
Sak Muji – ish Sylë Mujaj
____
* Dëshmia ime personale, dokumentet e gjykimit dhe borxhi i shtetit ndaj së vërtetës
(Pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngjarjet e Marsit 1981 dhe ish i burgosur politik 1981–1990)
Për portalin DRINI
Pas 45 vjetësh, pyetja se kush i organizoi demonstratat e 11 dhe 26 Marsit 1981 vazhdon të shtrohet në studio televizive, në debate publike dhe në rrëfimet e ish-veprimtarëve. Për mua kjo nuk është temë televizive. Është jetë. Është arrestim. Është aktakuzë. Është burg. Është rini e humbur. Dhe, mbi të gjitha, është një pjesë e historisë sonë kombëtare që duhet të shkruhet me dëshmi, dokumente dhe emra të saktë, jo sipas interesit të momentit.
11 MARSI – FILLIMI QË NUK MUND T’I VISHEJ NJË EMRI TË VETËM
‘Studimi i historianit Atdhe Hetemi, i mbështetur në burime arkivore, intervista dhe në aktgjykimin e Gjykatës Supreme AP-KZH nr. 437/81, sjell të dhëna të rëndësishme për parapërgatitjen e 11 Marsit. Sipas këtij dokumentimi, më 10 mars 1981, në Konviktin nr. 3, dhoma 310, Gani Koci kishte mbledhur Januz Januzi, Kadri Kryeziu, Ramadan Dobra, Murat Musliu, Selim Geci dhe Bedri Dobra.
Aty, sipas dokumentit, ishte vendosur që më 11 mars të ndërmerreshin “veprime konkrete” lidhur me kushtet e studentëve dhe që tubimi të bëhej në mensën e studentëve. Kjo ka rëndësi sepse tregon se 11 Marsi nuk mund të reduktohet vetëm te tregimi për një pjatë të thyer. Pakënaqësia për ushqimin dhe kushtet e konvikteve ishte reale, por në mesin e studentëve ekzistonte edhe një fermentim më i gjerë politik e kombëtar.
Prandaj, kur dikush sot thotë: “Unë i organizova të gjitha demonstratat e vitit 1981”, historia kërkon më shumë kujdes. 11 Marsi kishte aktorët e vet. 26 Marsi kishte organizimin e vet. 1 dhe 2 Prilli u kthyen në një shpërthim shumë më të gjerë popullor. Pranvera 1981 ishte proces, jo pronë e një individi.
PJATA QË U BË SIMBOL – POR HISTORIA KËRKON DOKUMENT
Në kujtesën tonë të atyre ditëve, thyerja e pjatës në mensë lidhej me Abdullah Tahirin. Kështu e kam ruajtur dhe dëgjuar unë këtë ngjarje mes pjesëmarrësve. Ndërkohë, në një punim akademik për demonstratat e vitit 1981 përmendet edhe Bahrije Kastrati si studentja që hodhi pjatën në shenjë revolte. Prandaj këtu nuk dua të zëvendësoj një version me një tjetër. Le të hapen procesverbalet. Le të krahasohen dëshmitë. Le të flasin pjesëmarrësit e gjallë. Le ta thotë dokumenti fjalën e vet. Pikërisht kështu ndërtohet historia serioze.
11 MARSI – PROTESTA NUK MBETI TE PJATA
Më 11 mars, pakënaqësia për ushqimin dhe kushtet e rënda të studentëve doli shumë shpejt përtej mensës. Policia ndërhyri me forcë. Në kujtesën e pjesëmarrësve kanë mbetur përplasjet, arrestimet dhe dhuna ndaj studentëve. Për mua, ajo natë shënoi një ndryshim të madh: studentët e kuptuan se përballë nuk kishin vetëm administratën e mensës, por aparatin e shtetit jugosllav. Nga ai moment, Pranvera 1981 nuk mund të ndalej më lehtë.
NGA 11 DERI MË 25 MARS – QENDRA E STUDENTËVE NUK FJETI
Nga 11 deri më 26 mars jetuam në një gjendje pothuajse të përhershme mobilizimi. Në Qendrën e Studentëve njihej mirë kush e mbështeste protestën dhe kush ishte kundër saj. Informacionet kalonin nga konvikti në konvikt. Takoheshim, diskutonim, ruanim njëri-tjetrin dhe përpiqeshim të kuptonim lëvizjet e policisë dhe të sigurimit. Nuk ishim një ushtri me një komandë të vetme. Ishim studentë, grupe të organizuara, veprimtarë ilegalë dhe të rinj që, edhe pa qenë pjesë e ndonjë organizate, e kuptonin se Kosova nuk mund të vazhdonte më në atë gjendje.
25 MARSI – NGA DHOMA IME 401 NË DHOMËN 402
Këtu flas si dëshmitar i drejtpërdrejtë. Dhoma ime ishte 401. Kur morëm informacion se njerëz të sigurimit kishin hyrë në Qendrën e Studentëve, nga dhoma ime 401 kaluam fshehurazi në dhomën 402. Aty u zhvillua, sipas dëshmisë sime, pjesa kryesore e organizimit për demonstratën e 26 Marsit.
Në bërthamën ku isha vetë i përfshirë ishin:
* Ali Lajçi
* Bajram Kosumi
* Hamdi Hajdini
* Riza Demaj
* Sylë Mujaj – sot Sak Muji
Sipas dëshmisë sime, Abdullah Tahiri dhe Ibrahim Nikçi kishin rol të rëndësishëm në sigurimin dhe mbrojtjen e organizimit nga jashtë. Literatura akademike, duke iu referuar aktgjykimit AP-KZH nr. 437/81, dokumenton se mbrëmjen e 25 marsit Ali Lajçi, Hamdi Hajdini, Riza Demaj, Sylë Mujaj, Ramë Demaj, Bajram Kosumi dhe studentë të tjerë u takuan në dhomat 402 dhe 403 për përgatitjen e demonstratës së 26 Marsit. Këtu dua të bëj një saktësim personal: 401 ishte dhoma ime.
Nga 401 kaluam në 402. Dhe në 402 u bë organizimi kryesor ku unë personalisht mora pjesë. Ky detaj duhet të mbetet në histori ashtu siç e kam përjetuar.
GJASHTË PARULLAT E DHOMËS 402
Në dhomën 402 nuk po bënim muhabet. Po përgatitej aksioni. Sipas dëshmisë sime, në atë mbrëmje u përcaktuan detyrat. Bajram Kosumi punoi në përpilimin e kërkesave. Riza Demaj kishte detyrën e leximit të tekstit para masës. Ali Lajçit iu besua fjala publike. Ndërsa për shkrimin e parullave punuam Hamdi Hajdini dhe unë, Sylë Mujaj. Parullat u shkruan në copa çarçafi, afërsisht në madhësinë e një të tretës së çarçafit. U përgatitën gjashtë parulla:
1. “REPUBLIKË – KUSHTETUTË, JA ME HATËR, JA ME LUFTË!”
2. “POSHTË BORGJEZIA!”
3. “TREPÇA PUNON – BEOGRADI NDËRTON!”
4. “UNITET!” 5. “KOSOVA REPUBLIKË!”
6. “KUSH S’BASHKOHET ËSHTË TRADHTAR!”
Përveç tyre, kërkesa për lirimin e shokëve nga burgu ishte pjesë e frymës së përgjithshme të revoltës dhe e thirrjeve tona.
Këtu dua ta theksoj posaçërisht:
PARULLA NR. 5 ISHTE: “KOSOVA REPUBLIKË!”
Kjo duhet të qëndrojë e shkruar qartë dhe pa u harruar. Sepse nuk ishte një fjalë rastësore. Ishte thelbi politik i asaj Pranvere. Parullat u palosën dhe u mbajtën të fshehura në brez, që të mos zbuloheshin para kohe nga policia apo shërbimet e sigurimit. Më 26 Mars ato dolën mes studentëve. Kjo tregon qartë se 26 Marsi nuk ishte vetëm reagim spontan. Kishte përgatitje. Kishte tekst. Kishte detyra. Kishte mesazh politik të formuluar paraprakisht.
26 MARSI – NGA STUDENTËT TE “KOSOVA REPUBLIKË”
Më 26 Mars nuk bëhej më fjalë vetëm për ushqimin në mensë. Kërkesat prekën papunësinë, pozitën ekonomike të Kosovës, Trepçën, çështjet identitare dhe statusin politik të Kosovës. Aty ishte bërë e qartë se protesta sociale po kthehej në lëvizje politike.
Kosova Republikë
Kjo nuk ishte më pëshpëritje. Ishte bërë kërkesë publike. Burimet dokumentojnë se konviktet u bllokuan dhe se në Qendrën e Studentëve erdhën rektori Gazmend Zajmi, profesorë dhe përfaqësues politikë. Riza Demaj lexoi kërkesat. Ali Lajçi, Hamdi Hajdini dhe të tjerë folën para studentëve. Pastaj u ngritën parullat. Dhe erdhi dhuna. Autoritetet sollën forca shtesë policore dhe studentët u rrahën brutalisht. Aty Pranvera studentore po kthehej në diçka shumë më të madhe.
NGA 26 MARSI TE 1 DHE 2 PRILLI
Dhuna e 26 Marsit nuk e shuajti revoltën. E shumëfishoi. Studentët e rrahur u kthyen në qytetet dhe fshatrat e tyre. Lajmi u përhap në Kosovë. Më 1 dhe 2 prill demonstratat morën përmasa gjithëpopullore. Për brezin tonë, ky ishte çasti kur Pranvera studentore u shndërrua në Pranverën e Madhe shqiptare. Dhe nga aty, kërkesa Kosova Republikë nuk mund të fshihej më nga historia.
ARRESTIMET DHE DËNIMET
Pas demonstratave nisi vala e arrestimeve. Në kujtesën time të arrestimeve dhe proceseve të para, fillimisht u veçuam Ali Lajçi, Bajram Kosumi, Riza Demaj dhe unë – Sylë Mujaj. Më pas u përfshi edhe Hamdi Hajdini dhe proceset u zgjeruan. Për kronologjinë e saktë të secilit grupim duhet të flasin aktakuza dhe vendimet gjyqësore. Por një fakt është i dokumentuar: Sipas aktgjykimit AP-KZH nr. 437/81, 21 studentë u dënuan me gjithsej 223 vjet burgim. Në atë proces figuron edhe emri im i atëhershëm: Sylë Mujaj. U dënova me 10 vjet burg. Sot jam Sak Muji. Por njeriu është i njëjti. Dhe dëshmia është e njëjta.
ÇMIMI QË PAGUAM
Për shumë prej nesh, 1981-shi nuk përfundoi me demonstratën. Vazhdoi në hetuesi. Në tortura. Në aktakuza. Në gjykime. Në burgje. Në izolim. Unë e pagova atë Pranverë me vitet e rinisë sime. Dhe pikërisht për këtë arsye nuk mund ta pranoj që 45 vjet më vonë historia të shkruhet sipas kujtesës selektive të dikujt, sipas interesit partiak apo sipas një debati televiziv.
KUSH I ORGANIZOI DEMONSTRATAT?
Përgjigjja ime është e qartë: Nuk pati vetëm një dorë. 11 Marsi kishte disa bërthama dhe rrjedha studentore. Pas 11 Marsit organizimi u zgjerua. Më 25–26 Mars ekzistonte tashmë një bërthamë konkrete dhe e organizuar në Qendrën e Studentëve, në të cilën isha edhe unë. Më 1 dhe 2 Prill, lëvizja doli përtej çdo grupi dhe u bë revoltë masive shqiptare. Prandaj askush nuk duhet të thotë: “Unë e bëra Pranverën 1981.” Jo. E bëmë ne studentët. E bënë të rinjtë. E bënë veprimtarët. E bëri populli që e mori kërkesën për liri dhe e çoi më tej.
PSE DUHEN HAPUR DOSJET?
Sepse 45 vjet më vonë ende kemi debate: Kush organizoi? Kush infiltronte? Kush raportonte? Kush arrestonte? Kush torturonte? Kush formulonte aktakuzat? Kush dëshmonte? Kush vuloste dënimet? Në vend që t’ia bëjmë gjyqin historisë në studio televizive, shteti duhet të hapë arkivat. Të publikohet aktakuza e plotë. Të publikohet AP-KZH nr. 437/81. Të publikohen procesverbalet e hetuesisë dhe gjykimeve. Të hapen dosjet e Sigurimit Shtetëror, policisë, prokurorive dhe gjykatave për të burgosurit politikë. Vetëm atëherë mund të flasim seriozisht për lustrim. Lustrimi nuk duhet të jetë hakmarrje. Nuk duhet të jetë shpallje fajtorësh me postime në Facebook. Duhet të jetë proces ligjor dhe institucional, me dokumente, me të drejtë përgjigjeje dhe me përgjegjësi individuale.
EDHE NJË FJALË PËR DEBATET E SOTME
Gazetarët e sotëm, përfshirë Ermal Pandurin apo cilindo moderator tjetër, kanë të drejtë t’i shtrojnë pyetjet më të vështira. Por edhe ne, dëshmitarët e gjallë, kemi të drejtë të themi: Mos na e tregoni historinë tonë pa na pyetur ne që ishim aty. Gazetaria duhet ta hapë debatin. Arkivi duhet ta provojë. Dëshmitari duhet të dëgjohet. Gjykata duhet të lexohet. Dhe historia duhet të mbetet më e madhe se çdo parti, grup apo individ.
DËSHMIA IME
Unë nuk them se Sylë Mujaj e bëri Pranverën e vitit 1981. As nuk pranoj që dikush tjetër ta marrë tërë Pranverën për vete. Unë them atë që kam parë dhe bërë: Dhoma ime ishte 401. Nga 401 kaluam në 402. Mora pjesë në organizimin e 25 Marsit. Me Hamdi Hajdinin shkrova parullat. Riza Demaj lexonte kërkesat. Parullat u fshehën në brez dhe u nxorën më 26 Mars. Studentët u organizuan. Policia na goditi. Pastaj u arrestuam, u gjykuam dhe u dënuam. Atëherë quhesha Sylë Mujaj. Sot jam Sak Muji. Emri ndryshoi. Dëshmia jo. Dhe kur kujtesa personale takohet me dokumentin, ajo nuk është më vetëm kujtim. Bëhet pjesë e historisë.
EPILOG – 45 VJET MË VONË
Pas 45 vjetësh, një pyetje vazhdon të më shqetësojë: Pse disa debate vazhdojnë t’i ngatërrojnë faktet, kur ne – pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të Pranverës së Madhe 1981 – jemi ende gjallë? Kemi kujtesën. Kemi aktakuzat. Kemi aktgjykimet. Kemi dëshmitë tona. Nëse dikush thotë se një person apo grup “i organizoi të gjitha”, le ta sjellë dokumentin. Nëse dikush thotë se një dëshmitar ishte “kundër” apo “për”, le ta tregojë rolin konkret, datën, procesverbalin dhe aktgjykimin. Nëse dikush e mohon dëshminë tonë, le të na ftojë përballë dokumenteve. Unë jam gati. Jo me thashetheme. Jo me propagandë. Jo me nostalgji. Por me dëshmi dhe fakte. Jam i gatshëm të dal në çdo studio televizive, në Kosovë apo Shqipëri, dhe të flas për 10, 11, 25 dhe 26 Marsin 1981, për dhomën 401, kalimin në 402, për gjashtë parullat, për arrestimet, aktakuzat dhe dënimet. Le të ftohen edhe dëshmitarët e tjerë.
Le të vendosen dokumentet mbi tavolinë. Dhe le të flasë e vërteta. Sa u përket emrave si Abdullah Prapashtica, Azem Vllasi, Veton Surroi apo kujtdo tjetër që sot jep interpretimin e vet për atë periudhë, unë them vetëm këtë: Çdo njeri ka të drejtë të flasë. Por askush nuk ka të drejtë ta zëvendësojë dokumentin me kujtesën e vet. Për rolin e secilit duhet të flasin arkivat, procesverbalet, vendimet e institucioneve të asaj kohe dhe dëshmitë e drejtpërdrejta. Unë nuk dua të shpall askënd fajtor pa prova. Por as nuk pranoj që ata që ishin pjesë e sistemit politik, administrativ apo ideologjik të Jugosllavisë së atëhershme, sot të na tregojnë neve – të burgosurve dhe të dënuarve – çfarë kemi përjetuar, pa u ballafaquar me dokumentet.
Prandaj kërkesa ime është e thjeshtë:
HAPNI DOSJET E PRANVERËS 1981!
Le të shihet:
* kush raportonte;
* kush arrestonte;
* kush merrte në pyetje;
* kush torturonte;
* kush formulonte aktakuzat;
* kush dëshmonte;
* kush vuloste dënimet;
* dhe kush sot e ndryshon rrëfimin. Jo për hakmarrje. Për të vërtetën. Për lustrim. Për drejtësi. Për ligj. Sepse Pranvera 1981 nuk është pronë e askujt. Ajo është pjesë e historisë kombëtare shqiptare. Ne investuam rininë tonë. Disa vitet e burgut. Disa shëndetin. Disa jetën. Dhe brezat pas nesh e çuan atë frymë deri te lufta çlirimtare dhe shteti i Kosovës.
Prandaj sot, 45 vjet më vonë, ne nuk kemi nevojë për mite të reja. Kemi nevojë për të vërtetën.
KOSOVA REPUBLIKË!
Lavdi Pranverës së Madhe 1981! Sak Muji – ish Sylë Mujaj
(Pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të Marsit 1981. I burgosur politik 1981–1990).


