Ka 15 ditë që po i ndjek protestat në Tiranë, meqenëse të paktën katër televizione po i transmetojnë LIVE nga ora 18:00 deri në mesnatë. Në studio po ftohen kryesisht analistë e opinionistë, përkrahës të protestave, por edhe udhëheqës të “popullit”. Mbrëmë më irrituan sidomos mësuesja Etleva Merko dhe profesori Andon Kume. Ata e frynë pjesëmarrjen në protestat “popullore” e “qytetare” deri në 100 mijë veta, edhe pse unë pata rastin ta ndiqja transmetimin LIVE nga Report TV, të bërë nga lartësia me dron në Bulevard, pranë Kryeministrisë, dhe më rezultoi se nuk ishin as 1800 protestues.
Akoma më shumë më irrituan taktizimet e tyre, që u ngjanin fragmenteve të filmit artistik “Ilegalët”, ku një grusht komunistësh klandestinë shqiptarë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e paraqitnin veten sikur ishin mijëra veta, duke i dhënë vetes të drejtën e vetëkuptueshme se përfaqësonin vullnetin e popullit. Këta edhe krekoseshin me arrogancë revolucionare si organizatorë të protestave – prandaj në studio vetëm ata duhej të kishin të drejtë të flisnin për protestën – edhe mohonin se ishin organizatorë, me arsyetimin se organizatorët do të prezantohen kur ta vlerësojnë se është momenti i duhur revolucionar.
Akoma më dekadent më ngjan udhëheqësi i ekspozuar, Arben Leka, i cili që në fillim, në orën 18:00, në ëdo mbrëmje, në Sheshin “Skënderbej”, me megafon jep urdhra revolucionarë, sikur pjesëmarrësit të ishin paramilitarë apo pjesë e ndonjë sekti fetar. Ai shpërdoron plisin, që e vendosnin dikur burrat në Shqipërinë e Veriut, për t’u ngjarë ballistëve, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin kolaboracionistë të pushtuesve nazifashistë. Atij i mungonin oratoria, dija dhe paraqitja, prandaj krekosja e tij si udhëheqës e bënte edhe më të shëmtuar se ç’dukej me atë lloj uniforme konfuze.
Parullat e protestuesve, që thirren në mënyrë të orkestruar pasi t’i kenë thirrur organizuesit me megafonë, janë: “Dorëheqje Rama!”, “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Revolucion, revolucion!”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!” etj.
Që do të thotë, “populli”, i përbërë nga rreth 1800 veta – në mesin e tyre edhe kryetarë partish, si kriptoenveristi Arlind Qori e këshilltari i KM Kurti, Elvis Hoxha – do që të na bindë se investimet e huaja cenojnë sovranitetin shtetëror të Shqipërisë dhe se oligarkët e kanë kapur ekonominë e vendit. Ndoshta po presin sa të ngrihet i gjithë populli brenda pak ditësh – meqenëse kanë në plan të bllokojnë edhe autostradën Tiranë-Durrës dhe të pushtojnë aeroportin – që të shpallin publikisht se duan të rikthejnë kolektivizimin dhe sovranizmin enverist.

Policia Shqiptare detyrohet ta bllokoj autostraden ngra protesuesit që duan të shkojnë në Aerportin e Rinasit?! Athua pse…?!
Karakteristikë e organizatorëve të protestave është bashkëpunimi mes kriptoenveristëve, islamistëve dhe antisemitëve, të cilët i ka vëllazëruar urrejtja kundër Izraelit “sionist” dhe SHBA-së “trampiste”.
Uroj ta sfidojmë pa pasoja të mëdha terrorizimin që po na bëjnë protestuesit dhe pseudoanalistët që po e përkrahin atë lloj sekti revolucionar.
Fatkeqësisht, këta protestues po frymëzohen e trimërohen nga spekulimet që po bëjnë mediat e afirmuara amerikane e europiane, sidomos ato që tashmë kanë kaluar në urrejtje kundër presidentit Trump, por edhe kundër kryeministrit Rama, sepse e ka shfaqur publikisht miqësinë dhe bashkëpunimin me dhëndrin dhe vajzën e presidentit Trump dhe luftimin e ajatollve iranian.
Shqipëria nuk e ka kapacitetin për ta bartur mbi supe luftën globaliste mes presidentit Trump dhe kundërshtarëve të tij.
Se færre



