Përgjigje ndaj Milazim Krasniqit
Milazim Krasniqi,
Më vjen mirë që ke filluar ta përdorësh inteligjencën artificiale dhe chatbot-ët e saj. Është hap i dobishëm. Por le ta themi qartë që në fillim: AI është mjet. Pianoja është mjet. Jo secili që prek tastet bëhet Mozart. ChatGPT është mjet — dallimi është kush di ta përdorë dhe me çfarë qëllimi.
Ti thua se “Inteligjenca Artificiale konstatoi se ishte i tërë me të pavërteta, me ekzagjerime, me spekulime, me shtrembërime… prandaj nuk u mora me të, sepse ishte i pavlerë për diskutim”. Kjo nuk është argument. Është shmangie. AI nuk është gjykatës i fundit i së vërtetës. Ajo është instrument që varet nga të dhënat me të cilat është trajnuar dhe nga mënyra se si e ushqen. Nëse e përdor me ideologji të sëmurë, do të nxjerrë tinguj të sëmurë. Nëse e përdor si mjet të ndershëm, mund të të ndihmojë të korrigjosh gabimet. Prandaj, Milazim, mësohu ta përdorësh si mjet. Jam i sigurt se nëse nuk ke mision dhe ideologji të sëmurë, edhe ti do të nxjerrësh tinguj të mirë, këshilla dhe analiza në funksion të kombit e vendit — e jo të përhapësh një ideologji të sëmurë. Sëmundjen nuk duhet ta përhapësh. Duhet ta shërosh.
Është e vërtetë se feja ka qenë (dhe është) një funksion i rëndësishëm. Por, siç ka thënë profesori Kadri Kryeziu, feja (islami që ti propagandon) ka dalë prej shtratit të vet. Të kujtoj se edhe zorra e qorre — apendiksi — është funksion në organizmin e njeriut. Por kur apendiksi inflamohet, duhet hequr. Nëse nuk hiqet, krijon infeksion të rëndë dhe mund të shkaktojë sepsis vdekjeprurës. Ti po kontribuon çdo ditë që inflamacioni i fesë të rritet. Dhe kështu po e rrezikon të gjithë shoqërinë.

Sa i përket cilësimit tënd në shkrimin tënd se unë jam “i pavlerë”, nuk kam hatër. Sepse edhe unë të cilësoj sharlatan. Le t’i analizojmë të dy gjykimet.
Njeriu me vlerë është ai që, kur sheh se kombi, vendi dhe familja e tij rrezikohen, nuk hesht dhe nuk rri duarkryq, pa marrë parasysh sulmet, demonizimet, shpifjet e sharlatanëve e injorantëve. Pra, njeriu me vlerë është ai që di të bëjë gjënë e drejtë edhe kur nuk ka askush që ta shohë; që mban fjalën; që merr përgjegjësi për veprimet e veta; dhe që u shton vlerë njerëzve e shoqërisë përreth tij. Këtë po bëj unë.
Sharlatani është personi që shtiret sikur ka dije, aftësi, autoritet ose kompetencë që në të vërtetë nuk i ka, dhe i përdor këto pretendime për të mashtruar ose për të përfituar nga të tjerët. Pikërisht këtë po bën ti tani.
Tani kthehem te ajo që kam thënë dhe e mbroj atë që kam thënë.
Për Vestfalinë: unë nuk kam thënë se para vitit 1648 nuk ekzistonin mbretëri apo shtete. Kam thënë se Evropa nuk funksiononte ende sipas modelit të shtetit territorial-sovran në kuptimin modern. Kjo është një dallim themelor. Vestfalia nuk i krijoi shtetet nga hiçi; ajo lidhet me konsolidimin e një rendi të ri të sovranitetit territorial. Prandaj argumenti im mbetet i vlefshëm: fakti që Arbërit jetonin në principata, zotërime dhe formacione të ndryshme politike nuk do të thotë se u zhdukën si bashkësi historike. Përkundrazi, burimet mesjetare dokumentojnë Arbërit/Arbanitai dhe Arbanonin, ndërsa më vonë vazhdon zhvillimi i emërtimeve Arbër/Arbën dhe Shqiptar. Shteti modern dhe kombi modern nuk janë e njëjta gjë me ekzistencën historike të një bashkësie gjuhësore e kulturore. Kombi shqiptar ka vazhdimësi historike edhe në shtetin modern. Këtë dallim duhet ta bëjë çdo debat serioz mbi historinë shqiptare.
Për “Kanunin e Lirisë”: nuk e kam paraqitur si kod juridik historik. Është metaforë. Kanunet konkrete shqiptare janë të dokumentuara si forma të ndryshme të së drejtës zakonore; literatura albanologjike dhe antropologjike njeh Kanunin e Lekë Dukagjinit, Kanunin e Skënderbeut dhe Kanunin e Labërisë. “Kanuni i Lirisë” është emërtimi im metaforik për traditën e vetëorganizimit, autonomisë dhe rezistencës që këto tradita zakonore simbolizojnë në kujtesën historike shqiptare.
Sa i përket pjesës tjetër të reagimit tënd: ti vazhdon të ndash dhe të përçash “ne” dhe “ata”. Gjithmonë u kujton katolikëve se janë “pakicë” dhe se “shumica” janë myslimanët. Ku e ke mësuar se brenda një familjeje dhe brenda një kombi ekziston “pakicë” apo “shumicë”? A është ky misioni yt?

Këto janë teza antinjerëzore të “Vëllazërisë Myslimane”, tashmë të ndaluar edhe në Egjit, aty ku është themeluar në vitin 1928, që tashmë e ka selinë në Turqinë neoosmane dhe shpërndanë helme edhe në pjesët e ndryshme të Gadishullit Ilirik, aty ku jetojnë Shqiptarët.
Ti Milazim do të duhej ta dije se “Vëllazëria Myslimane”, është frymëzuesja e Al Kaedas, organizatës më terroriste islamike në botë.
Ti vazhdon me propagandën se çdo e mirë vjen nga “myslimanët shqiptarë” dhe se e keqja e tradhtia vjen nga “katolikët shqiptarë”. Pastaj përdor lidhësen “ama” në vend të “mirëpo”. “Ama” me origjinë arabe, e ardhur përmes turqishtes. Ti, Milazim, për gënjeshtrat e mia (të Basri Bekës), pa i definuar ato, po harron se po flet si predikues fetar më shumë se si gazetar apo dashamirës i kombit.
Kombi shqiptar nuk ndahet në “shumicë” dhe “pakicë” fetare. Ai qëndron mbi gjuhën, kulturën, historinë dhe vetëdijen e përbashkët. Dhe këtë nuk e ndryshon as AI-ja që ke konsultuar, as narrativa që po përpiqesh të ndërtosh.




