Vrasja makabër e Arlinda Zekës është një tragjedi e rëndë që kërkon hetim të gjithanshëm, drejtësi dhe përgjegjësi institucionale. Por dhimbja dhe zemërimi publik nuk duhet të shndërrohen në fushatë euforike shkarkimesh apo kapital politik. Përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe zinxhirit real të përgjegjësisë, jo përmes sakrifikimit të zyrtarëve për të qetësuar opinionin.

As patriarkati, as matriarkati nuk duhet të përcaktojnë marrëdhëniet shoqërore. Koha e epërsisë gjinore ka kaluar. Në një republikë demokratike e laike, burri dhe gruaja janë të barabartë para ligjit, me të drejta dhe përgjegjësi të ndërsjella, në familje dhe në shoqëri.
Një episod në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku një asamblist kërkon leje për të shkuar në xhuma, ndërsa kryesuesi i përgjigjet: „Po çka kam unë të bëj me xhuma?”, e riktheu në debat një çështje me rëndësi institucionale. Liria e besimit është e drejtë individuale, por nuk përbën privilegj automatik ndaj detyrimeve të funksionit publik. Kjo dukuri nuk kufizohet vetëm në kuvende komunale. Ajo është vërejtur edhe në shkolla gjatë ditës së premte, përkatësisht të xhumasë, ndërsa janë përmendur raste sporadike edhe në polici, FSK dhe shëndetësi.

Këtu na vjen ndër mend fjala e urtë popullore: „Hiq një kashtë se dalin gjashtë!”. Një praktikë e veçantë, nëse shndërrohet në precedent administrativ, mund të hapë rrugë për kërkesa të tjera dhe të vërë në pikëpyetje parimin e trajtimit të barabartë.

Edhe gjuha është pjesë e kësaj çështjeje. Nuk është e parëndësishme se si ndërtohet narracioni publik dhe si depërton zhargoni fetar oriental në komunikimin institucional, duke zënë hapësirën e terminologjisë shqipe. Gjuha zyrtare dhe institucionet publike duhet ta ruajnë karakterin e tyre shqiptar, pa cenuar lirinë e besimit.

Kosova është republikë demokratike, laike dhe evropiane. Ajo nuk duhet të importojë modele ku bindja fetare përcakton funksionimin e shtetit. Besimi është çështje e ndërgjegjes individuale, ndërsa shteti është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve.

Në Republikën tonë nuk duhet të ketë as epërsi patriarkale, as matriarkale, as privilegje fetare. Duhet të ketë barazi qytetare, ligj, përgjegjësi institucionale dhe dinjitet të gjuhës shqipe.



