____
Thank you for reading this post, don’t forget to subscribe!Në dukje të parë, Sali Berisha dhe Edi Rama paraqiten si armiq të papajtueshëm?!!! Ata shkëmbejnë akuza, fyerje dhe kërcënime politike, ndërsa PD-ja dhe PS-ja e ushqejnë prej vitesh idenë kinse, përfaqësojnë dy botë krejtësisht të kundërta. Por, pas kësaj përplasjeje publike duket se fshihet një bashkëpunim i heshtur politik, nga i cili përfitojnë të dyja palët.
Sali Berisha, nuk mund të ikën nga përgjegjësia politike për ngjarjet më të rënda të “tranzicionit” shqiptar: shkatërrimin institucional të viteve 1991-1992, krizën ekonomike dhe politike dhe gjakderdhjen e vitit 1997 pas shembjes së skemave piramidale, tragjedinë e Gërdecit dhe vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011 e të tjera. Megjithatë, në vend që kjo trashëgimi kriminale të merrte një përgjigje të plotë institucionale, PS-ja e Edi Ramës e mbajti Berishën në qendër të skenës politike.
Rama e përdori Berishën si “kundërshtarin” ideal. Sa herë qeveria përballej dhe po përballet me akuza për korrupsion, keqqeverisje, largimin masiv të shqiptarëve apo dobësimin e institucioneve, rikthimi i figurës së Berishës shërbente si paralajmërim: alternativa ndaj Ramës ishte e kaluara. Në këtë mënyrë, Berisha u shndërrua në alibinë më të dobishme të pushtetit socialist.
Por, edhe Berisha i ka shërbyer gjatë Ramës. Me gjuhën e tij përçarëse, akuzat e pakontrolluara dhe konfliktin e pandërprerë, ai e ka penguar krijimin e një opozite të re, të besueshme dhe të aftë për ta sfiduar realisht qeverinë. Në vend të një debati për përgjegjësinë dhe alternativat, politika shqiptare është rrudhur vazhdimisht në përplasjen personale Rama-Berisha.
Sot, po shfaqet edhe ana tjetër e këtij mekanizmi. Duke e paraqitur Ramën si armikun e vetëm dhe duke e kthyer çdo kritikë ndaj qeverisë në betejë personale, Berisha rrezikon ta rehabilitojë politikisht Kryeministrin; përballë zullumeve për të cilat akuzohet. Njëri mbijeton duke frikësuar si prej gogolit shqiptarët; me tjetrin; ndërsa strukturat e PD-së dhe PS-së e mbajnë vendin të mbyllur brenda të njëjtit rreth të hajnive dhe të krimeve…
Ky nuk është domosdoshmërisht një bashkëpunim i shkruar, apo një marrëveshje formale. Është një bashkëjetesë interesash: Rama ka nevojë për Berishën; si kundërshtar të konsumuar, ndërsa Berisha ka nevojë për Ramën si “armik” që po e justifikon qëndrimin e tij në krye të opozitës. Konflikti i tyre publik prodhon zhurma, por njëkohësisht pengon ndryshimin e vërtetë pozitiv në Shqipërinë tonë.
Shqipëria, nuk mund të vazhdojë të jetë peng i dy politikanëve dinakë që ushqejnë njëri-tjetrin përmes “konflikteve”. Përgjegjësia për të shkuarën dhe të tashmen duhet të vendoset nga institucionet, drejtësia dhe faktet, jo nga propaganda partiake e tyre. Alternativa reale fillon vetëm kur qytetarët refuzojnë të zgjedhin mes dy figurave reaksionare që e përdorin njëra-tjetrën për të mbijetuar politikisht.
Kopenhagë, 30. 10. 2026


