhe as mbi ta, por si pjesë të së njëjtës plejadë parlamentare që nuk pranoi që shpërndarja e Kuvendit të shndërrohej edhe në shpërndarje të aspiratës për Republikë.

Në këtë kuptim, përfaqësuesit klinas, së bashku me kolegët e tyre, mbeten hallka e parë e heronjve institucionalë të Republikës së Kosovës. Heroizmi i tyre ishte heroizëm i mandatit, i votës dhe i Kushtetutës. Ata nuk e kishin ende pas vetes shtetin sovran e të pavarur; e kishin përpara si ideal. Nuk e kishin Republikën si fuqi që mund t’i mbronte; e kishin si amanet historik që duhej mbrojtur.

Historia që pasoi dëshmoi se Kaçaniku ishte një hallkë themelore, por jo fundi i rrugës. Referendumi i vitit 1991 e çoi më tej kërkesën për vetëvendosje. Në vitet pasuese u ngrit sistemi institucional paralel. Studiuesi britanik Howard Clark, në veprën Civil Resistance in Kosovo, e ka analizuar këtë organizim si një formë të gjerë të rezistencës civile, përmes së cilës shqiptarët e Kosovës mbajtën gjallë jetën politike, arsimore dhe shoqërore jashtë strukturave të kontrolluara nga Beogradi.

Ishte, në një kuptim më të gjerë, një popull që përpiqej ta mbante ndezur kandilin e shtetësisë, ndërkohë që rreth tij frynte era e represionit.

Pastaj erdhi etapa më e rëndë dhe më e përgjakshme: lufta e viteve 1998–1999. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, luftëtarët dhe dëshmorët e saj, viktimat civile, masakrat, dëbimet masive dhe qëndresa e popullit shqiptar e çuan çështjen e Kosovës në një dimension tjetër.

Dokumentimi ndërkombëtar, përfshirë raportet e Human Rights Watch, ka paraqitur gjerësisht përmasat e dhunës, krimeve dhe dëbimeve gjatë konfliktit. Ndërhyrja e NATO-s dhe përfundimi i luftës hapën kapitullin e çlirimit, kthimit të të dëbuarve, administrimit ndërkombëtar dhe rindërtimit institucional.

Prandaj, shtetësia e Kosovës së sotme nuk është fryt i një date të vetme. Ajo është një zinxhir historik sakrifice, qëndrese dhe përgjegjësie. Në njërën hallkë qëndrojnë deputetët që artikuluan Republikën politikisht dhe kushtetueshmërisht; në tjetrën, rezistenca qytetare dhe institucionet paralele. Më pas vijnë luftëtarët dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimat civile, sakrifica e popullit, aleatët ndërkombëtarë, çlirimi dhe rindërtimi institucional.

Ky rrugëtim arrin në një prej datave më të mëdha të historisë sonë moderne: 17 shkurtin 2008. Asnjëra hallkë nuk ia merr lavdinë tjetrës, por asnjëra nuk duhet harruar.

Studiues si Noel Malcolm, Julie A. Mertus, Howard Clark dhe Tim Judah, nga këndvështrime të ndryshme, i kanë trajtuar krizën kushtetuese të fundit të viteve tetëdhjetë, aktet politike të vitit 1990, rezistencën civile dhe konfliktin e mëvonshëm si pjesë të një procesi më të gjatë të transformimit të çështjes së Kosovës. Në këtë perspektivë, Kaçaniku nuk është një episod i shkëputur nga rrjedha e historisë. Ai është një prej gurëve të rëndësishëm në rrugën nga mbrojtja e pozitës kushtetuese të Kosovës drejt artikulimit të Republikës dhe shtetësisë.

Më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës shpalli pavarësinë, duke u deklaruar shtet sovran dhe demokratik. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në Opinionin e saj Këshillëdhënës, arriti në përfundimin se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Natyrisht, nuk duhet ndërtuar artificialisht një vijë juridike e pandërprerë nga Kaçaniku deri te pavarësia e vitit 2008. Historia kushtetuese dhe ndërkombëtare është më komplekse. Por ekziston një vazhdimësi e fuqishme historike, politike dhe shtetformuese. Dhe brenda saj qëndron brezi parlamentar i vitit 1990. Përfaqësuesit e asaj kohe nuk mund ta dinin se si do të përfundonte historia. Nuk mund ta dinin se do të vinte lufta, ndërhyrja ndërkombëtare, çlirimi dhe, përfundimisht, 17 shkurti 2008. Ata njihnin vetëm përgjegjësinë e çastit të tyre. Pikërisht këtu qëndron madhështia e tyre.

Guximi historik nuk matet vetëm me atë që dimë ne sot, por edhe me atë që ata nuk mund ta dinin atëherë. Në vitin 1990 nuk kishte garanci për fundin e rrugës. Përpara qëndronin pasiguria, represioni dhe rreziku. Zgjedhja ishte ndërmjet pranimit të shuarjes politike dhe vazhdimit të përpjekjes për Republikën e Kosovës.

Prandaj, tre deputetët klinas nuk duhet t’i shohim vetëm si emra të një komune. Ata janë pjesë e një brezi shumë më të gjerë parlamentar dhe e një kujtese shtetformuese që i përket gjithë Kosovës.

Republika nuk u shkrua nga një njeri. Ajo u artikulua nga një brez, u mbrojt dhe u pagua me sakrificë, ndërsa u ndërtua nga breza të tjerë. Për këtë arsye i konsideroj deputetët pjesëmarrës të vitit 1990 hallkën e parë të heronjve institucionalë të Republikës së Kosovës. Pas tyre erdhën veprimtarët e rezistencës, të burgosurit politikë, luftëtarët e lirisë, dëshmorët, martirët dhe viktimat e pafajshme. Të gjithë, në etapa dhe forma të ndryshme, përbëjnë mozaikun e madh të shtetformimit tonë. Sepse shteti nuk ngrihet në një etapë të vetme. Ai ndërtohet brez pas brezi: njëri vendos themelet, tjetri ngre muret, ndërsa një brez tjetër e çon çatinë deri te drita e lirisë.

Më 7 shtator 1990, ata nuk e kishin Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur pas vetes. E kishin përpara. Nuk e kishin si realitet të përfunduar. E kishin si ideal. Nuk e kishin si fuqi që mund t’i mbronte. E kishin si amanet dhe përgjegjësi që duhej mbrojtur.

Prandaj, kur sot shqiptojmë emrin Republika e Kosovës, duhet t’i kujtojmë edhe ata që e artikuluan Republikën shumë përpara se pavarësia të bëhej realitet. Në mesin e atij brezi, për Klinën dhe kujtesën tonë historike, qëndrojnë Hysen Bashota (1925–1995), Nikollë Shabanaj (1931–1999) dhe Halil Maxharraj (1926–1998), së bashku me deputetët e tjerë pjesëmarrës. Një brez. Një mandat historik. Një Kushtetutë. Një ideal – Republika e Kosovës.

Kjo është arsyeja pse 7 shtatori 1990 mbetet një gurthemel i kujtesës shtetërore të Kosovës, ndërsa ata që morën mbi vete barrën e atij akti meritojnë të kujtohen si hallka e parë e heronjve institucionalë të Republikës, sepse, atëherë kur Republika e Kosovës ende nuk kishte forcën për t’i mbrojtur, ata, pra vet deputetët e patën guximin ta mbronin Republikën e Kosovës.

Më 7 shtator 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu