Mulla Fatmir Latifi i Shipolit të Mitrovicës dhe urrejtja ndaj Kanunit të Lekë Dukagjinit

Shkrime relevante

Mulla Fatmir Latifi i Shipolit të Mitrovicës dhe urrejtja ndaj Kanunit të Lekë Dukagjinit

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë KANUNI I LEKË DUKAGJINIT DHE MULLA...

Kur feja zëvendëson kombin, mendime të Maki Maqedonci Canollit

Bekim Jashari me Halil Kastratin...Athua pse me ketë veshje...? KUR FEJA ZËVENDËSON...

Lufta hybride e Federatës Ruse ndaj vendeve perëndimore dhe NATO-s

ESTONI: Prodhuesi estone i armëve Milrem Robotics po tregon një nga...

Tirana “zien”, por Shqipëria pa solidaritet rrezikon të mbetet peng i Edi Ramës!

Prof.Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina (Ose; Protestat s’e rrëzojnë Ramën, nëse...

Shpërndaj

KANUNI I LEKË DUKAGJINIT DHE MULLA DREQI I SHIPOLIT!
Kur predikuesi kërkon të djegë historinë, por harron të lexojë edhe pasqyrën!
Kanuni i Lekë Dukagjinit është një ndër monumentet më të rëndësishme të së drejtës zakonore shqiptare. Për shekuj me radhë, ai shërbeu si sistem normash për organizimin e jetës familjare, shoqërore, ekonomike dhe morale të bashkësive shqiptare. Besa, nderi, mikpritja, fjala e dhënë dhe pleqësia ishin ndër institucionet e tij themelore.
Natyrisht, Kanuni nuk ishte kod i përsosur. Disa norma të tij, veçanërisht ato që lidhen me gjakmarrjen dhe pozitën e gruas, nuk përputhen me standardet e sotme. Por kjo nuk ia mohon vlerën historike dhe rëndësinë si trashëgimi e së drejtës zakonore shqiptare.
Ta kritikosh Kanunin është legjitime; të kërkosh djegien e tij dhe të fyesh figurën historike me të cilën lidhet, është tjetër gjë.
Dhe ja ku na shfaqet Mulla Fatmir Latifi i Shipolit të Mitrovicës!
Në një video që qarkullon prej kohësh në rrjetet sociale, ky predikues jo vetëm që e pagëzon Lekë Dukagjinin me epitetin «Lekë Dreqi», por me një arrogancë të veçantë shpall edhe dënimin e tij: djegien e Kanunit! Madje, për t’ia dhënë më shumë peshë predikimit, i bie tavolinës me dorën e majtë, sikur historia shqiptare të ishte ndonjë dërrasë që mund ta bindësh me grushte.
More Mulla Fatmir, kush të autorizoi të bëhesh gjykatës i historisë së shqiptarëve?
Lekë Dukagjini është figurë emblematike e mesjetës shqiptare, bashkëkohës i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Nuk është «Dreqi» yt, as ndonjë personazh që mund ta pagëzosh sipas humorit të minberit.
Nëse ti guxon ta quash Lekë Dukagjinin «Lekë Dreqi», atëherë, me të njëjtën monedhë ironike, mund të të përgjigjem: Mulla Dreqi i Shipolit! Madje, duke dëgjuar predikimet e tua, më kujtohet edhe një emërtim tjetër: Mulla Cubi i maleve! Sepse edhe për cubat, hajdutët dhe plaçkitësit Kanuni kishte norma e sanksione.
Por, Mulla Fatmir, para se të kërkosh djegien e Kanunit, të sugjeroj ta lexosh edhe Librin e Tretë, atë që trajton martesën. Aty do të gjesh një normë që ndoshta nuk të pëlqen aq shumë: gruaja e mbajtur mbi kurorën e së parës ishte në kundërshtim me Kanunin.
Dhe këtu kemi edhe një dallim interesant: Kanuni nuk e njihte martesën me dy, tri apo katër gra, ndërsa Kurani, në suren En-Nisa, ajeti 3, e parasheh mundësinë e martesës me dy, tri apo katër gra, duke e kushtëzuar me drejtësinë ndaj tyre.
Mos vallë, Mulla Fatmir, përveç «Lekë Dreqit», edhe ky dallim mes Kanunit dhe normës fetare ta ketë shtuar urgjencën për ta djegur librin e Lekës? Sigurisht, kjo është një pyetje ironike, jo një pretendim për motivet e tua personale!
Unë, si qytetar i Mitrovicës dhe njeri i rikthyer në besimin e të parëve, e them edhe metaforikisht: jam në besimin e Lekë Dukagjinit! Jo pse e konsideroj Kanunin libër të shenjtë, por sepse nuk pranoj që historia dhe identiteti im të nëpërkëmben nga predikues që kombin përpiqen ta identifikojnë përmes fesë.
Shqiptaria nuk është pronë e ndonjë minberi, as bashkësi e kufizuar vetëm në një përkatësi fetare. As afërsia emocionale me ndonjë udhëheqës fetar apo politik, përfshirë Erdoganin, nuk e zëvendëson identitetin kombëtar.
Mulla Fatmir, një këshillë e fundit: mos u lodh duke i rënë tavolinës dhe duke kërkuar zjarr për Kanunin. Historia nuk frikësohet nga zhurma e predikuesit, as trashëgimia e një populli nuk digjet me urdhër nga minberi.
I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit që deklarimet e plota të shqyrtohen në kontekstin e tyre dhe të vlerësohet nëse përmbajnë elemente të nxitjes së urrejtjes apo përçarjes ndërfetare.
Lekë Dukagjini nuk është Dreqi, Kanuni nuk është dru për zjarr dhe shqiptaria nuk është pronë e Mulla Fatmirit të Shipolit!
Shih videon:

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu