Valdet Deva, Mitrovicë
82 VITE MË VONË, HISTORIA PËRSËRITET!
Para ca ditësh, kisha nderin dhe kënaqësinë të bisedoj me znj. Felicita Jakoel, e cila jeton dhe vepron në Israel dhe është e bija e Josef Jakoel dhe mbesa e Rafael Jakoel.
Ishte pikërisht gjyshi i saj, Rafael Jakoel, i cili, në emër të komunitetit hebre të Shqipërisë, në vitin 1944, u takua me Xhafer Devën, Ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë Etnike. Gjatë këtij takimi, Xhafer Deva iu dha garancë komunitetit hebre se të gjithë do të mbrohen dhe nuk do të dorëzohen tek gjermanët, derisa të jetë ajo qeveri në pushtet, premtim ky që u mbajt me nder.
Për mua, kjo bisedë me znj. Jakoel ishte shumë e veçantë dhe plot emocione, sepse asnjëherë nuk kisha menduar se, mbas 82 vitesh, mbesa e Rafael Jakoel dhe nipi i Xhafer Devës do të bisedonin bashkë, pikërisht për atë ngjarje historike.
Biseduam edhe për babain e znj. Jakoel, Josef Jakoel, i cili është autor i librit “Izraelitët në Shqipëri”, të botuar në vitin 1989, që njëkohësisht është dëshmia e dokumentuar për shpëtimin e 2–3000 hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit.
Në këtë libër shkruhet edhe mbi takimin e Rafael Jakoel dhe Xhafer Devës.
Por në libër autori shkruan edhe për përndjekjen, maltretimet dhe keqtrajtimet, si dhe konfiskimet jo vetëm të pasurisë, por edhe të rrobave që kishin veshur, nga regjimi komunist në Shqipëri.
Me fjalë të tjera, vetë hebrenjtë dëshmojnë se qeveria Mitrovica, me Xhafer Devën ministër, i shpëtoi hebrenjtë, të cilët mandej u persekutuan në mënyrat më mizore nga regjimi komunist i Shqiperise.
Dhe ende sot e kësaj dite, shumë mbeturina slavo-serbe që mbajnë titullin historian, shkruajnë histori të falsifikuar dhe të rrejshme mbi këtë periudhë historike.
E vetmja qeveri kuislinge ishte qeveria e diktatorit Enver Hoxha, e cila i shërbeu Stalinit dhe Titos dhe dirigjohej nga Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha.
Gjatë bisedës me znj. Jakoel, debatuam edhe rreth Muzeut Hebre të Vlorës, temë kjo e cila ngjalli reaksione dhe debat të thellë javët e fundit në Shqipëri dhe më gjerë.
Sa e kuptova unë, muzeu kishte për qëllim të shfaqë dhe rikujtojë kontributin e jashtëzakonshëm të popullit dhe Qeverisë së atëhershme në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit në Shqipëri.
Por, sipas debatit, ka zëra të shumtë kundër, duke theksuar se ky muze ka një sipërfaqe tejet të madhe dhe propozohet që të vendoset në tjetër lokacion dhe se nuk duhet të mbajë emrin Muzeu Hebre etj.
Personalisht, mendoj se do të ishte nder për shqiptarët dhe Shqipërinë të ketë një muze mbi shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.
Në anën tjetër, mbasi disave iu pengon emri Muzeu Hebre, ta pagëzojnë Muzeu i Nderit Kombëtar Shqiptar, sepse çdo shqiptar duhet të ndihet i nderuar dhe krenar me këtë pjesë të historisë sonë kombëtare.
Më befason sa zhurmë bëhet rreth këtij muzeu, ndërsa kur Erdogani kërkonte të mbulohej busti i Skënderbeut gjatë vizitës së tij në Tiranë, nuk bëhej kaq shumë zhurmë. Mos të flasim për monumentet tjera të pushtuesit Otoman, të cilat ruhen si sytë e ballit.
Më tej, me znj. Jakoel biseduam edhe rreth asaj se Qeveria Mitrovica dhe Xhafer Deva asnjëherë nuk pranuan mirënjohje nga shteti Israel ose muzeu i Holokaustit Yad Vashem, dhe potencova se tani që dalin fakte të reja historike, duhet vazhduar punën drejt një mirënjohjeje për ata.
Znj. Jakoel e falënderova për kohën që ma kushtoi dhe u dakorduam të mbesim në kontakt.
Këtij statusi po ia bashkëngjis edhe një video me intervistë të znj. Jakoel. Uroj ta dëgjoni deri në fund.
____
Shih videon:


