MOS E PËRDORNI UÇK-NË DHE DIASPORËN PËR TË JUSTIFIKUAR AGJENDA FETARE!
____
Duhet bërë një dallim i qartë mes gjeneratave të viteve ’90 dhe realitetit të sotëm. Ata që financuan dhe mbështetën UÇK-në ishin një gjeneratë patriotësh, njerëz që sakrifikuan dhe mendonin për çlirimin e Kosovës, lirinë dhe atdheun. Në atë kohë askush nuk e kishte fenë në qendër të organizimit kombëtar. Shqiptarët, pa dallim besimi, u bashkuan rreth një ideali të vetëm: çlirimit të Kosovës.
Prandaj, krahasimi i asaj gjenerate me projektet e sotme të edukimit fetar, duke i paraqitur ato si domosdoshmëri për të mos u asimiluar, është një argument që duhet kundërshtuar. Asimilimi nuk luftohet duke e zëvendësuar identitetin kombëtar me atë fetar. Identiteti shqiptar ruhet përmes gjuhës, kulturës, historisë, arsimit dhe vetëdijes kombëtare.
Kam edhe një pyetje tjetër: a ka transparencë se kush po i financon realisht këto organizime? Nuk besoj se mund të flitet në emër të gjithë shqiptarëve të diasporës pa pasur dëshmi konkrete se ata janë financuesit. Duhet bërë dallimi mes kontributit të qytetarëve shqiptarë dhe financimit nga organizatorë apo struktura të caktuara.
Gjithashtu, Egerkinger Komitee, e cila merret me çështjet e financimit të xhamive dhe ndikimit të organizatave fetare, duhet të japë sqarime të qarta për burimet e financimit, transparencën dhe aktivitetet që zhvillohen në emër të shqiptarëve. Nëse ekzistojnë dyshime për mënyrën se si përdoren këto fonde apo përfaqësohet diaspora shqiptare, ato duhet të hetohen dhe të sqarohen me fakte, jo me akuza të pambështetura.
UÇK-ja nuk luftoi për një projekt fetar. Diaspora nuk sakrifikoi për ta ndarë kombin sipas besimit. Ajo ndihmoi për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Atdheu mbi çdo ndarje! Identiteti kombëtar mbi çdo agjendë fetare!



