
Albert Leka, Prishtinë
____
Ajo që po ndodh në Kosovë nuk duhet të na kalojë pa reagim. Kur politika fetare fillon të ndikojë në sport, në institucione dhe në sjelljen publike, atëherë kemi arsye serioze për shqetësim kombëtar.
Sportistët përfaqësojnë Republikën e Kosovës, jo agjenda fetare, jo interesa të huaja dhe as urdhra të qarqeve ideologjike.
Është e papranueshme që stadiumet tona të shndërrohen në tribuna të propagandës politike e fetare, duke dëmtuar imazhin ndërkombëtar të shtetit për të cilin kemi sakrifikuar aq shumë.
Nuk është patriotizëm të fishkëllesh himne, të poshtërosh kundërshtarët dhe ta armiqësosh Kosovën me miqtë e saj. Kjo është papërgjegjësi!
Kërkohen hetime serioze për të kuptuar nëse dhe kush ka ndikuar te sportistët për këto veprime. Askush nuk duhet të jetë mbi përgjegjësinë, por as askush nuk duhet të akuzohet pa prova.
Kosova është republikë laike, shqiptare në identitetin e saj kombëtar dhe e lirë në besimin e secilit qytetar.
Ne nuk kemi nevojë për importimin e ekstremizmit, as për agjenda neo-otomane dhe as për ideologji që na largojnë nga aleatët tanë strategjikë.
Kosovën nuk e çliruam për ta dorëzuar te fanatizmi! Miqtë tanë nuk janë armiqtë tanë, dhe asnjë ideologji fetare nuk është mbi shtetin dhe interesin kombëtar!


