Dëgjova një video të gazetarit Berat Buzhala, të prezantuar si «analist global». Por, sinqerisht, analiza e tij për katolikët e Kosovës nuk më bindi as si analizë lokale.
Me një ton të përvajshëm, duke iu referuar statistikave të viteve të kaluara, ai profetizonte «zhdukjen» e katolikëve të Kosovës. M’u kujtuan disa analiza të vjetra të Bozhoviqit e Stanishiqit, të cilët fatin e shqiptarëve dhe të besimeve të tyre e shihnin gjithnjë përmes statistikave që u përshtateshin parashikimeve.
Por, zoti Buzhala, duket se ju ka shpëtuar një zhvillim i rëndësishëm: rikthimi i dhjetëra mijëra shqiptarëve në Kosovë në besimin e të parëve, sipas njohurive dhe vlerësimeve që qarkullojnë, është një realitet që nuk mund të shpërfillet. Dhe ky proces nuk kufizohet vetëm brenda Kosovës. Ai po shtrihet edhe në diasporën shqiptare, në Gjermani, Zvicër, Suedi e vende të tjera të Evropës, si dhe në Amerikë e Kanada. Pagëzimet dhe rikthimet e bashkatdhetarëve në vendet ku jetojnë dëshmojnë për një zhvillim që meriton vëmendje. Prandaj, statistikat e vjetra nuk mund të përdoren si profeci për të ardhmen. Statistikat nuk janë gurë varri; ato ndryshojnë bashkë me shoqërinë.
Dhe, një pyetje hipotetike për Berat katolikun: mos vallë keni ndonjë mik ndër misionarët e islamit politik, i cili mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë jo vetëm numrin e shqiptarëve të rikthyer në besimin e të parëve, por edhe përmasat e këtij ndryshimi te shqiptarët që deri dje deklaroheshin si besimtarë myslimanë?

Ndoshta këtu qëndron edhe dilema ime: a po fliste Berati apo Ferati? Në letër një identitet, në përmbajtje një tjetër. Megjithatë, as emri, as mbiemri dhe as përkatësia fetare nuk ia përcaktojnë askujt shqiptarinë.
Një tjetër «zbulim» i analistit ishte se edhe presidentja e zgjedhur e Kosovës qenka katolike, duke e paraqitur këtë si një të dhënë të veçantë, krahas përqindjes së komunitetit katolik. Por, cili ishte mesazhi? Se përkatësia fetare e një presidenteje qenka lajm më i rëndësishëm se përgjegjësia e saj institucionale?
Unë jam njëri ndër shqiptarët që i janë rikthyer besimit të të parëve. Nuk pretendoj të bëhem më katolik se Papa, as nuk më bën përshtypje se kush është më entuziast në deklarimin e përkatësisë fetare. Për mua, para së gjithash, rëndësi ka të jemi shqiptarë, me dinjitet, me respekt për njëri-tjetrin dhe me të drejta të barabarta, pavarësisht nëse besojmë ndryshe.
Në Kosovën demokratike dhe laike, secili është i lirë të zgjedhë dhe të deklarojë përkatësinë e vet fetare e kombëtare, sipas ndërgjegjes. Por askush nuk ka të drejtë ta kthejë fenë në instrument për matjen, ndarjen apo relativizimin e shqiptarisë.
Berati apo Ferati, pavarësisht se ku e kanë qendrën editoriale dhe ku e ushqejnë mendimin e tyre, nuk mund të bëhen më arabë se arabët, as më turq se turqit. Identiteti nuk është kostum që ndërrohet sipas audiencës, e aq më pak dëshmi që duhet t’ua vërtetosh të tjerëve.
Në këtë klimë publike, ndonjëherë njeriu vërtet nuk e di më kush është kush. Por, në fund të fundit, nuk është detyrë e askujt të kontrollojë se kush është më shumë mysliman, katolik apo ortodoks. Detyrë e shoqërisë është të dijë kush respekton shtetin, kush e mbron qytetarinë dhe kush e vë interesin kombëtar mbi kalkulimet e ngushta.
E, meqë jetojmë në kohë dinamike, duket se kemi prodhuar edhe analistë shumëfunksionalë: ditën biznesmenë, oligarkë e punëtorë gurthyesish, natën publicistë dhe analistë globalë. Një angazhim vërtet rraskapitës, sidomos kur duhet të parashikosh edhe zhdukjen e atyre që ndërkohë po rikthehen!
Po e mbyll me një sentencë të Ferit Lamës, e cila, në këtë rast, tingëllon më aktuale se shumë analiza:
«Që nga kohët rron e thëna:
qengji i butë i thith dy nëna,
por tani, me të rënë egoiste,
gjithë kopenë!»
Duket se disa nuk kënaqen më me dy nëna; duan ta kenë nën kontroll edhe kopenë.
Por historia ka treguar se as identiteti, as ndërgjegjja dhe as e drejta për t’u rikthyer te rrënjët nuk përcaktohen nga analistët. Ato i takojnë individit dhe popullit të vet.


