SHKATËRRIMI I KATEDRALEVE DHE KISHAVE, NDËRTIMI I XHAMIVE NË VEND TË TYRE GJATË KOHËS SË “PUSHTIMIT TË RREPTË” (SHEK. XV–XVI)
____
1. Elbasani: Sipas burimeve historike, katedralja e hershme e Skampinit i kushtohej Shën Pjetrit Apostull. Kjo nuk është thjesht një hamendësim: artikulli arkeologjik i Ylli Cerovës, «Castrum Skampis», përmend dy letra të vitit 519, ku flitet për pritjen e të dërguarit të Papës Hormisdas nga klerikët e qytetit, në katedralen e Shën Pjetrit. Kjo është një e dhënë me rëndësi, që tregon se, të paktën në fillim të shekullit VI, Skampini kishte një katedrale kushtuar Shën Pjetrit. Katedralja përmendet në dokumente historike, por vendndodhja dhe mbetjet e saj nuk janë identifikuar përfundimisht nga pikëpamja arkeologjike. Bashkia e Elbasanit e lidh atë me truallin ku ndodhet sot Xhamia Mbret.
2. Prizreni: Katedralja e Shën Mërisë, e njohur si Bogorodica Ljeviška, u shndërrua në xhami pas pushtimit osman. Pas vitit 1455, kur Prizreni ra nën sundimin osman, kisha u kthye në xhami, e njohur si Xhamia e Xhumasë (Cuma Camii). Data e saktë e këtij shndërrimi mbetet e diskutueshme. Në vitin 1912, ajo iu rikthye funksionit të kishës.
3. Prishtina: Në Prishtinë, në vitin 1461, me urdhër të Mehmetit II Fatihu, u ndërtua Xhamia e Mbretit. Ndërkaq, kisha famullitare e Shën Prendës (kishë paleokristiane e shekullit VI) u shndërrua në xhami nga osmanët në vitin 1447.
4. Shkupi: Xhamia e Sulltan Muratit II në Shkup u ndërtua në vitet 1436–1437. Sipas një hipoteze të përmendur në literaturën historike, ajo është ngritur në vendin e një manastiri mesjetar kushtuar Shën Gjergjit.
5. Lynkesti – Heraklea (Manastir): Pushtimi osman kishte nisur që në vitet 1382–1383, ndërsa viti 1385 përdoret gjerësisht si datimi i përfshirjes së qëndrueshme të Manastirit në Perandorinë Osmane, nën Muratin I.
Menjëherë pas pushtimit të plotë u ngritën xhami, ndër të cilat, të paktën që në vitin 1438, Xhamia e Ishak Beut, ndërsa më vonë ajo e Isak Çelebiut (1506).
Në një studim arkeologjik të botuar më 2022, ku analizohen gërmimet e zhvilluara në zonën e xhamisë gjatë viteve 2003–2021, arrihet në përfundimin se gjetjet përfshijnë:
«Katër faza bazilikash ose kishash të periudhave të ndryshme mesjetare. Mbetje të një ndërtese të krishterë që daton në shekujt VI–X. Gjurmë të një kishe tjetër mesjetare dhe varre të lidhura me nekropolin e saj. Mbi themelet e një xhamie të hershme (ndoshta Xhamia e Ishak Beut), ose në vendin e saj, u ngrit Yeni Xhamia».
Këto të dhëna dëshmojnë se të dyja xhamitë, të ndërtuara njëra pas tjetrës, u ngritën mbi themelet e kishës mesjetare dhe varrezave të saj.
6. Ohri: Xhamia e Haxhi Turgutit (Xhamia e Kryqit) daton në vitin 1466. Ajo është një tjetër objekt i periudhës së hershme osmane. Emri alternativ lidhet me një kryq të vogël mbi kurorën e minares. Pra, sipas citimit nga Enciklopedia e Maqedonisë, Xhamia e Haxhi Turgutit daton në vitin 1466 dhe është ngritur mbi themelet e kishës së Shën Nedelës.
7. Kruja: Në Krujë u shembën tri kisha (dy katolike dhe një ortodokse-bizantine), ndërsa në vend të njërës prej tyre, kishës katolike të Shën Ndreut, u ndërtua xhamia me emrin «Fatihu». Këtë e dëshmon edhe drejtori i Muzeut, studiuesi Mehdi Hafizi, kur shprehet:
“…Brenda Kalasë së Krujës kanë ekzistuar 3 kisha, dy katolike e një ortodokse. Në afërsi të kullës së Sahatit janë rrënojat e Kishës së Shën Ndreut, e ndërtuar në shek. XV. Përballë hyrjes së Muzeut është një mbeturinë minareje e Xhamisë së Fatihut të sulltan Mehmetit Fatihu (Pushtuesit), e ndërtuar në themelet e një kishe katolike në vitin 1480, pas rënies së Krujës. Kisha bizantine ishte e ndërtuar në pjesën jug-perëndimore të kalasë në shek. XII. Pas shkatërrimit të saj nga turqit, në shek. XVIII edhe këtu u ndërtua një teqe”.
8. Shkodra: Ka shumë relacione të dokumentuara që dëshmojnë shkatërrimin dhe djegien e bazilikave, katedrales dhe kishave.
“Në këtë qytet banojnë turq, të cilët, pasi e rrethuan rreptas me ushtri të madhe (1479), e mujtën dhe e shtinë në dorë. Të gjitha kishat që gjendeshin në atë qytet i dhunuen e i profanuen në mënyrë sakrilegje. Në Shkodër gjindej Katedralja e kushtueme Shën Shtjefnit protomartir. Atë kishë turqit e kthyen në xhami dhe nuk lejojnë që asnjë katolik të banojë në atë qytet. Edhe ipeshkëvi, në këto kushte, e kryen misionin jashtë qytetit, në Manastirin e Shejtënve Martirë: Shën Sergjit e Shën Bakut të Urdhnit të Shën Benediktit, dikur i bashkuem me Kishën Katedrale”.
Po ashtu, në Shirokë, pranë Shkodrës, Kisha e Shën Maria Magdalenës ishte kthyer në xhami rreth viteve 1649–1651.
“Ndërkaq turqit, si e shtinë në dorë Shkodrën, kët qytet në za (të dëgjuar) e të pastër e flliqën me ndyesinat barbare. Zyrtarët turq vendosën ndejen e vet në pallatin e Pretorit dhe në atë të Ipeshkvit. Kishën Katedrale (të Shën Shtjefnit) e shndërruen në xhami” dhe e dhunuen me bestytni të mbrapshta.
Katedralja e Shën Shtjefnit, si institucion, u zhvendos në Barbullush. Ndër kishat më të vogla dallohej ajo e Françeskanëve. Orenditë dhe sendet e prarueme të kësaj kishe qenë çue në Kotorr, ndërsa të tjerat u shkatërruen apo u vunë në përdorime profane. Turqit lanë aty vetëm ndonjë gjurmë të fesë së krishterë.
9. Lezha: Kisha katedrale e Shën Kollit, në Varosh, në vitin 1502, pas largimit të Venedikut dhe pushtimit osman të vitit 1478, u përshtat si xhami.
Famullitë dhe kishat në Lezhë i jepnin jetë dhe e bënin këtë dioqezë mjaft të përmendur, si para, ashtu edhe pas pushtimit osman.
“Dikur në atë qytet gjindeshin 5 kisha: katedralja e përmendun e Shën Kollit, të cilën turqit e kthyen në xhami; Kisha e Shën Gjergjit, në za për ndërtesë të bame me art të mrekullueshëm, por që tash është gati krejt e rrenueme; Kisha e tretë e Shën Sebastianit, si dhe dy të tjera të Virgjinës Mari: Zojës së Borës, që përdoret prej turqve si depo armësh; tjetra e Zojës Nunciatë”.
10. Drishti: Në Drisht u shkatërruan objektet e kultit të krishterë dhe objekte të tjera. Xhamia e “Fatihut” u ndërtua në vend të kishës katedrale të qendrës mesjetare të Drishtit, e cila njihej si seli ipeshkvore që prej shekullit VIII.
11. Berati: Mbi bazilikën paleokristiane u ndërtua Xhamia Mbret në kohën e Sulltan Bajazitit II (në fund të shekullit XV).
Një dëshmi me rëndësi për historinë e hershme të krishterimit në Berat u zbulua gjatë punimeve të restaurimit të Xhamisë Mbret në vitin 2018. Gjatë hapjes së një kanali kullues pranë anës jugore të monumentit, arkeologët zbuluan një fragment mozaiku shumëngjyrësh, një varr dhe gjurmë të tjera arkeologjike. Mozaiku, i realizuar me teknikën opus tessellatum, përmban motive gjeometrike dhe një fragment mbishkrimi në greqishten bizantine.
Sipas këtij studimi të arkeologëve Berbis Islami dhe Klejdi Zguro, karakteristikat e mozaikut përkojnë me motive të njohura në bazilikat e hershme të krishtera, të datuara në shekujt V–VI. Ky zbulim përbën një tregues të rëndësishëm të pranisë së një ndërtese të krishterë të antikitetit të vonë në vendin ku ndodhet sot Xhamia Mbret.
12. Durrësi: Durrësi u pushtua nga turqit osmanë në vitin 1501, çka solli shkatërrimin e përgjithshëm të qytetit dhe, veçanërisht, humbjen e rolit të tij si qendër metropolitane kishtare.
Në kushtet e reformës administrative osmane, kur u krijuan vilajetet, Durrësi u shua si kryeqendër, ndërsa në aspektin e strukturës kishtare u dëmtua rëndë, duke filluar me shembjen e Kishës Metropolitane, mbi të cilën u ndërtua një xhami. Pas kësaj kohe, kur Durrësi humbi mundësinë për të qenë metropol, mbeti thjesht një dioqezë.
“Bazilika e famshme në Durrës, në vitin 1501, pas largimit të Venedikut, u përshtat dhe u bë Xhamia e Fatihut nga turqit”.
Kështu, “mbas njíqind e mâ vjetësh që e mbajshin në dorë venedikasit kët qytet, e forcuem mâ së miri, në vjetin 1501 kjenë shtrengue t’ia lëshojnë sundimit t’eger të turqve, të cilët e mbajnë nën thunder të vet gjithnjí, zdeshë pasunísh, me shpia të këqija, me popull të paksuem, humbë krejtsisht madhnínë e çdo shkëlqim e mirëmbajtje të maparshme”.
13. Tivari: Pas pushtimit osman në vitin 1571, dioqeza e Tivarit u përball me vështirësi të mëdha. Shumë kisha u shkatërruan ose u kthyen në përdorime të tjera, kleri u shpërnda dhe organizimi kishtar u dobësua. Megjithatë, ajo arriti të mbijetojë dhe të vazhdojë aktivitetin e saj, duke ruajtur besimin katolik ndër popullsinë vendase.
“…Tivari, sipas Stefano Gasparit, ka Kishën Katedrale të Shën Gjergjit, tani të kthyer në xhami, dhe pasuritë e saj të paluajtshme janë të uzurpuara”.
14. Ulqini: Në Ulqin, kishat dhe tempujt u shkatërruan. Kisha katedrale u përlye me ceremoni të ndyra dhe u shndërrua në një vend kulti turk; nuk mbeti asnjë gjurmë e fesë së krishterë në qytet. Kështu mori fund emërimi i peshkopëve të Ulqinit. Peshkopët më të afërt, pasi e ndanë atë dioqezë mes tyre, u jepnin njohuritë bazë të katekizmit dhe u administronin sakramentet të krishterëve të paktë e të shpërndarë, që kishin mbetur nëpër fusha e katunde.
Faktin e zëvendësimit të Kishës Katedrale me një xhami e hasim edhe në ditët tona, brenda mureve të Kështjellës së Ulqinit, ku Xhamia e Halil Skurës (Xhamia Mbretërore) u ndërtua në vitin 1575 në vend të Kishës së Shën Mërisë (e cila më parë quhej Kisha e Shën Markut). Pas rënies së kalasë nga duart e Venedikut në ato të osmanëve, u ndërtua xhamia dhe u vendosën brenda kalasë edhe kolonë nga Azia, të cilët përbënin administratën dhe gardën e qytetit.
***
Si #përfundim, mund të themi se rastet e trajtuara në qytetet dhe qendrat më të mëdha të trevave të brendshme shqiptare, si dhe në qendrat bregdetare të Adriatikut, tregojnë ndryshimet e rëndësishme që pësuan hapësirat e krishtera gjatë shekujve XV–XVI.
Shkatërrimi i objekteve të kultit të krishterë, ndryshimi i funksionit të disa ndërtesave (katedraleve dhe manastireve), zëvendësimi i tyre me objekte të kultit islam dhe dobësimi i institucioneve kishtare, me synim deri në zhdukjen e tyre (shuarjen e krishterimit në Arbëri), përbëjnë aspekte të rëndësishme të historisë së pushtimit osman.
Material i shkëputur nga libri im, që pritet të botohet së shpejti:
KRISHTËRIMI DHE SHQIPTARËT
Tiranë, më 1 nëntor 2026


