A pati gjenocid gjatë pushtimit Osman të trojeve Arbnore (1467-1590)?

Shkrime relevante

Malësorja Shqiptare

Fatmir Gashi, Prishtinë _____ Malësorja shqiptare nuk është një përshkrim i miteve të...

A pati gjenocid gjatë pushtimit Osman të trojeve Arbnore (1467-1590)?

Gjet Ndoj Tarazhi, Rrëshen - Tiranë _____ Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut,...

A jeni lodhur? Se unë jo vetëm që jam lodhur, por edhe jam mbështetur për muri…!

Maki Maqedonci Canoll, New York Prit me muaj e pritë me vjetë...

Parashikimet e CIA-s për Dardaninë deri në vitin 2050

Flori Bruqi, Prishtinë  CIA  deri në vitin 2050 , parashef që Dardania...

Shpërndaj

Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për shkak të ashpërsisë së operacioneve osmane dhe dhunës së ushtruar ndaj popullsisë, periudha që pasoi është konsideruar si koha e “#okupimit të #rreptë”, e cila zgjati të paktën nga viti 1467 deri në vitet 1590.
Pushtimi osman nuk u kufizua vetëm në marrjen e kështjellave dhe qyteteve. Burimet osmane, veneciane dhe europiane dëshmojnë për vrasje masive, ekzekutime, robërime, grabitje, djegie vendbanimesh dhe shpërngulje të popullsisë. Shumë banorë u detyruan të largoheshin drejt zonave malore, bregdetit, Venedikut, Puljes, Raguzës dhe territoreve të tjera të krishtera.
Gjatë fushatave të viteve 1467–1497, një nga zonat më të goditura ishte hapësira nga Elbasani deri në Berat.
Kronikani osman Tursun Beu dëshmon për ekzekutime masive të robërve meshkuj, duke përmendur shifra prej 3.000, 4.000 dhe deri në 7.000 të vrarë në një vendndodhje. Ai përshkruan edhe kapjen e grave, vajzave dhe djemve, të cilët merreshin si robër lufte.
Pas shkatërrimit të krahinave përreth, në vitet 1467–1468 u ndërtua Elbasani si fortesë strategjike dhe qendër ushtarake e administrative osmane. Vendosja e popullsisë myslimane rreth saj shënoi një fazë të re të organizimit të territoreve të pushtuara.
Një nga qëndresat më të rëndësishme ishte ajo e Shkodrës kundër ushtrive të Mehmetit II.
Marin Biçikemi e përshkruan rrethimin si luftën më të rëndë dhe më të rrezikshme që kishin përjetuar shkodranët. Pas marrjes së Lezhës, Drishtit dhe Zhabjakut, osmanët synuan ta izolonin Shkodrën dhe ta nënshtronin me çdo kusht.
Në vitin 1478, gjatë largimit të banorëve të Lezhës me anije, shumë prej tyre u sulmuan dhe u vranë. Dy galera veneciane të kapura në lumin Drin u sollën pranë mureve të Shkodrës. Rreth 200 marinarë u ekzekutuan para syve të mbrojtësve të qytetit.
Sipas Konstantin Jireçekut, gjatë rrethimit të fundit të Shkodrës, osmanët sollën 300 drishtjanë të zënë robër dhe, me urdhër të Mehmetit II, ua prenë kokat para mureve të qytetit, me qëllim frikësimin e mbrojtësve.
Edhe Kruja përjetoi një fund tragjik. Në qershor 1478, pas një rrethimi të gjatë dhe urisë së rëndë, qyteti u dorëzua. Kronikat osmane përshkruajnë ekzekutimin e mbrojtësve dhe gjakderdhjen e madhe pas pushtimit. Në traditën vendase ruhet edhe kujtimi i 90 grave dhe vajzave krutane, të cilat, sipas legjendës, u hodhën nga Shkëmbi i Vajës për të mos rënë në duart e ushtrisë osmane. Ngjarja lidhet me 16 qershorin 1478.
Edhe Shkodra, pas një rrethimi të gjatë, përjetoi uri të jashtëzakonshme. Mbrojtësit u detyruan të ushqeheshin me mish kali, qeni, mace dhe ushqime të tjera. Pas marrëveshjes së dorëzimit, një pjesë e popullsisë u largua me anije drejt Venedikut.
3-#Arbëria #Epirote: Kanina, Vlora, Himara, Korfuzi dhe Epiri
Dëshmi të rënda për dhunën osmane vijnë edhe nga Himara dhe krahinat përreth.
Kronika e Stefano Manjios, e ruajtur në përmbledhjen dokumentare të Sathas, përshkruan ekspeditat osmane të vitit 1479. Sipas saj, pas luftimeve në zonat malore, shumë banorë u kapën, ndërsa gratë dhe fëmijët u dërguan në Vlorë. Burimi përmend rreth 8.000 frymë.
Po ashtu, përmendet sulmi osman në ishullin e Bastisë, ku u kapën dhe u grabitën 1.800 njerëz, të cilët thuhej se kishin ardhur nga Zanta (Zakynthos).
Këto dëshmi tregojnë se ekspeditat osmane nuk synonin vetëm pushtimin e territoreve, por shoqëroheshin edhe me kapjen dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë.
4-#Kryengritjet e Gjon Kastriotit të Ri dhe Skënderbeut të Ri (1480–1506)
Në vitin 1480, Gjon Kastrioti i Ri, biri i Skënderbeut, u kthye në Shqipëri me ndihmën e mbretit të Napolit. Ai u prit nga banorët dhe nisi luftën kundër forcave osmane. Sipas materialit historik, ai mundi një ushtri prej rreth 3.000 ushtarësh dhe sulmoi Krujën, megjithëse nuk arriti ta pushtonte.
Kryengritja u përhap në Himarë dhe në zonat malore, ku banorët dëbuan osmanët nga më shumë se 50 fshatra. Shqiptarët, së bashku me luftëtarë arbëreshë të ardhur nga Italia, sulmuan kështjellat e Himarës dhe Sopotit. Gjatë luftimeve u zunë robër shumë ushtarë osmanë, përfshirë edhe Sulejman Bejlerbeun e Rumelisë.
Në vitin 1492, sulltan Bajaziti II ndërmori një ekspeditë të madhe kundër shqiptarëve, veçanërisht në Himarë. Krahinat u plaçkitën dhe u shkatërruan, ndërsa popullsia u tërhoq në male dhe fortesa. Kronika e Saad-ed-Dinit përmend marrjen dhe vrasjen e më shumë se 1.000 robërve, përfshirë fëmijë, gra dhe pleq, në afërsi të Tepelenës.
Në vitin 1494, kryengritjet rifilluan. Shqiptarët dëbuan osmanët nga disa zona bregdetare, veçanërisht nga Vlora, Kanina, Himara, Sopotit dhe pjesë të Epirit të Vjetër.
Dokumentet veneciane dëshmojnë se rezistenca vazhdonte edhe në vitet pasuese. Në vitin 1495 përmendet ngritja e një force prej 30.000 shqiptarësh. Më 7 gusht 1499, banorët pranë Durrësit shprehën pakënaqësinë ndaj haraçit dhe gatishmërinë për kryengritje. Në shtator të po atij viti, më shumë se 20.000 shqiptarë kërkonin një udhëheqës nga familja e Kastriotëve.
Një tjetër dëshmi e rëndësishme lidhet me Lezhën në vitin 1506. Sipas ditarit të Marin Sanudos, pasi morën vesh se qyteti do t’i dorëzohej sulltanit, banorët kërkuan të largoheshin. Një pjesë u nis drejt Ulqinit, të tjerë drejt Puljes dhe territoreve të tjera. Pas largimit të tyre, qyteti u dogj dhe u bë i pabanueshëm.
Edhe qendrat e fundit arbërore nën sundimin venedikas, si Ulqini, Tivari dhe Durrësi, përjetuan pasoja të rënda.
Në vitin 1571, pas pushtimit të Ulqinit nga forcat osmane, qyteti u plaçkit, u dogj dhe banorët u masakruan. Sipas dëshmisë së Geronimo Venierit (Veniero) dhe Serra Martinengos, ushtarët osmanë hynë përmes mureve të rrënuara, vranë banorët që u dolën përpara dhe dogjën shtëpitë. Kishat dhe objektet e kultit të krishterë u shkatërruan, ndërsa katedralja u shndërrua në vend kulti islam.
Në vitin 1672, i dërguari i Vatikanit, Shtjefën Gaspri, shkruante se Tivari ishte i banuar nga myslimanë dhe se paraardhësit e tyre kishin vrarë të krishterët që nuk pranonin të hiqnin dorë nga feja e Jezu Krishtit.
Edhe Durrësi, pas më shumë se njëqind vjetësh nën sundimin venedikas, në vitin 1501 iu dorëzua osmanëve. Sipas dëshmive historike, qyteti humbi pasurinë, popullsinë dhe shkëlqimin e dikurshëm.
Dëshmitë osmane, veneciane dhe europiane të shekujve XV–XVI paraqesin një periudhë të rëndë për trojet arbërore. Ato dokumentojnë ekzekutime masive, kapjen e mijëra robërve, grabitje, djegie vendbanimesh, shpërngulje të popullsisë dhe ndryshime të thella demografike, fetare e administrative.
Gjet Ndoj
5 nentor 2026
(Shkeputur nga libri im…., i cili se shpejti do të jetë gati për botim

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu