
Bajram Kabashi, Prishtinë
Ka fate njerëzore që nuk i përkasin vetëm një individi. Ato bëhen pjesë e kujtesës së një populli, sepse mbartin mbi vete plagët, vuajtjet, dinjitetin dhe të vërtetat e një kohe të tërë. I tillë është fati i Nafi Çegranit – një histori e rrëqethshme, por njëkohësisht një histori e madhe e qëndresës shqiptare.
Jeta e tij është një udhëtim i gjatë përmes errësirës, ku njeriu u vu përballë mekanizmave më të pamëshirshëm të një sistemi që kishte ngritur frikën në rang ideologjie dhe padrejtësinë në rang institucioni.
I lindur më 10 tetor 1946 në Çegran të Gostivarit, Nafi Çegrani nuk u bë thjesht një analist, publicist dhe gazetar. Ai u bë një dëshmitar i gjallë i një epoke të dhimbshme, një njeri që ruajti ndërgjegjen e tij të papërlyer edhe atëherë kur mbi të rëndonte hija e vdekjes.
Shërbimet sekrete jugosllave antishqiptare e panë si një njeri që dinte shumë. Në vend që ta respektonin dijen, u përpoqën ta shndërronin në viktimë. Si në mitin e Ganimedit, e rrëmbyen nga rrjedha normale e jetës dhe e hodhën në labirintin e kurtheve politike, duke fabrikuar akuza që nuk kishin asnjë lidhje me të vërtetën.
Në vitin 1981, përmes një procesi të montuar në Zenicë, ai u përball me padrejtësinë më të rëndë. Akuzat u ndërtuan mbi sajesa, ndërsa gjykata u shndërrua në skenë të një tragjedie të paralajmëruar. Përpara tij nuk qëndronte drejtësia, por forca brutale e asaj që filozofia juridike e quan “argumentum baculinum” – sundimi i shkopit, i dhunës dhe i frikës mbi arsyen dhe të vërtetën.
Në atë sallë të zymtë, ku shtatë shqiptarë dhe një boshnjak, Abdurahman Sheshiq, dënoheshin me burgime të gjata, mbi Nafi Çegranin ra vendimi më i rëndë: pushkatimi.
Por historia, nganjëherë, i ruan njerëzit që të bëhen dëshmitarë të së vërtetës.
Ai nuk u shua.
Mbijetoi.
…Ky libër nuk lindi nga qetësia, por nga nevoja.
Jo nga ambicia për të shkruar, por nga pamundësia për të heshtur.
Ka tema që nuk zgjedhen; ato të zgjedhin ty. Historia e shqiptarit në këto hapësira ballkanike, e mbarsur me dhunë, përndjekje, ideologji shtypëse dhe qëndresë të heshtur, nuk është thjesht objekt studimi – është përvojë e jetuar, është plagë që ende flet, është kujtesë që kërkon fjalë.
Unë e shkruaj këtë vepër si autor, por edhe si dëshmitar.
Si njeri që e ka njohur nga afër mekanizmin e frikës dhe disiplinimit ideologjik, por që refuzon ta shndërrojë përvojën personale në instrument hakmarrjeje apo sentimentalizmi.
Shkrimi si akt etik: Dënimi me vdekje u shndërrua në burgim të rëndë dhe ai kaloi afro dymbëdhjetë vite në kazamatet e errëta, aty ku heshtja kishte zë dhe ku muret ruanin klithmat e padrejtësisë.
Në ato qeli, Nafiu i ngjante Prometeut të kryqëzuar.
Jo atij të mitologjisë që i shkabët i shqyenin mëlçinë, por Prometeut shqiptar, të cilit i shqyenin jetën, ëndrrat dhe rininë. Megjithatë, ashtu si Prometeu, ai nuk hoqi dorë nga zjarri i ndërgjegjes.
Ky ishte triumfi i tij më i madh.
Sepse sistemet totalitare mund t’ia marrin njeriut lirinë fizike, por nuk mund t’ia marrin dritën e ndërgjegjes.
Dhe pikërisht kjo e dallon Nafi Çegranin.
Ai nuk doli nga burgu si një njeri i thyer. Doli si një njeri që kishte fituar një betejë më të madhe se vetë liria: kishte ruajtur dinjitetin.
Pas lirimit, ai iu rikthye penës, mendimit dhe fjalës së lirë. Diplomoi gazetarinë në Tiranë, shkroi libra që trazuan ndërgjegjen kombëtare, themeloi radion e parë lokale shqipe në Shkup dhe vazhdoi të ndërtojë ura komunikimi për shqiptarët.
Veprat e tij “Ballë për ballë me vdekjen” dhe “Ballë për ballë me UDB-në” nuk janë thjesht libra kujtimesh. Ato janë aktakuza morale kundër mekanizmave të errët të shtypjes dhe, njëkohësisht, monumente të kujtesës shqiptare.
Rrëfimi i tij nuk është histori hakmarrjeje.
Është histori dëshmie.
Sepse dëshmia është hapi i parë drejt drejtësisë.
Nëpërmjet saj, brezat mësojnë se liria nuk është dhuratë, por sakrificë; se e vërteta nuk lind nga frika, por nga guximi; dhe se kombet që harrojnë viktimat e tyre, rrezikojnë të humbasin kujtesën e vet historike.
Sot, Nafi Çegrani ecën krenar.
Jo me krenarinë e triumfit mbi njerëzit, por me krenarinë e triumfit mbi padrejtësinë.
Ai ecën si njeri me ndërgjegje të pastër, si intelektual, si publicist dhe si bir i denjë i kombit shqiptar.
Në damarët e tij vazhdon të qarkullojë e njëjta besnikëri ndaj së vërtetës që nuk u shua as në bodrumet e errëta të hetuesisë, as në qelitë e burgjeve famëkeqe.
Figura e tij na kujton një të vërtetë të madhe:
Armiqtë nuk kanë ardhur kurrë për të na bashkuar.
Por plagët më të mëdha, shpeshherë, janë hapur edhe nga ata që u fshehën pas emrit të patriotizmit.

Megjithatë, Nafi Çegrani mbeti i pathyer.
Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij.
Sepse ka njerëz që jetojnë vetëm për kohën e tyre, por ka edhe njerëz që bëhen pjesë e historisë.
Nafi Çegrani i përket kësaj të dytës.
Ai nuk është vetëm një emër.
Ai është një kujtesë.
Ai është një dëshmi.
Ai është një ndërgjegje.
Ai është një testament i gjallë i dinjitetit shqiptar.
Andaj, ky nuk është libër neutral.
Por është libër i ndershëm.
Neutraliteti përballë padrejtësisë nuk është virtyt filozofik; është dorëzim moral. Prandaj, ky tekst pozicionohet qartë: në anën e kujtesës, dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësisë historike.
Shkrimi këtu është akt etik – një përpjekje për të rikthyer kuptimin e fjalëve që janë konsumuar nga ideologjitë: patriotizëm, sakrificë, unitet, identitet.
Filozofia e kujtesës si bosht i veprës
Në qendër të kësaj vepre qëndron kujtesa kolektive, jo si arkiv i ftohtë, por si proces i gjallë reflektimi. Kujtesa nuk është thjesht rikujtim i së shkuarës; ajo është mënyra se si një shoqëri e ndërton marrëdhënien me vetveten.
Harresa, në këtë kontekst, nuk trajtohet si dobësi individuale, por si strategji politike dhe ideologjike, e përdorur për të prodhuar nënshtrim, frikë dhe konformizëm.
Autori si subjekt i përfshirë
Unë nuk flas nga lartësia e një katedre akademike.
Flas nga brendia e përvojës.
Kjo nuk e dobëson analizën; përkundrazi, e detyron atë të jetë më e përgjegjshme. Sepse çdo fjalë këtu është e kaluar përmes filtrit të jetës, jo vetëm të teorisë.
…Shqiptari nuk largohet sepse nuk e do vendin e vet; ai largohet sepse vendi i tij, në një moment të caktuar historik, nuk arrin më ta mbajë. Kjo pamundësi për të qëndruar nuk është vetëm ekonomike apo politike, por thellësisht ekzistenciale. Ajo lind atëherë kur njeriu e kupton se qëndrimi do të thotë të heqë dorë nga dinjiteti, nga e drejta për të menduar, për të folur, për të projektuar të ardhmen.


