Nga Frank Shkreli
Në jubileun e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (4 Korrik, 2026), shqiptarët kanë arsye të veçantë për t’iu bashkuar këtij kremtimi. Pak kombe në Evropën Juglindore kanë pasur një lidhje kaq të hershme dhe kaq domethënëse me Amerikën, se sa shqiptarët. Këtë e dëshmojnë edhe tri prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare dhe të shtetformimit shqiptar: Fan Noli, Gjergj Fishta dhe Faik Konica.
Megjithëse të ndryshëm në temperament, formim dhe stil, ata ndanin një bindje të përbashkët se, Amerika përfaqësonte lirinë, demokracinë dhe shpresën për kombet e vogla që kërkonin të zinin vendin e tyre të merituar në Evropë dhe në botë. Në historinë moderne shqiptare, pak figura e kanë kuptuar dhe vlerësuar rëndësinë e Amerikës për kombin shqiptar aq thellë sa Fan Noli, Gjergj Fishta dhe Faiuk Konica. Ndonëse vinin nga tradita të ndryshme fetare e kulturore, këta e panë Amerikën si vendin ku liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor mund të shndërroheshin në një forcë për mbrojtjen e kombeve të vogla.
FAN NOLI: Amerika si atdheu i lirisë — Për Fan Nolin, Amerika ishte më shumë se vendi ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij. Për të ishte vendi ku ai gjeti hapësirën për të zhvilluar talentin e tij si klerik, intelektual, shkrimtar, diplomat dhe burrë shteti. Frank SHKRELI/ Fan Noli, diplomati që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare | Gazeta Telegraf. Për Nolin, Amerika nuk ishte vetëm vendi ku mbërriti si emigrant në vitin 1906, por toka ku ai ndërtoi veprën e tij më të madhe kombëtare. Në Boston ai u bë udhëheqës shpirtëror, publicist, organizator i diasporës dhe një nga themeluesit e lëvizjes shqiptaro-amerikane, duke e kthyer komunitetin shqiptar në një faktor me ndikim në mbrojtjen e çështjes kombëtare. Frank Shkreli: Fan Noli bashkon shqiptarët në Nju Jork, pa dallim krahine a feje | Gazeta Telegraf Në Amerikë ai ndërtoi institucionet e para të rëndësishme të diasporës shqiptare, Federatën Pan-Shqiptare Vatra dhe organin e saj gazetën Dielli. Themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe së bashku me bashkëpunëtorët e tij, e ktheu komunitetin shqiptaro-amerikan në një forcë të rëndësishme në mbrojtje të çështjes kombëtare. Noli e admironte Amerikën për demokracinë e saj dhe për mundësinë që i jepte individit të lirë të realizonte, plotësisht, potencialin e vet. Për Nolin, Amerika ishte prova se liria politike dhe përparimi shoqëror mund të ecin së bashku. Atëherë cila do ishte porosia e Fan Nolit për shqiptarët, sidomos ata që protestojnë në rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe më gjërë, sot në 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me ndihmën e (ai) si asistues redaksional, dhe bazuar në të dhënat nga jeta dhe veprimtaria e tyre, besoj se po të ishte gjallë mund t’i drejtohej sot rinisë dhe shqiptarëve kudo, me këto fjalë: Shqiptarë! Amerika që feston sot 250 vjetorin e saj nuk është thjesht një fuqi e madhe. Ajo është dëshmi se liria, kur bashkohet me arsimin, punën dhe besimin në demokracinë e vërtetë, mund të bëjë mrekulli. Mos e matni madhështinë e një kombi me ndërtesat e tij të larta, por me mundësitë që u jep qytetarëve të vet. Mos e matni lirinë me fjalët e kushtetutës, por me guximin për ta mbrojtur atë çdo ditë. Shqiptarët kanë dhënë shumë për Amerikën dhe Amerika ka bërë shumë për shqiptarët. Por miqësia e vërtetë nuk mbahet vetëm me mirënjohje; mbahet duke ndjekur shembullin më të mirë që miku të jep. Arsimi, drejtësia dhe qytetaria janë, tri shtyllat mbi të cilat ndërtohet e ardhmja. Pa to, patriotizmi mbetet vetëm një këngë — me to, bëhet vepër. Bekuar qoftë çdo shqiptar që punon me ndershmëri dhe çdo komb që e vë lirinë në shërbim të njeriut dhe njerëzimit.
GJERGJ FISHTA: Amerika si mbrojtëse e kombeve të vogla – Fishta, nga ana tjetër, e shihte Amerikën si aleatin e madh të lirisë së kombeve. Vizita e tij në Shtetet e Bashkuara më 1922 nuk ishte turistike; ai erdhi për të lobuar për njohjen dhe mbështetjen ndërkombëtare të Shqipërisë, duke u takuar me drejtues të diasporës shqiptare dhe me personalitete amerikane. Në korrespondencën e kohës me bashkatdhetarët e tij, Fishta e konsideronte Amerikën një fuqi vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Ai e shikonte Amerikën me respekt të veçantë për rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të kombeve. Në vitet e vështira pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ai e konsideronte mbështetjen amerikane si jetike për mbijetesën e shtetit të ri shqiptar. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në vendin e vet | Gazeta Telegraf — Gjatë asaj vizite në Shtetet e Bashkuara në vitin 1922, Fishta ishte mahnitur nga energjia krijuese e shoqërisë amerikane dhe nga suksesi i bashkatdhetarëve të tij në tokën e re. Ai pa tek Amerika një model të fuqisë që ndërtohet mbi lirinë dhe përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen qytetare. Në korrespondencën e kohës, Fishta e konsideronte Amerikën një fuqi vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Po cili do ishte mesazhi i Gjergj Fishtës në 250-vjetorin e Amerikës drejtuar shqiptarëve në përgjithsi dhe në veçanti, rinisë në protesta kundër regjimit aktual dhe mbarë Kombit shqiptar sot: O shqiptarë! Mos e shikoni Amerikën vetëm për madhësinë e saj, por për shpirtin që e ngriti. Një popull bëhet i fortë duke dashur atdheun, kur nderon punën, mban besën dhe respekton ligjin. Kemi kënduar shumë për trimat e djeshëm, por tash është koha të nxjerrim trimat e dijes, të punës dhe të ndershmërisë. Kombi nuk mbahet gjallë vetëm me kujtime, por me vepra. Mos e humbni kohën duke u përçarë për gjëra të vogla. Armiku më i madh i shqiptarit ka qenë shpesh grindja me shqiptarin. Kur jemi bashkë, bëhemi mur, ndërsa kur ndahemi, bëhemi pluhur. Amerika u bë e madhe sepse qytetarët e saj besuan se atdheu ndërtohet çdo ditë. Liria dhe Demokracia mbrohen cdo ditë, gjithashtu. Edhe Shqipëria do të bëhet ashtu siç e meritojmë ne me punët tona. Ruajeni paqën e bashkimin, gjuhën, nderin dhe dashurinë për atdheun. Por mos harroni se atdheu nuk do vetëm fjalë të bukura; ai kërkon punë, djersë, sakrificë dhe përgjegjësi!
FAIK KONICA: Amerika si model qytetërimi dhe përparimi — Asnjë figurë shqiptare nuk e njohu Amerikën më gjatë dhe më nga afër se Faik Konica. Si drejtues i gazetës Dielli, si bashkëthemelues i Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe më vonë si diplomat i Shqipërisë në Washington, ai jetoi për dekada në zemër të jetës politike e intelektuale amerikane. Konica admironte kulturën politike amerikane, funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektin për ligjin. Ai mendonte se shqiptarët kishin shumë për të mësuar nga Amerika, jo vetëm në fushën e lirisë dhe demokracisë, por edhe në kulturën dhe etikën e e punës, përgjegjësisë publike dhe qytetarisë. Për Konicën, Amerika nuk ishte thjesht një aleate e Shqipërisë; ajo ishte një model zhvillimi dhe modernizimi. Frank Shkreli: Faik Konica: Përfaqsues moral i Shqipërisë në Washington, vepër e autorit Ilir Ikonomit.

Gjergj Fishta, Faik Konica dhe Fan Noli
Në frymën dhe stilin polemizues të Faik Konicës, por pa pretenduar se janë vërtetë, fjalët e tij — ashtu si edhe për mesaxhet e Nolit e Fishtës, më lartë – ja edhe porosia që do u drejtonte ai sot shqiptarëve, po të ishte gjallë, natyrisht, në stilin e vet, me rastin e 250-vjetorit të Amerikës: Shqiptarë! Sot Amerika kremton 250-vjet vjet nga lindja e saj si republikë e lirë. Një çerek mijëvjeçari nuk është pak për një komb që u ngrit mbi një ide të thjeshtë, por të fuqishme: se të gjithë njerëyit janë krijuar të barabrtë dhe ligji duhet të jetë mbi njeriun dhe jo njeriu mbi ligjin. Ne shqiptarët kemi admiruar shpesh madhështinë e Amerikës, por admirimi pa mësim është si libri që rri i mbyllur në raft. Nuk mjafton të duartrokasim suksesin e të tjerëve; ne vet, duhet të kuptojmë burimin e tij. Amerika nuk u bë e fortë nga pasuria, por pasuria erdhi sepse u ndërtuan institucione të forta. Nuk u bë e respektuar nga fjalimet, por nga puna. Nuk u ngrit nga lavdërimi i vetvetes, por nga aftësia për të korrigjuar gabimet e saj. Shqiptari ka zemër të madhe, mendje të hollë dhe shpirt të lirë. Por shpesh e humb forcën duke u grindur me shqiptarin tjetër. Energjinë që harxhojmë në ndarje, zili e përçarje, do të duhej ta përdornim për dije, qytetari dhe përparim. Në këtë përvjetor të Amerikës, le të mos shohim vetëm flamurin e saj, por parimet që e mbajnë atë flamur lart e që janë, respektin për ligjin, lirinë e mendimit, dinjitetin e individit dhe përgjegjësinë ndaj së mirës së përbashkët. Një komb nuk bëhet i madh duke kujtuar vetëm lavditë e së kaluarës. Ai bëhet i madh kur krijon lavdi të reja për brezat që vijnë. Prandaj, shqiptarë, mos kërkoni shpëtimtarë. Kërkoni dije. Mos kërkoni privilegje. Kërkoni drejtësi. Mos kërkoni vetëm të jeni krenarë për Shqipërinë; punoni që Shqipëria të jetë krenare për ju, do porosiste Konica.
Dhe atëherë, kur të shohim nga Amerika, nuk do të admirojmë vetëm suksesin e saj, por do të njohim në të një shembull se çfarë mund të bëjë një popull kur liria shoqërohet me përgjegjësi dhe kur patriotizmi shoqërohet me qytetari. Me nderime për Amerikën në 250-vjetorin e saj dhe me shpresë për shqiptarët kudo që janë, do të uronte me këtë rast, nëse do u fliste sot shqiptarëve, Faik Konica.
Fan Noli, Gjergj Fishta dhe Faik Konica u kanë lënë shqiptarëve një trashëgimi të qartë: mirënjohje për Amerikën, besim tek liria dhe përkushtim ndaj vlerave demokratike. Gëzuar 250-vjetorin, Amerikë! Me mirënjohjen e një populli që nuk harron miqtë e tij dhe me respektin e veçantë të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Urime Amerikës në 250-vjetorin e saj — me mirënjohjen që Fan Noli, Gjergj Fishta dhe Faik Konica do ta kishin shprehur me fjalët e tyre — e shqiptarët e shprehin sot — me kujtesën historike dhe miqësinë e qëndrueshme shqiptaro-amerikane. Ma merr mendja se këta 3 kolosë të Kombit shqiptar, po t’i flisnin sot rinisë shqiptare në protesta, do porosisnin së bashku: Më pak krenari boshe, më shumë dije; më pak përçarje, më shumë bashkim; më pak fjalë dhe më shumë punë.


