Prof. Prend Buzhala, 75 vjet jetë dhe krijimtari në shërbim të letërsisë, kulturës dhe traditës shqiptare

Shkrime relevante

Prof. Prend Buzhala, 75 vjet jetë dhe krijimtari në shërbim të letërsisë, kulturës dhe traditës shqiptare

Lekë Mirijaj, Klinë (Këndvështrim analitik, kritiko-letrar dhe jubilar me rastin e 75-vjetorit...

Sarvnaz Çitsaz: Çfarë zbulojnë dokumentet historike të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit?

I nderuar zotëri/zonjë, A mund të vlerësohet saktë veprimtaria e sotme e...

Shpërndaj

Lekë Mirijaj, Klinë

(Këndvështrim analitik, kritiko-letrar dhe jubilar me rastin e 75-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Prend Buzhala)

Shkrimtarin e mirënjohur shqiptar, prof. Prend Buzhala, e njoh prej shumë dekadash. E njoh si njeri të letrave, si intelektual, si krijues dhe si personalitet të përkushtuar ndaj kulturës shqiptare. Mirëpo, përtej kësaj njohjeje shumëvjeçare, do të thosha se e njoh edhe më thellësisht përmes krijimtarisë së tij shumëdimensionale: poetike, prozaike, analitike, eseistike, studimore, publicistike, gazetareske, kritiko-letrare dhe shkencore. Kjo krijimtari, përgjatë viteve, ka ndërtuar një univers të gjerë mendimi, përjetimi, interpretimi dhe komunikimi me lexuesin shqiptar. Pikërisht kjo njohje e dyfishtë, njerëzore dhe krijuese, më jep sot një arsye të veçantë që, me rastin e 75-vjetorit të lindjes së tij, t’i rikthehem me respekt, vëmendje dhe përgjegjësi intelektuale figurës dhe veprës së njërit prej krijuesve më të përkushtuar të letërsisë sonë bashkëkohore.

Ndaj edhe nuk është hera e parë që shkruaj për prof. Prend Buzhalën. Përkundrazi, gjatë viteve kam pasur rastin të merrem me një varg veprash të tij, të shkruaj recensione, reflektime, vështrime analitike dhe vlerësime kritiko-letrare, duke u përpjekur të depërtoj në përmbajtjen, strukturën, filozofinë dhe mesazhin e tyre. Secili libër i lexuar më ka ofruar një mundësi të re për ta njohur autorin, jo vetëm nëpërmjet temave që trajton, por edhe përmes mënyrës se si ai mendon, argumenton, ndërton figurën artistike, interpreton dokumentin historik dhe komunikon me botën shpirtërore të njeriut. Në këtë kuptim, marrëdhënia ime me krijimtarinë e prof. Buzhalës nuk është kufizuar në një vlerësim të rastësishëm, as në një përshëndetje ceremoniale me rastin e botimeve të tij, por është zhvilluar si një dialog i vazhdueshëm letrar dhe intelektual, i mbështetur në leximin, analizën dhe respektin ndaj fjalës së shkruar.

  1. Individualiteti krijues dhe gjurmët e një vepre dhe larmia e shkrimeve

Sot, në 75-vjetorin e lindjes së Prend Buzhalës, e shoh të arsyeshme që këto lexime dhe reflektime, të shpërndara ndër vite, t’i bashkoj në një vështrim më të përgjithshëm, për të nxjerrë në pah disa nga tiparet që, sipas këndvështrimit tim, e karakterizojnë individualitetin e tij krijues. Një shkrimtar nuk mund të vlerësohet vetëm përmes numrit të librave që ka botuar, as përmes çmimeve, mirënjohjeve apo pjesëmarrjeve në jetën kulturore. Vlera e tij qëndron, para së gjithash, në atë që arrin të ndërtojë me veprën e vet, në ndikimin që ushtron te lexuesi, në çështjet që ngre dhe në gjurmët që lë në ndërgjegjen kulturore të bashkësisë së cilës i përket.

Prof. Prend Buzhala, i lindur më 1 nëntor 1951, në Çabiq të Klinës, i përket brezit të krijuesve të shquar shqiptarë që formimin e tyre intelektual dhe krijues e zhvilluan në rrethana historike, politike dhe shoqërore jo gjithmonë të favorshme për lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Kjo përvojë historike, së bashku me angazhimin e tij në arsim, kulturë dhe letërsi, përbën një sfond të rëndësishëm për ta kuptuar zhvillimin e tij krijues. Mirëpo, do të ishte e pamjaftueshme që vepra e tij të shpjegohej vetëm nëpërmjet rrethanave biografike. Buzhala, përmes një pune të gjatë dhe këmbëngulëse, ka arritur ta shndërrojë përvojën jetësore në përvojë letrare, kujtesën historike në objekt interpretimi dhe realitetin njerëzor në burim të vazhdueshëm reflektimi.

Në leximet e mia të mëhershme kam vërejtur se krijimtaria e tij mbështetet mbi disa shtylla të qëndrueshme: përkushtimin ndaj njeriut dhe dinjitetit të tij, shqetësimin për fatin historik të shqiptarëve, kërkimin e kuptimit filozofik të ekzistencës, vlerësimin e trashëgimisë kulturore dhe besimin në fuqinë e letërsisë për ta ruajtur kujtesën. Këto përmasa nuk shfaqen gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Në poezi marrin trajtën e meditimit dhe të figurës artistike; në prozë shfaqen përmes rrëfimit dhe konfliktit njerëzor; në kritikën letrare, përmes interpretimit të tekstit; në eseistikë, përmes argumentimit dhe mendimit refleksiv; ndërsa në studimet monografike e dokumentare, përmes dëshmisë, burimit dhe analizës historike.

Kjo larmi shprehëse është një nga arsyet përse krijimtaria e Prend Buzhalës nuk mund të përmblidhet në një përkufizim të vetëm. Ai nuk është vetëm poet, megjithëse poezia përbën një pjesë të rëndësishme të botës së tij krijuese. Nuk është vetëm prozator, megjithëse proza i ka mundësuar të ndërtojë realitete dhe përvoja njerëzore në forma të tjera narrative. Nuk është vetëm kritik letrar, ndonëse në këtë fushë ka zhvilluar një veprimtari veçanërisht të gjerë. Ai është një krijues që lëviz ndërmjet zhanreve, duke kërkuar në secilin prej tyre mundësi të ndryshme për të shprehur mendimin dhe për të interpretuar jetën.

  1. Margaritarët e urtisë poetike: poezia si përvojë mendimi dhe qëndrese

Në shkrimin tim analitik Margaritarët e urtisë poetike, kushtuar vëllimit Thuaj ditë e mirë është sot, botuar në vitin 2020, pata rastin të ndalem më gjerësisht në përmasën filozofike dhe etike të poezisë së tij. Që atëherë, gjatë leximit, kisha vërejtur se Buzhala nuk e përdor vargun vetëm për të përshkruar një gjendje emocionale, por edhe për ta shndërruar atë në një përvojë mendimi. Në atë vëllim, poeti i qaset jetës me të gjitha kundërthëniet e saj, duke e vendosur njeriun përballë humbjes, shpresës, vuajtjes, qëndresës dhe mundësisë së ripërtëritjes shpirtërore. Tri njësitë poetike të librit, Sa herë humb në jetë shënoje si fitore, Kryeradhë vargjesh dhe Emri midis rrezeve dhe reve, krijojnë një tërësi në të cilën mendimi poetik zhvillohet nëpërmjet figurës, paradoksit dhe meditimit. Ajo që më kishte tërhequr veçanërisht në këtë vepër ishte mënyra se si poeti e konceptonte humbjen, jo domosdoshmërisht si fund të përpjekjes njerëzore, por si mundësi për njohje dhe ngritje të brendshme. Formulimi Sa herë humb në jetë shënoje si fitore mbart një paradoks poetik që kërkon interpretim. Në kuptimin e zakonshëm, humbja dhe fitorja janë dy gjendje të kundërta. Mirëpo, në horizontin filozofik të poezisë, ato  shndërrohen në dy përvoja që plotësojnë njëra-tjetrën. Njeriu  humb në rrafshin e jashtëm, por do të fitojë në rrafshin e ndërgjegjes, të njohjes dhe të pjekurisë shpirtërore. Pikërisht në këtë zhvendosje kuptimore kam parë një nga vlerat e poezisë së Buzhalës: aftësinë për ta nxitur lexuesin të mendojë përtej kuptimit të parë të fjalës. Po kështu, gjatë atij leximi kam vërejtur se optimizmi poetik i Buzhalës nuk duhet kuptuar si shmangie nga realiteti apo si mohim i dhimbjes njerëzore. Përkundrazi, ai shfaqet si përpjekje për ta pohuar jetën edhe përballë vështirësive të saj. Poezia bëhet kështu  formë e qëndresës shpirtërore, një hapësirë ku njeriu kërkon ta ruajë dinjitetin, besimin dhe aftësinë për të vazhduar përpara. Kjo përmasë e afron krijimtarinë e tij me traditën e poezisë meditative, ku fjala artistike nuk synon vetëm të krijojë bukuri, por edhe të hapë horizonte të reja kuptimi.

  1. Leximi si akt krijues: kritika, interpretimi dhe ndërmjetësimi kulturor

Në një tjetër reflektim timin, “Personalitete që jetojnë përtej kohëve”, kushtuar veprës “Krijuesi në tejkohë”, vëllimi IX i serisë “Në aktin e leximit”, jam përpjekur ta shqyrtoj një dimension tjetër të krijimtarisë së Buzhalës: marrëdhënien ndërmjet personalitetit krijues, kohës historike dhe kujtesës kulturore. që zë vendin kryesor në këtë vepër, përmban një problem të rëndësishëm filozofik dhe estetik. Njeriu jeton brenda një kohe të caktuar, por vepra e tij  vazhdon të komunikojë edhe pasi ajo kohë ka kaluar. Kështu, personalitetet kulturore nuk mbeten vetëm figura të historisë, por bëhen pjesë e një dialogu të vazhdueshëm ndërmjet brezave. Në këtë vepër, Buzhala u rikthehet personaliteteve të ndryshme të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare, duke kërkuar të zbulojë jo vetëm rëndësinë e tyre në kohën kur kanë jetuar, por edhe kuptimin që vepra dhe veprimtaria e tyre vazhdojnë të kenë për lexuesin bashkëkohor. Nga Gjon Buzuku e deri te figura të tjera të rëndësishme të kulturës sonë, ai përpiqet të ndërtojë një hapësirë interpretimi ku historia dhe letërsia nuk qëndrojnë të ndara, por ndriçojnë njëra-tjetrën. Në vlerësimin tim, kjo formë e të lexuarit këndvështrohet si një veçori e rëndësishme e kritikës së tij letrare. Prof. Buzhala nuk kufizohet gjithmonë në analizën e strukturës së tekstit, të figuracionit apo të mjeteve shprehëse. Ai kërkon ta zbulojë përqasjen e veprës me botën njerëzore, me rrethanat historike dhe me vlerat kulturore që ajo mbart. Prandaj, kritika e tij merr trajtën e një eseje interpretuese, ku analiza letrare ndërthuret me reflektimin filozofik, historik dhe etik. Kjo metodë ka edhe sfidat e veta. Kalimi nga analiza tekstuale tek interpretimi kulturor kërkon kujdes, në mënyrë që vlera estetike e veprës të mos mbetet në plan të dytë përballë rëndësisë historike apo etike të autorit. Megjithatë, pikërisht kjo ndërthurje e disiplinave përbën një nga tiparet dalluese të punës së Buzhalës dhe një nga arsyet që më kanë nxitur t’i rikthehem veprës së tij në leximet e mia. Në këtë vijimësi duhet parë edhe projekti i tij shumëvëllimësh “Në aktin e leximit”. Për mua, ky projekt është dëshmi e një përkushtimi të gjatë ndaj leximit si veprimtari krijuese dhe intelektuale, përtej kufijve të një përmbledhjeje recensionësh apo vështrimesh letrare

Leximi, në këtë rast, përbën një marrëdhënie aktive ndërmjet veprës dhe interpretuesit, ku marrja e informacionit ndërthuret me përvetësimin, interpretimin dhe zbulimin e shtresave të reja të kuptimit. Kritiku hyn në dialog me autorin, e shqyrton tekstin nga këndvështrime të ndryshme, kërkon të zbulojë shtresat e kuptimit dhe, nëpërmjet interpretimit, i ofron lexuesit mundësi të reja për ta kuptuar veprën. Në  kohën tonë, kur botimet letrare janë të shumta, ndërsa vëmendja e kritikës së specializuar jo gjithmonë arrin t’i ndjekë ato, një veprimtari e tillë e realizon edhe funksionin e ndërmjetësimit kulturor. Përmes shkrimeve kritike, Buzhala ka ndihmuar që vepra dhe autorë të ndryshëm të bëhen pjesë e komunikimit publik letrar. Ky është një kontribut që nuk matet vetëm me vlerësimet e dhëna, por edhe me nxitjen e debatit, me dokumentimin e jetës letrare dhe me krijimin e një kujtese të shkruar për zhvillimet kulturore të kohës. Një përmasë tjetër që kam pasur rastin ta vlerësoj në shkrimet e mia, është përkushtimi i Buzhalës ndaj monografisë dhe publicistikës dokumentare. Në këtë drejtim, veprat me tematikë humanitare dhe tereziane zënë një vend të veçantë.

  1. Fryma tereziane e solidaritetit: një trashëgimi e humanizmit dhe e dinjitetit njerëzor

Te libri “Fryma dhe rezistenca tereziane e humanizmit”, i shkruar në bashkautorësi me Mikel Gojanin, kam parë një përpjekje për të dokumentuar një periudhë të rëndësishme të solidaritetit shqiptar, veçanërisht përmes veprimtarisë së Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” në Klinë. Në këtë lloj krijimtarie, fjala e shkruar shndërrohet nga instrument përshkrimi në mjet të ruajtjes së dëshmive, të kujtesës dhe të përvojës kolektive. Për mua, humanizmi terezian përfaqëson një nga shprehjet më të ndritshme të dashurisë vepruese ndaj njeriut, një etikë që nuk mjaftohet me shpalljen e parimeve, por kërkon mishërimin e tyre në jetën e përditshme. Pikërisht për këtë arsye, trajtimi i kësaj trashëgimie nga Buzhala dhe bashkëpunëtorët e tij ka rëndësi jo vetëm dokumentare, por edhe morale e kulturoreAi na kujton se historia e një populli ndërtohet përmes ngjarjeve politike dhe ushtarake, si dhe përmes veprave të solidaritetit, sakrificave të njerëzve të zakonshëm dhe përpjekjeve për ta ruajtur dinjitetin njerëzor në kohë të vështira..

Në të njëjtin horizont e kam parë edhe librin monografik “Pjetër Gjoni në shtigjet jetësore e tereziane”, për promovimin e të cilit kam shkruar më herët. Në këtë vepër, siç kam vënë në dukje, rrëfimi biografik ndërthuret me dokumentin, dëshminë, kronikën, intervistën dhe materialin fotografik. Kjo ndërthurje krijon atë strukturë ku jeta e individit ndërlidhet me veprimtarinë e një bashkësie dhe me rrethanat historike, në të cilat ajo është zhvilluar. Këtu shoh një veçori të rëndësishme të metodës së Buzhalës: përpjekjen për ta ruajtur zërin e dëshmitarit, pa e përjashtuar interpretimin e autorit. Dokumenti dhe rrëfimi nuk janë e njëjta gjë, por, kur përdoren me kujdes, ato  e plotësojnë njëri-tjetrin. Dokumenti i jep rrëfimit mbështetje faktike, ndërsa interpretimi e vendos dëshminë në një horizont më të gjerë kuptimor. Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme në veprat që trajtojnë historinë e afërt,  për shkak se kujtesa individuale dhe ajo kolektive  ndërthuren në trajta të ndërlikuara.

Përkushtimin e tij ndaj kujtesës kulturore e kam vërejtur edhe në monografinë “E bukura ka vetëm një emër”, kushtuar krijuesit Osman R. Gashi. Vepra të tilla kanë rëndësi të veçantë për jetën kulturore të Klinës dhe më gjerë, sepse ndihmojnë në dokumentimin e krijuesve, të institucioneve, të veprimtarive dhe të marrëdhënieve që kanë ndërtuar historinë e kulturës vendore. Një qytet e ruan identitetin e vet përmes ndërtesave, rrugëve e monumenteve, si dhe përmes kujtesës së njerëzve që kanë krijuar, menduar dhe vepruar në të. Në këtë kuptim, Buzhala ka ditur ta gërshetojë hapësirën e vendlindjes me horizontin e përgjithshëm të kulturës shqiptare. Klina, në veprat e tij dokumentare dhe kulturore, shndërrohet në një hapësirë me domethënie historike, shpirtërore dhe kulturore. Ajo shfaqet si hapësirë kujtese, si mjedis krijimtarie dhe si pjesë e pandashme e zhvillimeve të përgjithshme kombëtare. Kjo lidhje ndërmjet së përveçmes vendore dhe së përgjithshmes kombëtare më duket veçanërisht e rëndësishme, sepse historia e kulturës shqiptare nuk mund të kuptohet plotësisht pa historitë e qyteteve, të bashkësive dhe të individëve që e kanë ndërtuar atë.

  1. Nga tragjikja e idealizmit te kuptimi i përvojës njerëzore: një vizion krijues

Një nga veprat e fundit të Buzhalës, për të cilën kam shkruar më gjerësisht, është “Tragjiku i idealizmit shqiptar – Fjala e shkruar e Anton Harapit”, vëllimi I. Në recensionin tim, të paraqitur më 26 shkurt 2026, me rastin e promovimit të librit dhe përkujtimit të 80-vjetorit të martirizimit të At Anton Harapit, jam përpjekur ta analizoj strukturën tripjesëshe të kësaj vepre si një metodologji të mirëfilltë interpretimi. Në atë vështrim kam theksuar se libri nuk duhet lexuar thjesht si një paraqitje biografike e At Harapit, por si një përpjekje për të shqyrtuar marrëdhënien ndërmjet idealizmit, mendimit, krijimtarisë dhe fatit historik të intelektualit shqiptar. Struktura e veprës, e ndërtuar rreth tragjikes së idealizmit, poetikës së kontemplacionit dhe mendimit pedagogjik, etik e publik, krijon mundësi për një lexim të ndërthurur historik, letrar dhe filozofik. Ajo që më ka tërhequr në këtë libër është përpjekja për ta zhvendosur interpretimin nga gjykimi i përshpejtuar drejt argumentimit, nga paragjykimi drejt analizës dhe nga etiketa ideologjike drejt shqyrtimit të burimit dhe të tekstit. Figura historike e At Anton Harapit kërkon një qasje të kujdesshme, sepse ajo lidhet me rrethana të ndërlikuara politike dhe historike, të cilat nuk mund të shpjegohen nëpërmjet formulimeve të thjeshtëzuara. Prandaj, studimi i mendimit dhe i veprës së tij duhet të mbështetet në dallimin ndërmjet vlerës letrare, idealit personal, qëndrimit publik dhe përgjegjësisë historike. Në këtë pikë, vepra e Buzhalës përfaqëson një ftesë për një diskutim më të gjerë shkencor. Një studim i tillë fiton peshë kur burimet ballafaqohen, interpretimet argumentohen dhe kundërthëniet nuk shmangen. Pikërisht për këtë arsye, në recensionin tim e kam vlerësuar strukturën analitike të librit, duke e parë atë si një përpjekje për ta vendosur mendimin e At Harapit në një kontekst më të gjerë historik dhe kulturor. Kur i vendos pranë njëra-tjetrës këto vepra, nga poezia meditative te kritika letrare, nga monografia dokumentare te studimi mbi historinë e ideve, më bëhet gjithnjë e më e qartë se krijimtaria e Buzhalës përshkohet nga një shqetësim i përbashkët: kërkimi i kuptimit të përvojës njerëzore.

Ky kërkim herë merr trajtën e pyetjes filozofike, herë të meditimit poetik, herë të analizës së një vepre letrare dhe herë të dokumentimit të një ngjarjeje historike. Përmes kësaj krijimtarie, shpaloset një vizion humanist për njeriun, jetën e tij shpirtërore dhe lidhjet me kohën, kujtesën, kulturën dhe përgjegjësinë morale. Kjo është edhe arsyeja përse, sipas mendimit tim, krijimtaria e Buzhalës duhet të studiohet si një tërësi organike dhe jo vetëm si një varg botimesh të veçuara. Sigurisht, secili zhanër kërkon kriteret e veta të vlerësimit. Poezia duhet shqyrtuar në raport me gjuhën, figurën, ritmin dhe strukturën estetike; proza, në raport me rrëfimin, personazhin dhe ndërtimin artistik; kritika letrare, në raport me metodën, argumentimin dhe interpretimin; ndërsa studimi historik e dokumentar, në raport me burimet, saktësinë dhe qëndrueshmërinë e përfundimeve. Mirëpo, përtej këtyre dallimeve, ekziston një vijë mendimi që i lidh veprat me njëra-tjetrën.

  1. Përtej kohës: Prend Buzhala dhe dialogu i përhershëm i veprës me brezat

Në këtë përvjetor nuk do të dëshiroja që vlerësimi im të kuptohej vetëm si një përmbledhje lëvdatash. Respekti për një krijues, sipas bindjes sime, shprehet më së miri kur vepra e tij lexohet seriozisht, kur trajtohet me argumente dhe kur vendoset në një dialog të hapur kritik. Për Prend Buzhalën, një vlerësim i plotë përfshin evidentimin e arritjeve dhe studimin e zhvillimit të tij krijues, të ndryshimeve stilistike, të prirjeve tematike dhe të marrëdhënies së veprës së tij me letërsinë bashkëkohore shqipe. Një projekt i tillë studimor do të duhej të përfshinte bibliografinë e plotë të botimeve, analizën e zhanreve, shqyrtimin e veprave përfaqësuese dhe krahasimin e tyre me zhvillimet e përgjithshme letrare. Do të ishte me interes të studiohej edhe ndikimi i veprimtarisë së tij si kritik, redaktor dhe recensues në komunikimin ndërmjet krijuesve shqiptarë, si dhe roli i tij në dokumentimin e jetës kulturore të Kosovës.

Marrëdhënia ime me prof. Prend Buzhalën ka edhe një përmasë tjetër, të cilën nuk do të dëshiroja ta lija pa përmendur. Përveç faktit se kam shkruar për veprat e tij, edhe ai ka pasur rastin t’i qaset krijimtarisë sime përmes leximit dhe interpretimit kritik. Në janar të vitit 2024, Buzhala botoi një reflektim mbi poezinë time Dëshmi brezash, duke u ndalur te simbolika e dritës, te trashëgimia shpirtërore dhe te marrëdhënia e njeriut me brezat që vijnë. Këtë e përmend jo për ta zhvendosur vëmendjen nga jubileu i tij, por për të dëshmuar një të vërtetë që e konsideroj të rëndësishme: letërsia jeton përmes komunikimit. Një krijues lexon tjetrin, një vepër nxit një interpretim, një interpretim hap një pyetje të re dhe kështu ndërtohet një marrëdhënie që e pasuron jetën kulturoreNë këtë kuptim, dialogu letrar përbën një formë të përgjegjësisë së përbashkët ndaj fjalës së shkruar, duke ndërthurur shkëmbimin e vlerësimeve me interpretimin dhe pasurimin e mendimit letrar. Duke e njohur Prend Buzhalën prej shumë dekadash dhe duke iu rikthyer vazhdimisht krijimtarisë së tij, kam krijuar bindjen se një nga tiparet më domethënëse të personalitetit të tij intelektual është këmbëngulja për të mos e ndërprerë komunikimin me librin. Kjo këmbëngulje shpreh një disiplinë krijuese të qëndrueshme dhe një përkushtim të thellë ndaj veprës letrare. Ajo shpreh një mënyrë jetese, një marrëdhënie të vazhdueshme me dijen, me kulturën dhe me përgjegjësinë për ta lënë të shkruar atë që koha rrezikon ta mbulojë me harresë. Në këtë drejtim, shkrimtari nuk është vetëm ai që krijon një tekst të ri. Ai ruan dëshmitë, interpreton veprat e të tjerëve, ndihmon në afirmimin e autorëve dhe merr pjesë në ndërtimin e kujtesës kulturore. Pikërisht në këtë shumësi rolesh e shoh Prend Buzhalën: si krijues, si interpretues, si studiues, si dokumentues dhe si ndërmjetësues të vlerave letrare. Në 75-vjetorin e lindjes së tij, pra, sot, më 1 nëntor 2026, mendoj se kemi arsye të ndalemi jo vetëm te vitet që kanë kaluar, por edhe te përmbajtja me të cilën ato janë mbushur. Shtatëdhjetë e pesë vjet jetë përbëjnë një rrugëtim të gjatë njerëzor, ndërsa dekadat e krijimtarisë përfaqësojnë një pasuri përvoje, mendimi dhe pune që meriton të lexohet, të dokumentohet dhe të studiohet.

Nga këndvështrimi im, Prend Buzhala përfaqëson një model të intelektualit që nuk e ka kufizuar veprimtarinë e tij brenda një fushe të vetme, por ka kërkuar vazhdimisht të ndërtojë ura ndërmjet letërsisë dhe historisë, ndërmjet krijimtarisë dhe kritikës, ndërmjet kujtesës dhe interpretimit, ndërmjet vendlindjes dhe hapësirës së përgjithshme kulturore shqiptare. Vlerësimi im në këtë jubile mbështetet në njohjen tonë shumëdekadëshe, në respektin njerëzor që kam për të, si dhe në leximet, analizat, recensionet dhe reflektimet që kam shkruar për veprat e tij në periudha të ndryshme. Është një vlerësim që ka marrë formë gradualisht, libër pas libri, tekst pas teksti, duke u pasuruar me secilën përvojë të re leximi. Në fund të fundit, krijuesit nuk i japin kuptim kohës vetëm përmes pranisë së tyre fizike, por edhe përmes asaj që arrijnë të lënë në ndërgjegjen e lexuesit. Një libër   botohet në një vit të caktuar, por jeta e tij nuk përfundon me datën e botimit. Ai vazhdon të jetojë sa herë lexohet, interpretohet, diskutohet dhe bëhet pjesë e përvojës së një brezi tjetër. Kjo është edhe arsyeja përse besoj se krijimtaria e Prend Buzhalës duhet parë në marrëdhënie me kohën, por jo e kufizuar vetëm prej saj. Në veprat e tij, e kaluara bëhet objekt kujtese, e tashmja hapësirë reflektimi, ndërsa e ardhmja horizont komunikimi me lexuesin e brezave që do të vijnë.

  1. Kur vepra e tejkalon jetën: Prend Buzhala dhe trashëgimia e fjalës

Dhe krejt në fund, nëse do të më duhej ta përmblidhja me një mendim të vetëm gjithë këtë përvojë shumëvjeçare njohjeje dhe leximi, do të thosha se Prend Buzhala i përket atij tipi krijuesish që nuk mjaftohen vetëm me shkrimin e librave, por përpiqen që, përmes tyre, të ndërtojnë një kujtesë të qëndrueshme kulturore, një dialog të hapur intelektual dhe një dëshmi të përgjegjësisë së njeriut ndaj kohës së vet. Në këtë 75-vjetor të lindjes, shkrimtarit, poetit, prozatorit, eseistit, kritikut letrar, studiuesit dhe publicistit Prend Buzhala i shpreh urimet e mia më të përzemërta për shëndet, jetë të gjatë, mbarësi dhe vazhdimësi krijuese. Uroj që pena e tij të vazhdojë të mbetet e gjallë dhe prodhimtare, që mendimi i tij të vazhdojë të nxisë diskutime të frytshme dhe që vepra e tij të gjejë gjithnjë lexues të rinj, të cilët do ta shqyrtojnë, do ta interpretojnë dhe do ta çojnë më tej dialogun që ai ka ndërtuar me letërsinë dhe kulturën shqiptare. Vitet shënojnë moshën e njeriut, ndërsa vepra dëshmon përmasën e tij në kohë. Dhe kur fjala e shkruar arrin të mbijetojë përtej çastit të krijimit, atëherë ajo bëhet pjesë e kujtesës së një populli.

Urime 75-vjetori i lindjes, i nderuar profesor Prend Buzhala!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu