Politikanët e “Epokës së Gurit”, përballë inteligjencës artificiale!

Shkrime relevante

Malazezi i Epokës së Inteligjencës Artificiale, i cili edhe seksin ia beson tërmetit

Lirim Gashi, Prishtinë ____ Mbrëmë bisedova me mikun tim më të dashur malazez,...

Hoxhë Hoxhinskit do t’i jipet Çmimi Nobel…!

Shkruan e knon: Lirim Patrioti (Lirim Gashi, Prishtinë) ____ FABRIKA E ÇMIMEVE NOBEL DHE...

Politikanët e “Epokës së Gurit”, përballë inteligjencës artificiale!

Lirim Gashi, Prishtinë ____ Është vërtet e dhimbshme të shohësh se sa shumë...

Krimineli më i madh që po shpopullon Shqipërinë është më i rrezikshmi nga të gjitha kafshët

Aurel Dasareti, SHBA Specialist i psikologjisë ushtarake. Jeton në SHBA . Atdhetari...

Janë do vorre në Kosovë…, poezi elegjiake e Dije Demirit – Frangut

Dije Demiri Frangu ____ Janë do vorre në Kosovë mbushur gjinj grash Janë do...

Shpërndaj

Është vërtet e dhimbshme të shohësh se sa shumë njerëz brenda klasës sonë politike vazhdojnë të jenë të paaftë për t’i dalluar shenjat e kohës.
Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë çorientim të vogël në kalendar, por për një verbëri alarmante përballë ndryshimeve historike, të cilat do të kenë rëndësi vendimtare në vënien dhe formësimin e themeleve të rendit të ri botëror.
Ndërsa bota po ndryshon me shpejtësinë e dritës, falë bashkimit të njohurive shkencore në platformën e quajtur inteligjencë artificiale, e cila po e shumëfishon pandalshëm efikasitetin dhe ritmin e përparimit shkencor, një pjesë e përfaqësuesve tanë politikë, si në pushtet, ashtu edhe në opozitë, vazhdojnë të mendojnë dhe të flasin sikur historia ta ketë harruar rrugën që çon drejt së ardhmes.
Ata m’i kujtojnë ato veturat e vjetra, të ndryshkura dhe krejtësisht të shkatërruara, të cilat dikur i hidhnim nëpër lumenj, pa menduar asnjë çast se me këtë veprim po e helmonim ujin, po e rrezikonim jetën e peshqve dhe bretkosave dhe po e shndërronim natyrën në një varrezë të improvizuar të mbeturinave të qytetërimit tonë.
Por pikërisht këtu fshihet ironia më e madhe:
Dikur i hidhnim veturat e vjetra në lumenj për shkak të mungesës së vetëdijes ekologjike. Sot, disa nga përfaqësuesit tanë politikë, si në pushtet, ashtu edhe në opozitë, i hedhin në rrjedhën e së ardhmes mbeturinat e mënyrës së tyre të tejkaluar të të menduarit, të bindur fort se po ia bëjnë njerëzimit një shërbim historik.
Për fatin e tyre të keq, ata nuk e kuptojnë se as muzeu nuk do të ishte më një vend i denjë për t’i ekspozuar si relikte të një kohe të shkuar prej kohësh.
Sepse edhe muzetë i kanë kriteret, standardet dhe komisionet e tyre të heshtura, të cilat vendosin se çfarë meriton të ruhet si dëshmi e historisë dhe çfarë duhet të përfundojë aty ku e ka vendin: në deponinë e së kaluarës.
Për fat të mirë, e ardhmja nuk ka asnjë detyrim moral t’i presë ata që kanë vendosur të jetojnë përgjithmonë në të kaluarën.
Më kujtohet kriza e madhe financiare botërore e vitit 2007, kur disa nga virtuozët më të talentuar amerikanë të mashtrimeve bankare arritën t’u shisnin kolegëve të tyre evropianë letra financiare të mbushura me borxhe, të paketuara si asete me vlerë të jashtëzakonshme.
Sekreti i këtij suksesi financiar ishte gjenial në thjeshtësinë e tij: borxhet i përkisnin njerëzve me tituj akademikë!
Me sa duket, bankierët evropianë kishin arritur në përfundimin se borxhi i marrë nga një doktor shkencash nuk ishte më një borxh i zakonshëm, por një formë sublime e investimit intelektual.
Nëse borxhliu kishte diplomë universitare, atëherë edhe falimentimi i tij duhej të kishte njëfarë elegance akademike.
Kështu, borxhet e vjetra veshën kostume moderne, morën emërtime elegante financiare dhe e kaluan Atlantikun si aristokratë të ekonomisë, ndonëse brenda tyre fshihej e njëjta varfëri e vjetër materiale, etike, morale dhe intelektuale.
Mësimi i kësaj përralle bankare është jashtëzakonisht i thjeshtë:
Borxhi mbetet borxh, pavarësisht nëse borxhliu është analfabet, profesor universitar apo fitues i Çmimit Nobel. Diploma mund t’ia zbukurojë pamjen, por nuk mund t’ia shlyejë detyrimet ndaj bankës.
Sepse edhe ekonomia e ka sensin e vet të humorit: budallai mund të marrë borxh, akademiku mund të marrë borxh, por vetëm një bankier idiot mund të besojë se borxhi shndërrohet në pasuri vetëm pse borxhliu di ta shkruajë titullin akademik para emrit të tij!
Çfarë dua të them, në të vërtetë, me gjithë këtë?
Njerëzit që e përfaqësojnë popullin tonë në pushtet, e sidomos ata në opozitë, m’i kujtojnë në mënyrë rrëqethëse pikërisht ata bankierët e famshëm evropianë, të cilët i blinin borxhet amerikane duke i ngatërruar me pasurinë vetëm pse borxhlinjtë kishin diploma universitare.
Pastaj erdhi fatura. Dhe, siç ndodh zakonisht në marrëdhëniet ndërkombëtare, kur dikush nuk di ta paguajë çmimin e marrëzisë së vet, shfaqet Gjermania, me kalkulatorin në njërën dorë dhe me kontratën e kredisë së shtrenjtë në tjetrën.
Disa shtete evropiane u zhytën aq thellë në borxhe, saqë, për ta shmangur falimentimin, u detyruan të kërkonin shpëtim financiar nga Berlini.
Në atë moment, shumë politikanë, të cilët dikur e konsideronin Bashkimin Evropian si një bankomat me flamur të kaltër dhe me dymbëdhjetë yje, zbuluan papritur se edhe Berlini dhe Brukseli i kishin arkëtarët e vet.
A ju kujtohet Greqia?
Politikanët e saj të paditur dhe parazitarë, të mësuar të jetonin me të ardhurat nga turizmi, me paratë e Bashkimit Evropian dhe me bujarinë financiare të popujve evropianë, për të cilën mendonin se nuk do të shteronte kurrë, papritur u përballën me një problem krejtësisht të vogël teknik: paratë e shpenzuara për ahengjet dhe dasmat turbo-folk-tallava duhej të ktheheshin.
Dhe pikërisht atëherë, kur Bashkimit Evropian i kanosej rreziku të shpërbëhej në njëqind pjesë, si një shishe birre e thyer në asfalt, disa prej tyre filluan ta paraqisnin Angela Merkelin si bijë politike të Adolf Hitlerit.
Sipas interpretimit të tyre, Hitleri dikur e pushtonte Evropën me tanke, ndërsa Merkel e bënte sot të njëjtën gjë me kredi të shtrenjta, me interesa politike egoiste dhe me kushte financiare të papranueshme.
Ndryshonte vetëm arma: dikur tanket Panzer, sot Excel-i. Dikur ushtarët marshonin drejt kryeqyteteve evropiane, ndërsa sot ministrat e financave prisnin në radhë para zyrave të Berlinit, me dosjet në duar.
Ironia ishte madhështore: ata që gjatë gjithë kohës merrnin borxhe me entuziazmin e turistëve në një hotel me pesë yje, papritur e akuzonin arkëtaren se po ua prishte pushimet.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se politika financiare gjermane ishte e pagabueshme, e as se Merkel ishte ndonjë shenjtore e ekonomisë. Por një gjë mbetet e pakontestueshme: nuk mund të shpenzosh sikur të jesh trashëgimtar i Rockefellerit dhe pastaj të zemërohesh me bankierin kur të kërkon llogari.
Dhe pikërisht këtë dua t’ia them klasës sonë politike, e në veçanti opozitës:
Para se ta shpallni veten arkitektë të rendit të ri botëror, mësoni së paku ta dalloni pasurinë nga borxhi, diplomën nga aftësia dhe premtimin parazgjedhor nga detyrimi shtetëror.
Sepse bota e re nuk do t’i japë askujt kredi vetëm pse di të mbajë fjalime të bukura, të shtrëngojë duart para kamerave apo ta shqiptojë fjalën sovranitet me një solemnitet të tillë, saqë edhe vetë perandori bizantin do t’ia kishte zili.
Inteligjenca artificiale mund ta shumëfishojë inteligjencën njerëzore, por ende nuk është shpikur ndonjë algoritëm që do t’ua shlyente politikanëve borxhin e marrëzisë së akumuluar.
Në fakt, edhe vetë shprehja „inteligjencë artificiale” përmban një mashtrim të vogël terminologjik, të cilin njerëzimi e ka pranuar me një seriozitet pothuajse fetar.
Sepse kjo inteligjencë nuk ka zbritur në agimin e ndonjë mëngjesi pranveror nga një galaktikë e largët, me një diplomë ndërgalaktike në xhep dhe me një tru të prodhuar në laboratorët jashtëtokësorë.
E vërteta është shumë më tokësore, ndonëse dukshëm më pak spektakolare:
Inteligjenca e saj nuk buron nga jashtëtokësorët, por nga miliona njerëz të zakonshëm, të cilët nuk kanë lejuar që truri i tyre të shndërrohet në një kënetë me ujë të ndenjur, ku mendimet kalben më shpejt se gjethet në vjeshtë.
Përkundrazi, ata e kanë munduar trurin e tyre ditë e natë, e kanë vënë në pikëpyetje, e kanë sfiduar dhe e kanë detyruar të zbulojë lidhje të reja, të krijojë ide të panjohura deri atëherë dhe të depërtojë në fusha të dijes ku mendja dembele nuk do të hynte as sikur bileta e autobusit të ishte falas.
Pastaj erdhi inteligjenca artificiale, i mblodhi frytet e kësaj pune kolosale njerëzore, i sistematizoi, i përpunoi dhe doli para botës me një vetëbesim mahnitës, sikur ta kishte shpikur vetë rrotën, zjarrin dhe mëngjesin.
Dhe, meqë ra fjala, nuk do ta shfaq as dozën më të vogël të arrogancës nëse them se inteligjenca artificiale ma ka vjedhur edhe një pjesë të konsiderueshme të dijes sime, pa më pyetur fare.
Nuk e di nëse më ka përfshirë në bibliografinë e saj, por, së paku, ka mundur të ma dërgojë një letër falënderimi.
Madje, as ndonjë honorar simbolik nuk do të ishte i tepërt. Në fund të fundit, edhe gjenitë digjitalë duhet të mësojnë se prona intelektuale nuk shndërrohet në pronë publike vetëm pse pronari i saj nuk ka kabllo USB.
Megjithatë, shpresoj sinqerisht që kjo teknologji t’u shërbejë njerëzve dhe të mos i shndërrojë ata në një specie të tepërt në planetin e tyre.
Sepse kulmi i ironisë historike do të ishte që njeriu, pas mijëra vjetësh përpjekjesh për të shpikur makina që do t’ia lehtësonin jetën, në fund të detyrohej pikërisht atyre makinave t’u lutej që të mos ia merrnin vendin e punës.
Deri atëherë, kam vetëm një këshillë për njerëzit anembanë botës:
Vazhdoni ta ushtroni trurin. Mos lejoni që ai të dalë para kohe në pension. Sepse, nëse ia besoni inteligjencës artificiale edhe të menduarit, edhe vendimmarrjen, edhe përgjegjësinë, një ditë mund të zbuloni se roboti juaj është bërë drejtor, ndërsa ju jeni punësuar si roje e karikuesit të tij.
E atëherë do të jetë paksa vonë të protestoni para fabrikës, duke kërkuar kthimin e vendeve të punës, sepse edhe pankartat mund t’jua shkruajë inteligjenca artificiale – ndërsa juve do t’ju mbetet vetëm t’i mbani ato në duar!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu