Pensionistët e rezistencës, viktima të një padrejtësie ligjore !

Shkrime relevante

Shqetësim serioz lidhur me procesin e pranimit në Policinë e Kosovës

Majlinda Shala, Gjermani ____ Dëshiroj të shpreh shqetësimin tim të thellë lidhur me...

Pensionistët e rezistencës, viktima të një padrejtësie ligjore !

Zeqir Bekolli, Drenas ____ A mund të quhet drejtësi një ligj që i...

Dhuna në xhami, e maskuar si rukje apo si kinse “shërim me Kuran”, vazhdon të jetë një realitet i tmerrshëm që nuk po merr...

Xhamia në Bresanë të Sharrit, Prizren Domenik Kastrioti, Gavran, Gjilan  _____ Dhuna në xhami...

Berisha dhe Rama: dy periudha pushteti, një faturë e rëndë për kombin shqiptar

Xhemil Zeqiri, Danimark ____ Ndoshta dështimi më i madh i politikës shqiptare gjatë...

Shpërndaj

A mund të quhet drejtësi një ligj që i ndëshkon ata që i rezistuan një regjimi kriminal, ndërsa i favorizon ata që arritën të vazhdonin punën dhe të paguanin kontributet nën atë regjim?
Kjo është pyetja thelbësore që duhet t’i shtrohet Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe të gjitha institucioneve që kanë miratuar dhe vazhdojnë të zbatojnë legjislacionin aktual për skemat pensionale.
Ligji bazik për skemat pensionale, i miratuar në vitin 2014, me kriterin e 15 viteve të përvojës së punës dhe pagesës së kontributeve deri më 1 janar 1999, ka prodhuar një padrejtësi të rëndë shoqërore. Përmes këtij kriteri, pensioni kontributdhënës u kushtëzohet punëtorëve me një periudhë pune që, në rrethana të caktuara historike, ishte e pamundur të realizohej pa iu nënshtruar sistemit diskriminues të regjimit të Millosheviqit.
Këtu qëndron paradoksi i madh i kësaj politike pensionale: punëtori që vazhdoi të punonte nën administrimin e regjimit të Millosheviqit dhe pagoi kontributet në atë sistem mund t’i plotësojë kushtet për pension kontributdhënës, ndërsa punëtori që u përjashtua nga puna për arsye politike e kombëtare, që kundërshtoi pushtetin represiv dhe u rreshtua në anën e rezistencës, mbetet jashtë kësaj skeme.
Pra, në vend që të vlerësohen rrethanat historike dhe sakrificat e një populli të tërë, ligji e trajton si kriter vendimtar një periudhë kontributesh të realizuara nën administrimin e një regjimi që ushtroi diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
A nuk është kjo një padrejtësi që kërkon korrigjim urgjent?
Është edhe më e pakuptueshme që kjo padrejtësi nuk u korrigjua as me plotësim-ndryshimet e Ligjit në gusht të vitit 2023, të miratuara nga Kuvendi dhe të dekretuara nga ish-presidentja Vjosa Osmani. Edhe pas këtyre ndryshimeve, kriteri i 15 viteve të përvojës dhe kontributeve mbeti në fuqi, duke lënë të pazgjidhur një problem që prek një pjesë të konsiderueshme të pensionistëve.
Kjo nuk është thjesht çështje teknike e një ligji. Është çështje e drejtësisë historike, e dinjitetit njerëzor dhe e përgjegjësisë së shtetit ndaj qytetarëve të vet.
Kosova nuk mund të ndërtojë një sistem të drejtë pensionimi duke i shpërfillur rrethanat në të cilat punëtorët shqiptarë u larguan me dhunë nga vendet e tyre të punës. Nuk mund të kërkojë nga qytetarët që të dëshmojnë një përvojë pune të cilën vetë regjimi pushtues ua kishte mohuar. Nuk mund të barazojë ata që patën mundësi të vazhdonin punën me ata që u përjashtuan pikërisht sepse refuzuan nënshtrimin.
Është veçanërisht e dhimbshme që në mesin e këtyre pensionistëve ka ish-mësimdhënës, gazetarë, intelektualë, punëtorë të arsimit, shkencëtarë e profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët, për shkak të qëndrimit të tyre kundër regjimit, humbën vendet e punës dhe burimin e të ardhurave. Disa prej tyre kontribuuan drejtpërdrejt në rezistencën politike, kulturore e kombëtare, ndërsa sot, në pleqëri, trajtohen sikur të mos kenë dhënë asgjë për këtë vend.
Dhe ironia është edhe më e madhe: njerëz me tituj akademikë, grada shkencore, përvojë profesionale e kontribut të dëshmuar shoqëror, sot detyrohen të mbijetojnë me një ndihmë prej 150 eurosh, ndërkohë që dinjiteti dhe puna e tyre mbeten të pavlerësuara nga institucionet e shtetit për të cilin sakrifikuan.
Një shtet që nuk ua njeh sakrificën atyre që i rezistuan shtypjes, rrezikon ta kthejë padrejtësinë e së kaluarës në padrejtësi institucionale të së tashmes.
Nuk kërkohet që dikujt t’i mohohet e drejta pensionale për shkak se ka punuar dhe ka paguar kontribute. Kërkohet që kjo e drejtë të mos ndërtohet mbi përjashtimin e një kategorie tjetër qytetarësh, të cilët nuk i kanë humbur vitet e punës nga vullneti i tyre, por si pasojë e diskriminimit, represionit dhe rrethanave politike të kohës.
Prandaj, Kuvendi i Kosovës duhet ta rishqyrtojë këtë çështje me përgjegjësi dhe pa kalkulime politike. Duhet të gjendet një zgjidhje ligjore që njeh dhe kompenson periudhat e largimit të dhunshëm nga puna, si dhe vitet e humbura për shkak të përndjekjes politike e kombëtare. Përvoja e punës nuk mund të matet vetëm me vitet e regjistruara në evidencat e një administrate që vetë i përjashtonte shqiptarët nga puna.
Është koha që Kosova ta ndajë drejtësinë pensionale nga trashëgimia diskriminuese e regjimit të Millosheviqit.
Nuk mund të ndërtohet drejtësia e një shteti të lirë mbi një kriter që, në rrethanat e caktuara historike, i ndëshkon ata që luftuan për lirinë e tij.
Ata që rezistuan nuk duhet të jenë humbësit e paqes. Ata nuk duhet të mbeten qytetarë të rendit të dytë në shtetin për të cilin sakrifikuan.
Liria nuk u fitua që sakrifica të harrohet në sportelet e pensioneve!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu