Lumi Rashka në Pazarin e Ri (Novi Pazar)

Ismet Azizi, Gjilan
Veprimtaria e KKSH-së duhet të arrijë kudo ku jetojnë shqiptarët në Republikën e Serbisë. Bashkëpunimi me shoqatat brenda dhe jashtë vendit mund të ndihmojë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit, siç dëshmon edhe përvoja e “Kosova për Sanxhakun” me Këshillin Kombëtar Boshnjak.
Këshilli Kombëtar Shqiptar është një institucion me rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të shqiptarëve në Republikën e Serbisë. Si organ i vetëqeverisjes së pakicës kombëtare shqiptare, ai ushtron kompetenca në katër fusha themelore: arsim, kulturë, informim dhe përdorim zyrtar të gjuhës e të shkrimit.
Këto fusha lidhen drejtpërdrejt me jetën e komunitetit: me mundësinë që fëmijët të mësojnë gjuhën amtare, që trashëgimia të dokumentohet e të përcillet ndër breza dhe që qytetarët të informohen e t’i ushtrojnë të drejtat gjuhësore.
Përqendrimi i veprimtarisë së KKSH-së në Luginën e Preshevës është i kuptueshëm për shkak të përqendrimit të popullsisë shqiptare atje. Megjithatë, mandati i tij lidhet me pakicën kombëtare shqiptare në tërë Republikën e Serbisë. Selia në Bujanoc nuk përbën kufi territorial të veprimtarisë së tij.
Përkujdesje institucionale kudo ku jetojnë shqiptarët
Shqiptarët që jetojnë jashtë Luginës së Preshevës mund të përballen me vështirësi të veçanta: mungesë të mësimit në gjuhën amtare, qasje të kufizuar në përmbajtje kulturore e informuese dhe mundësi më të pakta për organizim shoqëror. Për komunitetet e vogla ose të shpërndara, lidhja me KKSH-në mund të ketë rëndësi të madhe.
Brenda kompetencave të veta, Këshilli mund të zhvillojë takime me qytetarë e shoqata, të evidentojë nevojat e tyre, të propozojë masa pranë institucioneve kompetente dhe t’i përfshijë këto komunitete në programet e veta.
Kjo përkujdesje duhet të arrijë edhe te shqiptarët në Sanxhak dhe në pjesë të tjera të Serbisë. Realizimi konkret i të drejtave varet nga kushtet dhe procedurat ligjore të secilës fushë, por njohja e nevojave, komunikimi dhe përfaqësimi institucional kërkojnë angazhim të vazhdueshëm.
Në këtë punë duhet të respektohet plotësisht vetëidentifikimi i qytetarëve. Prejardhja familjare, gjuha, feja dhe përkatësia kombëtare e sotme janë elemente që duhen trajtuar me kujdes, pa ia përcaktuar askujt identitetin nga jashtë.
Nga kompetencat te veprimtaria konkrete
Në arsim, KKSH-ja mund të angazhohet për evidentimin e kërkesave për mësim në gjuhën shqipe dhe për bashkëpunimin me prindërit, mësimdhënësit, shkollat dhe autoritetet përkatëse. Materialet mësimore, përmbajtjet digjitale dhe nismat arsimore mund të ndihmojnë veçanërisht komunitetet që kanë më pak mundësi për ta ruajtur gjuhën amtare.
Në kulturë, hapësira e veprimit përfshin botime, ekspozita, takime letrare, dokumentim të trashëgimisë dhe mbështetje të nismave lokale. Historia dhe kultura e shqiptarëve në Serbi duhet të pasqyrohen në larminë e tyre, duke përfshirë edhe komunitetet më pak të pranishme në jetën publike.

Presheva
Në informim, rëndësi ka krijimi dhe shpërndarja e përmbajtjeve që trajtojnë jetën, nevojat dhe veprimtarinë e shqiptarëve në tërë vendin. Në fushën e gjuhës, nevojitet ndjekja e zbatimit të të drejtave gjuhësore dhe adresimi i pengesave pranë instituc
Pioneve kompetente.
Pesha e Këshillit rritet kur këto kompetenca shndërrohen në programe pune, kërkesa të argumentuara dhe rezultate të dukshme për qytetarët.
Shoqatat si partnerë të Këshillit
Organizatat joqeveritare mund të jenë partnerë të rëndësishëm të KKSH-së. Ato shpesh kanë kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët, njohin rrethanat lokale dhe zotërojnë përvojë profesionale ose organizative që mund t’i shërbejë punës institucionale.
Bashkëpunimi mund të zhvillohet përmes konsultimeve, grupeve të punës, projekteve të përbashkëta, botimeve dhe shkëmbimit të materialeve. Marrëveshjet e shkruara ndihmojnë në përcaktimin e përgjegjësive, mënyrës së pjesëmarrjes, përdorimit të ambienteve dhe financimit të aktiviteteve.
Një formë e dobishme mund të jetë edhe statusi participues-konsultativ, i formalizuar në përputhje me aktet përkatëse të Këshillit. Përmes tij, shoqatat mund të kontribuojnë në diskutime tematike, të paraqesin propozime dhe të ofrojnë mendime profesionale. Të drejtat dhe përgjegjësitë që lidhen me këtë status duhet të përcaktohen qartë.
Përvoja e “Kosova për Sanxhakun” me Këshillin Kombëtar Boshnjak
Një përvojë konkrete në këtë drejtim është bashkëpunimi i OJQ-së “Kosova për Sanxhakun” me Këshillin Kombëtar Boshnjak në Novi Pazar.
Që në ditët e para të themelimit të shoqatës, me iniciativën e Këshillit Kombëtar Boshnjak, është lidhur një memorandum bashkëpunimi, përmes të cilit “Kosova për Sanxhakun” ka fituar status participues-konsultativ, sikurse edhe organizata joqeveritare lokale në Sanxhak.
Në kuadër të kësaj marrëdhënieje, shoqata ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit, të zhvillojë projekte të përbashkëta dhe të shfrytëzojë ambientet e tij për organizimin e aktiviteteve, sipas marrëveshjes.
Kjo ka krijuar hapësirë institucionale për bashkëpunim kulturor, shkencor dhe shoqëror ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve. Fakti se iniciativa erdhi nga vetë Këshilli Kombëtar Boshnjak shpreh gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me shoqërinë civile, përfshirë organizata jashtë Serbisë që kanë veprimtari të lidhur me Sanxhakun.
Kjo përvojë tregon vlerën praktike të hapjes së këshillave kombëtare ndaj partnerëve: njohuritë, lidhjet dhe nismat e shoqatave mund të përfshihen në veprimtari me interes për komunitetin.
Mundësitë e bashkëpunimit me KKSH-në
Duke u mbështetur edhe në këtë përvojë, “Kosova për Sanxhakun” ka përgatitur një propozim për memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar në Bujanoc. Me KKSH-në ende nuk është lidhur një marrëveshje e tillë.
Propozimi synon zhvillimin e projekteve në arsim, kulturë, histori dhe informim, si dhe shqyrtimin e mundësisë për një status participues-konsultativ pranë Këshillit. Botimet, përkthimet, hulumtimet, konferencat dhe dokumentimi i trashëgimisë përbëjnë fusha ku mund të ndërtohet bashkëpunim konkret.
Për KKSH-në, partneritetet me organizata brenda Serbisë mund të përmirësojnë njohjen e gjendjes në terren. Bashkëpunimi me organizata jashtë saj mund të sjellë ekspertizë, materiale, kontakte dhe mundësi për projekte, brenda kompetencave dhe kuadrit ligjor përkatës.
Këto marrëdhënie kërkojnë objektiva të qarta, transparencë dhe përgjegjësi. Ato duhet të ndërtohen mbi nevojat e komunitetit dhe të mbeten të hapura ndaj kontributeve profesionale e shoqërore.

Fshat i braktisur në Medvegjë
Rëndësia e Këshillit Kombëtar Shqiptar matet me aftësinë për t’i dëgjuar qytetarët dhe për t’i kthyer nevojat e tyre në veprim institucional. Një KKSH aktiv dhe i hapur ndaj bashkëpunimit mund ta bëjë më të prekshme të drejtën për gjuhë, arsim, kulturë dhe informim për shqiptarët kudo që jetojnë në Republikën e Serbisë.


