_____
PEJA, KROMOZOMET E KRIMIT DHE BIOLOGJIA E PANDËSHKUESHMËRISË
____
Duket sikur disa dhjetëra kriminelë të Pejës, e bartin në kromozomet e tyre një mutacion të trashëguar të një forme të rrallë të klerofashizmit çetnik, të ndërthurur me disa simptoma të rënda të perversitetit incestoid.
Për fat të keq, askund tjetër në Kosovë nuk duket se ka një përqendrim kaq spektakolar të gjeneve krimogjene, të paktën po t’i gjykosh sipas produktivitetit të tyre tragjik shoqëror dhe politik.
Por, para se ta shpallim ndonjë kongres ndërkombëtar të gjenetikës krimogjene të disa dhjetëra kriminelëve pejanë, le t’i konsultojmë pak statistikat.
Sipas kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, në 25 vitet e para të periudhës së pasluftës, në rajonin e Pejës janë regjistruar 203 vrasje me 227 viktima.
Njëzet e tre viktima më shumë sesa numri i vrasjeve. Me sa duket, edhe statistikat e këtij rajoni kanë vendosur të mos merren me matematikë të zakonshme.
Në vitin 2022 raportohej se rreth 120 vrasje të pasluftës në këtë rajon ende nuk ishin zbardhur.
Pra, kemi një muze të madh të vrasjeve, por një koleksion relativisht të varfër të autorëve të dënuar.
Dhe le t’i kujtojmë disa emra:
Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, Enis Zemaj, Hasan Zemaj, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj.
Njerëz të vrarë në atentate dhe rrethana që tronditën Kosovën, ndërsa drejtësia për shumë prej këtyre rasteve mbeti larg pritshmërive të familjeve dhe shoqërisë.
Pastaj kemi Qerim Kelmendin, ish-ushtarin e UÇK-së, trupin e të cilit e gjetën më 27 shkurt 2020 në një veturë të djegur në fshatin Zahaq.
Një njeri i vrarë dhe i djegur bashkë me veturën. Sikur dikush të kishte vendosur që, përveç jetës, t’i zhdukte edhe gjurmët e saj.
Por as zjarri nuk mund ta shuajë përgjegjësinë morale dhe as tymi nuk mund të shërbejë si vendim përfundimtar i prokurorisë.
Dhe pastaj vjen tragjedia e Arlinda Zekajt në Vitomiricë.
Një grua që kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, që kishte denoncuar kërcënimet, që kishte marrë urdhërmbrojtje dhe që ishte detyruar të kthehej në shtëpinë e saj, u gjymtua mizorisht me sëpatë, nga kunati i saj, me 25 tetor të vitit 2026, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi.
Një histori aq tragjike saqë edhe vetë absurdi do të kishte turp ta shkruante.
Pas kësaj vrasjeje, 11 zyrtarë policorë u pezulluan, ndërsa ministri i Brendshëm bëri të ditur se ishin identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, sot, më 4 nëntor, Prokuroria në Pejë ka kërkuar paraburgimin e një burri të dyshuar për sulm seksual ndaj vajzës së tij 13-vjeçare.
Ndërkohë, raportimet e ditëve të fundit flasin edhe për tri raste të dhunës ndaj grave brenda më pak se 25 orësh në Pejë dhe Klinë.
Tani, nëse edhe pas gjithë këtyre statistikave dikush ende këmbëngul se problemi është thjesht një keqkuptim gjeografik, propozoj që ta dërgojmë në një kurs të avancuar të matematikës juridike.
Sepse këtu nuk kemi nevojë për analiza të ADN-së për të zbuluar se kush ka trashëguar gjene çetnike dhe incestoide.
Kemi nevojë për prokurorë që nuk tremben, për gjykatës që nuk bëjnë gjumë institucional, për polici që nuk e trajton viktimën si një dosje të bezdisshme dhe për institucione që nuk presin t’i numërojnë kufomat për ta kuptuar rrezikun.
Megjithatë, Peja nuk është fajtore. Pejanët nuk janë fajtorë. Shumica dërrmuese e tyre janë njerëz të ndershëm që meritojnë të jetojnë pa turpin e kriminelëve dhe pa hijen e atentateve.
Por ata që e kanë shndërruar krimin në industri, frikën në administratë dhe pandëshkueshmërinë në traditë, duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është Sicili.
Dhe ndoshta, në vend të një instituti për studimin e kromozomeve të krimit, Pejës i duhet urgjentisht një institut për rehabilitimin e ndërgjegjes qytetare dhe për restaurimin e shtetit ligjor.
Sepse, në fund të fundit, gjenet nuk i zgjedhim, por krimet i kryejmë vetë.
Dhe për këtë të fundit nuk ka terapi gjenetike. Ka vetëm drejtësi.



