Është e dhimbshme dhe njëkohësisht e turpshme që njerëzit të cilët një jetë të tërë ia kushtuan punës, ndërtimit të shoqërisë dhe krijimit të mirëqenies së këtij vendi, në pleqëri të përballen me varfëri, përjashtim dhe padrejtësi institucionale.
Mbi 100 mijë pensionistë, sipas të dhënave të ngritura në këtë debat, jetojnë me nga 150 euro në muaj. Kjo nuk është thjesht çështje e një pensioni të ulët. Është çështje e dinjitetit njerëzor, e barazisë qytetare dhe e përgjegjësisë së shtetit ndaj njerëzve që kanë kontribuar gjatë jetës së tyre.
Një ligj diskriminues, i trashëguar nga koha e ish-Jugosllavisë, vazhdon të prodhojë pasoja të rënda. Është paradoksale që, ndonëse kanë kaluar kaq shumë vite nga çlirimi i Kosovës, një pjesë e qytetarëve tanë vazhdon të përballet me pasojat e politikave përjashtuese të së kaluarës.
Por edhe më shqetësues është fakti se institucionet tona nuk po arrijnë ta zgjidhin këtë padrejtësi. Pensionistët sorollaten nga një zyrë në tjetrën, ankesat e tyre mbeten nëpër sirtarë, ndërsa gjykatat shndërrohen në stacione të pritjes së pafundme. Ka raste kur as dokumentacioni i tyre nuk gjendet në departamentet përgjegjëse. E si mund të flitet për shtet të së drejtës kur qytetarit i thuhet se dosja e tij nuk ekziston?
A nuk është kjo një formë tjetër e përjashtimit institucional?
Nuk mjafton të flasim për shtetin ligjor, për të drejtat e njeriut dhe për barazinë qytetare, nëse mijëra pensionistë detyrohen të kalojnë vitet e fundit të jetës në varfëri, duke kërkuar drejtësi nëpër korridoret e institucioneve dhe gjykatave.
Për ironi, ata që dikur ndërtuan këtë shoqëri, sot duhet të presin me vite që shteti t’ua njohë të drejtat. Ndërkohë, mosha, sëmundjet dhe mungesa e mjeteve financiare nuk presin vendimet gjyqësore. Çdo ditë e humbur për këta njerëz është një ditë më shumë vuajtjeje.
Në këtë histori të padrejtësisë ka edhe një përgjegjësi tjetër: heshtja e shoqatave të pensionistëve. Përfaqësimi nuk është titull, as privilegj dhe as funksion formal. Është detyrim për të mbrojtur interesat e atyre që të kanë besuar. Kur mijëra pensionistë përballen me një padrejtësi të tillë, heshtja e atyre që pretendojnë se i përfaqësojnë bëhet e pakuptimtë dhe e pajustifikueshme.
Kosova nuk mund të pretendojë se ka ndërtuar një shoqëri të drejtë, përderisa një pjesë e pensionistëve trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Nuk mund të krenohemi me institucionet tona, nëse ato nuk janë në gjendje t’ua garantojnë dinjitetin njerëzve që sot kanë më shumë nevojë për mbështetje.
Pensionistët nuk kërkojnë lëmoshë. Ata kërkojnë drejtësi. Nuk kërkojnë privilegje, por njohjen e të drejtave të tyre.
Dhe shteti që nuk kujdeset për ata që e kanë ndërtuar, duhet ta pyesë veten se çfarë kuptimi ka drejtësia për të.
Mjer ai që, pas një jete të tërë pune e sakrifice, në pleqëri detyrohet të zgjedhë mes bukës, ilaçeve dhe dinjitetit!



