Naile Ejupi, Bota Sot“I janë prishur planet me Beogradin, Grenellin e Putinin”, analistët flasin rreth ‘heshtjes’ së Ramës pas humbjes së Vuçiqit

Kandidati kryesor i Partisë Progresive Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiq, ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, pasi lista e mbështetur nga lëvizja studentore ka siguruar shumicën absolute, sipas projeksioneve të rezultateve.
Sipas organizatës për monitorimin e zgjedhjeve CRTA, lista studentore ka marrë 51,5 për qind të votave, ndërsa SNS-ja e Vuçiqit 40,4 për qind. Lista opozitare pritet të sigurojë 135 deri në 140 ulëse në parlamentin me 250 deputetë, duke i hapur rrugën formimit të një qeverie pa partitë e tjera.
Pas publikimit të rezultateve, në Beograd shpërthyen festimet, ku qytetarë, kryesisht të rinj, dolën në rrugë për të shprehur gëzimin për rezultatin zgjedhor.
Zgjedhjet u konsideruan si një referendum për qeverisjen e Vuçiqit, i cili ka dominuar politikën serbe që nga viti 2012. Lista studentore u krijua pas protestave masive që pasuan shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona. Tragjedia nxiti akuza për korrupsion dhe neglizhencë institucionale, duke mobilizuar qytetarë në mbarë Serbinë.
Megjithatë, procesi zgjedhor u shoqërua me tensione. CRTA raportoi për dyshime për blerje votash, frikësim të votuesve dhe fotografim të fletëvotimeve, ndërsa mediat raportuan edhe për sulme ndaj vëzhguesve dhe gazetarëve.
Ndërkohë, vëmendje ka marrë edhe qëndrimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, pas humbjes së Vuçiqit, me të cilin ka pasur raporte të afërta politike dhe bashkëpunim rajonal.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk rezulton të ketë një reagim publik të Ramës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Serbi apo fitoren e listës studentore. Ndërsa, analistët politikë konsiderojnë për “Bota sot”, se Rama është i tmerruar dhe janë prishur planet e tij me Vuçiqin, Grenellin e Putinin.
“Ikja e Vuçiqit do të pasohet shpejt nga ajo e Ramës”

Analisti Adriatik Riza Dosti, thotë se Rama është i tmerruar nga humbja e Vuçiqit.
“Po, sigurisht që Rama është i tmerruar nga humbja e Vuçiqit, pasi humbi një partner të afërt, tek i cili mbështetej. Rama, për momentin, po përballet me protesta të fuqishme studentore, ndaj nuk di ku e ka kokën. E ka humbur kontrollin dhe parashikon rrëzimin e tij, pavarësisht masave represive që po ndërmerr çdo ditë. Ai harron se kështu po e shton urrejtjen ndaj vetes. Personalisht, mendoj se ikja e Vuçiqit do të pasohet shumë shpejt nga ajo e Ramës, Netanyahut dhe Macronit, liderë të dhunshëm dhe autokratë që kanë vite në pushtet”, deklaron Dosti për “Bota sot”.
I pyetur nëse është afërsia e gjatë politike mes Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiqit dëshmi se kryeministri shqiptar ka investuar më shumë në partneritetin me Beogradin sesa në mbrojtjen e interesave të Kosovës, Dosti shprehet se Tirana zyrtare jetë e mot ka qenë e lidhur me Beogradin.
“Jo, nuk është çështje afërsie gjeografike, por mendësie. Janë lidhje të hershme mes Beogradit dhe Tiranës, gjithmonë në kurriz të Shqipërisë dhe me thikë pas shpine ndaj Kosovës. Tirana zyrtare, jetë e mot, ka qenë e lidhur me Beogradin dhe kurrë, as sot e kësaj dite, me vendin dhe popullin e vet, e aq më pak, dhe më keq akoma, me Prishtinën”, thekson analisti.
Sipas tij, pas rënies së Vuçiqit, Rama nuk do të vazhdojë të ketë të njëjta lloj lidhjes me Serbinë si deri dje.
“Nuk mendoj se Shqipëria mund të mbetet peng i asnjë lloj politike apo varësie ekonomike në rajon, por probleme dhe vështirësi sigurisht që do të ketë, dhe kjo falë bashkëpunimit të ngushtë antishqiptar të deritanishëm mes Ramës dhe Vuçiqit, i cili e ka rënduar veçanërisht situatën në Kosovë. Nëse bie Rama, në tunelin Tiranë–Prishtinë do të ketë vetëm dritë. Pas rënies së Vuçiqit, besoj se Rama nuk do të vazhdojë të ketë të njëjtat lloj lidhjesh me Serbinë si deri dje. Por, gjithashtu, nuk besoj se Rama do ta rishikojë politikën dhe marrëdhëniet e tij në mënyrë pozitive, në të mirë të Kosovës, apo se do t’i balancojë lidhjet me Albin Kurtin. Kjo sepse Rama e ka në gjak antishqiptarinë dhe është pothuajse i deklaruar si gjakprishur dhe antikosovar”, përfundon Dosti.
“Heshtja e Ramës”
Ndërsa, analisti Milazim Maraj konsideron se heshtja e Ramës është sinjal që janë prishur shumë projekte të planifikuara bashkë me Vuçiqin, Grenellin e Putinin.
Sipas tij, humbja e Vuçiqit ka reflektuar edhe në Shqipëri, por Serbia nuk do të ketë ndonjë politikë paqësore, janë ndërruar vetëm aktorët.
“Pas zgjedhjeve në Serbi Aleksander Vuçiq humbi. Por jo vetëm kaq, kompleti i tij nuk arriti as të kaloj pragun. Thuaj se të gjithë liderët në Gadishullin Ilirik reaguan. Por Kryeministri i Shqipërisë Edvin Rama heshti. Kjo heshtje është një sinjal që janë prish shumë projekte të planifikuara bashkë Vuçiqin, Grenellin, Putinin. Por edhe nuk është në pozitë as të qajë për Vuçiqin as të përkrah humbjen e tij. Humbja për këta humbës nuk është vetëm politike. Janë projekte të planifikuara në kundërshtim të interesit shqiptarë dhe të projekteve gjeopolitike në Botë. Humbja e Vuçiqit është jo vetëm e tij .Kjo humbje do të reflektohet edhe në Shqipëri. Nga se hartimi i projekteve të përbashkëta për partneritet madje edhe në kundërshtim të interesit kombëtar tani është i dështuar. Kjo nuk do të thotë që Serbia do të ketë ndonjë politikë paqësore por janë ndërruar aktoret e kësaj drame tragjike. Pastaj ajo, për çka ka humbur Vuçiq është korrupsioni, krimi i organizuar, kriminalizimi i institucioneve shtetërore dhe përkrahja e grupeve kriminale. SPAK në Shqipëri ka gjete shumë krime të ngjashme me këto të Serbisë. Partneriteti i Edvin Kristaq Ramës më Serbinë ishte shumë me i fuqishëm së me Kosovën. Kjo duket që Kosova është çliruar nga Serbia por Shqipëria ende ka rrjete ruso-serbe. Përndryshe nuk ka si shpjegohet që këtë lidhje po ndodhin në vazhdimësi, nga Esad Pashë Toptani, Enver Hoxha, Ikja e organizuar nga Shqipëria, 2. Korrik 1990, Mbledhja e Kretës Millosheviq Nano, tani Edi Rama- Vuçiq”, deklaron Maraj në një bashkëbisedim me “Bota sot”.
Është vështirë të thuhet nëse Shqipëria do të mbetet peng i marrëveshjeve me politikën rajonale, thotë Maraj, por sipas tij, pushteti serb mund të marrë disa hapa që për Kosovën nuk kanë rëndësi.
“Kjo tregon se një shtet i vogël shqiptarë ka gjithmonë probleme për unitet brenda. Këto probleme janë ekonomia e dobët, prestigji i ulët, interesi në marrëdhëniet me shtete tjera në rajon dhe në Botë dhe paaftësia e shtetit për të përballuar trusnitë e jashtme në forma të ndryshme dhe në fusha të ndryshme. Kjo është pasojë e copëtimit të territoreve të Shqipërisë. Tani Shqipëria dhe shqiptaret vuajnë këto pasoja. Ndërsa Gadishulli Ilirik gjithmonë tundet nga ç’ rregullime të vazhdueshme që janë pasojë e ndarjes jo parimore të territoreve shqiptare. Tani është vështirë të thuhet nëse Shqipëria do të jetë peng e këtyre marrëveshjeve më politikën rajonale. Nga se kjo varët nga përfundimi i trazirave në Shqipëri. Do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme si dhe çfarë do të jetë pastaj marrëdhënia e Shqipërisë me shtetet fqinjë, konkretisht me Serbinë. Bazuar në përvojën e keqe që e kemi që nga viti 1878 nuk mund të mund të shpresojmë shumë. Do të përfundojnë këto trazira, apo do të kemi një situatë të viteve 1996/7? që nuk i konvenon askujt. Pushteti i ri në Serbi, mund të i merr disa hapa që për Kosovën nuk kanë rëndësi shumë, por që BE dhe SHBA do të i vlerësojnë si lëvizje politike pozitive të Serbisë dhe që Kosovës të i bëjnë presion për të pranuar asociacionin serb në Kosovë etj. Që do të thotë të krijohet shteti serb brenda shtetit të Kosovës. Në këtë gjendje do të pësojnë trusni edhe shqiptarët në Maqedoni dhe, në Luginën e Preshevës”, nënvizon Maraj.
I pyetur nëse do të shfrytëzojë kjo situatë mundësinë për të rishikuar qasjen e Edi Ramës ndaj Kosovës, apo do të vazhdojë t’i japë përparësi marrëdhënieve me Serbinë, Maraj, thotë se nuk pritet nga Rama në pushtet një interesim kombëtar.
Sipas tij, nuk ka sinjal që u pendua Rama për raportet me Serbinë.
“Në këtë situatë do të duhej të bëhej një analizë e thellë shkencore. Për udhëheqjen e Qeverisë Rama. Pastaj do të duhej të projektohet plani i ri i udhëheqjes në Shqipëri. Plan që do të ishte i favorshëm për nivelin kombëtarë të shqiptarëve në Gadishullin e vet. Por për të gjitha këto ende nuk shihen qartë faktorët që do të ndikonin në këtë ndryshim. Nuk kemi ende në skenë figura që do të bënin këto ndërrime. Studentet po protestojnë bashkë me profesorët e tyre. Por nuk ka ende një figurë që të dalë në ballë të studentëve dhe të paraqet një projekt të çartë, përveç që Edi Rama të jap dorëheqje. Ndërsa nuk pritet që Edi Rama në pushtet të i përkushtohet interesit kombëtar. Të korrigjohet, nuk ka asnjë sinjal që ky është penduar për përkrahje jo parimore të Serbisë, madje ky i ka bërë presion Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat serbe; për ndryshimin e kufijve, për “Ballkanin e hapur” etj. Më shumë besohet që do të ndjek rrugën e vjetër për të përkrahur Serbinë së sa për të korrigjuar gabimet që i ka bërë”, përmbyll analisti “Bota sot”.
Kujtojmë se disa liderë evropianë dhe rajonalë kanë përshëndetur rezultatin, Tirana zyrtare ka reaguar përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka uruar listën studentore dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin e arritur. Ministria ka theksuar gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


