Kuvendi i tretë i Shoqatës “Nisma e Deçanit” në Zvicër

Shkrime relevante

Kuvendi i tretë i Shoqatës “Nisma e Deçanit” në Zvicër

Në foto: Saim Tahiraj ___ Në Schöftland të Zvicrës, mbrëmjen e 26 shtatorit...

Në nderim dhe kujtim të prof. Basil Schader-it, 19 tetor 1951 – 10 maj 2026

Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë    “Një poezi e mbetur si përshëndetje: “Kapellbrücke” e...

Ibrahim Kelmendi me disa vërejtje për analizën e Xhevat Gjinit me titullin “Ku gabuam…”

Ibrahim Kelmendi, Gjermani Xhevat, disa vërejtje mbi shkrimin tënd "Ku gabuam (sipas...

Një ligjëratë imagjinare dhe mjaft kreative e Lirim Gashit me mikun e tij Xhafer Shatrin

Lirim Gashi, Prishtinë ____ Miku im i dashur Xhafer Shatri : Vlora e kishte...

Shpërndaj

Në Schöftland të Zvicrës, mbrëmjen e 26 shtatorit 2026, anëtarë, drejtues dhe miq të Shoqatës “Nisma e Deçanit” u mblodhën në Kuvendin e tretë të saj. Ishte një takim pune, por njëkohësisht edhe një mundësi për të parë më gjerë rrugën e përshkuar, përgjegjësitë e marra dhe drejtimin e një veprimtarie që, ndonëse e organizuar në Zvicër, prej kohësh i ka kaluar kufijtë e saj.
Kryetari i Shoqatës, S. Tahiraj, duke hapur punimet, përshëndeti anëtarët e Kryesisë, anëtarësinë dhe mysafirët. Një përshëndetje të veçantë ia kushtoi Koordinatorit të Lëvizjes së Deçanit nga Kosova, Vesel Lekaj, prania e të cilit i dha Kuvendit edhe dimensionin e drejtpërdrejtë të lidhjes me veprimtarinë në atdhe.
Që në fillim u krijua fryma e një kuvendi të rregullt pune. Hamdi Rrustemaj dhe Martin Krasniqi morën përgjegjësinë e numërimit të votave, ndërsa Gani Nikqi atë të mbajtjes së procesverbalit. Dokumentacioni i Kuvendit pararendës dhe rendi i punës kaluan pa vërejtje, duke i hapur rrugën pjesës kryesore: bilancit të një viti veprimtarie.
Një vit që e zgjeroi veprimtarinë
Raporti i paraqitur nga S. Tahiraj solli para Kuvendit një vit me aktivitet të vazhdueshëm. Gjatë vitit 2025 Kryesia ishte mbledhur gjashtë herë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e punës ishte përqendruar në krijimin dhe mbajtjen e lidhjeve ndërmjet mërgatës dhe veprimtarisë në Kosovë.
Mbështetja financiare për tri zyrat e Lëvizjes së Deçanit në Prishtinë, Mitrovicë dhe Gjakovë përbënte një nga angazhimet konkrete të kësaj periudhe. Krahas saj ishin zhvilluar takime me bashkatdhetarë, mërgimtarë dhe donatorë, individualisht dhe në tubime të përbashkëta, ndër to edhe takimi në Stans.
Veprimtaria nuk kishte mbetur vetëm në Zvicër. Gjatë periudhës së pushimeve, pjesëtarë të Shoqatës kishin zhvilluar takime me qytetarë edhe në Kosovë, duke prezantuar qëllimet dhe punën e saj. Në të njëjtën kohë, prania në mediat e shkruara, përmes reagimeve për çështje që lidhen me fushëveprimin e Shoqatës, kishte krijuar një hapësirë tjetër komunikimi me publikun.
Nga kjo përvojë doli edhe drejtimi për periudhën e ardhshme: zgjerimi i anëtarësisë, shtimi i aktiviteteve dhe forcimi i rrjetit të njerëzve që e mbështesin financiarisht dhe organizativisht veprimtarinë.
Edhe pasqyra financiare, e paraqitur nga arkëtari Gjegj Shtufi, tregoi në mënyrë të detajuar të hyrat, shpenzimet dhe burimet financiare. Kontrolli i mëvonshëm i arkës dhe administratës konstatoi një menaxhim të rregullt, korrekt dhe transparent, si dhe veprimtari administrative në përputhje me Statutin e Shoqatës.
Një nismë që nuk kërkon t’i përcaktojë askujt besimin
Një pjesë e rëndësishme e mbrëmjes ishte fjala e Koordinatorit të Lëvizjes së Deçanit nga Kosova, Vesel Lekaj. Duke rikthyer vështrimin në tre vjetët e veprimtarisë, ai foli për një rrugëtim jo gjithmonë të lehtë dhe ritheksoi një parim që, sipas tij, ka qenë i pranishëm që në deklarimin e parë të Lëvizjes: nisma nuk është krijuar për t’u treguar njerëzve se cilës fe duhet t’i përkasin.
Liria e individit për të zgjedhur bindjen dhe orientimin e vet fetar, sipas tij, duhet të mbetet e pacenuar. Shqetësimi drejtohet ndaj ekstremizmit dhe përdorimit politik të fesë, jo ndaj qytetarit për shkak të besimit të tij. Në këtë frymë ai shprehu respekt edhe për besimtarët që distancohen nga ekstremizmi dhe radikalizimi.
Ky dallim është i rëndësishëm edhe për vetë profilin që Shoqata kërkon të ndërtojë: ruajtja dhe afirmimi i kulturës, identitetit dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare pa e shndërruar përkatësinë fetare në kriter përkatësie kombëtare.
Në një kohë kur feja mund të përdoret edhe si instrument politik dhe kur forma të radikalizmit fetar kërkojnë hapësirë në jetën shoqërore e politike, diskutimet e Kuvendit e vendosën theksin te kultura kombëtare, liria individuale dhe kundërshtimi i ekstremizmit, pa e identifikuar besimtarin me ideologjitë politike që mund të veprojnë në emër të fesë.
Atdheu nuk është pronë e askujt
Fjala e Vesel Lekajt solli edhe një dimension tjetër: marrëdhënien ndërmjet organizatave, grupeve dhe individëve që veprojnë në fusha të ngjashme.
Ekzistenca e shoqatave apo nismave të tjera me synime të përafërta, sipas këtij këndvështrimi, nuk e dobëson Lëvizjen e Deçanit. Përkundrazi, secila mund të japë kontributin e vet, në mënyrën dhe hapësirën ku vepron.
Në themel qëndron një parim më i gjerë: atdheu është i të gjithëve dhe askush nuk mund ta monopolizojë kujdesin për të. Mund të ketë organizime, metoda dhe mendime të ndryshme, por ato nuk kanë pse të shndërrohen në rivalitet që zhvlerëson punën e tjetrit. Atdheut mund t’i shërbehet në forma të ndryshme, për sa kohë veprimi nuk e dëmton atë dhe nuk e mohon kontributin e të tjerëve.
Në këtë frymë u përshëndetën edhe grupet dhe individët e tjerë që veprojnë në këtë drejtim, ndërsa thirrja për qetësi, maturi, bashkëpunim dhe unitet mori peshë të veçantë në kontekstin e zhvillimeve të ndjeshme në atdhe dhe të proceseve që lidhen me Hagën.
Mesazhi nuk ishte ai i reagimit emocional, por i ruajtjes së gjykimit në një periudhë kur zhvillimet politike e juridike mund të prodhojnë tension dhe polarizim. Çështjet e mëdha kombëtare, në këtë këndvështrim, kërkojnë përgjegjësi po aq sa kërkojnë qëndrim.
Vazhdimësi edhe në drejtimin e Shoqatës
Kuvendi pati edhe një moment të rëndësishëm organizativ. Pas paraqitjes së raporteve të kontrollit, S. Tahiraj shprehu gatishmërinë që drejtimin e Shoqatës “Nisma e Deçanit” në Zvicër ta merrte një person tjetër dhe kërkoi nga Kuvendi propozime konkrete.
Dy kandidatura u vunë në diskutim, por pas një debati të gjatë, në këto rrethana, vazhdimësia deri në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor iu besua përsëri S. Tahirajt. Në të njëjtën kohë, Kryesia u zgjerua me Rifat Gjocajn, Adem (Samuel) Shalën dhe Milazim Ukëhaxhajn, të cilët morën mbështetjen unanime të Kuvendit. Në pjesën e hapur të diskutimeve, pati përshëndetje dhe urime nga të pranishmit,për punën dhe mbarëvajtjen e Kuvendit, duke iu bashkuar frymës së përgjithshme të një takimi që.
Nga ruajtja e kulturës te përgjegjësia qytetare
Kuvendi i Schöftlandit përfundoi pa zhurmë dhe pa ceremonialitet të tepërt. Pas diskutimeve, raporteve dhe çështjeve organizative, pjesëmarrësit u ftuan në një aperitiv të përbashkët. Por ajo që mbeti nga mbrëmja ishte më shumë sesa bilanci i një viti.
“Nisma e Deçanit” po përpiqet ta ndërtojë veprimtarinë e saj në një hapësirë të ndjeshme, ku ndërthuren mërgata, atdheu, identiteti kombëtar, kultura, feja dhe sfidat që sjell instrumentalizimi politik i saj. Për një shoqatë që vepron nga Zvicra, por që rrjetin dhe interesimin e shtrin edhe në vende të tjera evropiane dhe në hapësirën shqiptare, kjo kërkon jo vetëm aktivitet, por edhe maturi në mënyrën se si artikulohet qëllimi.
Kuvendi i tretë dha pikërisht këtë përshtypje: një organizim që kërkon të zgjerohet pa pretenduar monopolin mbi një kauzë, të ruajë identitetin pa ndërhyrë në ndërgjegjen personale të njeriut dhe të kundërshtojë radikalizmin islam dhe në përgjithësi pa e shndërruar besimin fetar në objekt përplasjeje.
Në fund mbetet një ide e thjeshtë: atdheu nuk ka nevojë që të gjithë ta duan në të njëjtën mënyrë. Ka nevojë që secili, në mënyrën e vet, të kujdeset për të pa e dëmtuar dhe pa e zhvlerësuar punën e tjetrit.
Në një kohë ndarjesh të lehta dhe gjykimesh të shpejta, ndoshta pikërisht kjo kulturë e përgjegjësisë së përbashkët është puna më e vështirë.
Zyra për medie e „Nisma e Deçani“

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu