Është e tmerrshme të shohësh se si, gjatë një mbledhjeje në Kuvendin e Kosovës, ndërpritet apo pezullohet puna dhe pjesëmarrësit heshtin për shkak të ezanit që dëgjohet nga një xhami aty pranë.
Të shohësh kryesuesin e komisionit, Burim Ramadanin, profesoreshën Eliza Hoxha, Arjeta Fejzën, Besa Kabashin, Adnan Rrustemin e të tjerë, të nënshtrohen kësaj praktike, është zhgënjyese.
Respekti për besimin fetar është e drejtë individuale, por nuk mund të shndërrohet në detyrim institucional dhe as të imponohet mbi funksionimin e institucioneve shtetërore.
Ezani dëgjohet pesë herë në ditë nga dhjetëra xhami në Prishtinë e qindra të tjera në Kosovë. A duhet që institucionet e shtetit të ndërpresin punën sa herë që thirret ezani?
Unë e kuptoj qëndrimin e atyre që përfaqësojnë islamin politik, por nuk mund ta kuptoj nënshtrimin e njerëzve me tituj akademikë dhe të atyre që pretendojnë se mbrojnë shtetin laik.
Kosova është shtet laik, jo institucion fetar! Askush nuk ka të drejtë ta shndërrojë besimin e vet në rregull të detyrueshëm për institucionet publike.
Ajo që më zhgënjen më së shumti është se këtë nënshtrim e pashë pikërisht te përfaqësues të Vetëvendosjes, një lëvizjes që udhëhiqet nga Albin Kurti, i cili shpesh është paraqitur si kundërshtar i politikës fetare.
Shteti laik nuk kërkon heshtje para ezanit. Kërkon respekt për të gjitha besimet, por mbi të gjitha kërkon që institucionet të funksionojnë sipas Kushtetutës, jo sipas ritualeve fetare.



