
Tom Përgjoka
Paul Musollaj është një sportist i dalluar nga Waiblingen. Ai ka lindur më 12 korrik 2010. Që kur ishte shumë i vogël filloi pasioni i tij i madh për Taekwondo.
Pauli ishte vetëm 2 vjeç kur shkoi për herë të parë në stërvitje te klubi Armare Waiblingen. Atëherë shkonte bashkë me babanë dhe vëllain e tij të madh. Kur mbushi 5 vjeç, dha provimin e parë dhe mori brezin e bardhë me të verdhë.

Pauli nuk e ndërpreu asnjëherë stervitjen. Çdo vit ai bënte provime të reja. Në moshën 14-vjeçare arriti diçka shumë të veçantë, mori brezin e zi. Ky është një nder i madh për çdo sportist.
Shumë ndeshje dhe suksese
Pauli ka korrë suksese të shumta nëpër turne të ndryshme. Garën e parë e pati qysh në moshën 5 vjeçare. Që nga ajo kohë ai ka marrë pjesë në mbi 30 turne. Ka qenë në shumë kampionate në Baden-Württemberg, në gjithë Gjermaninë edhe në turne ndërkombëtare. Shpesh ka fituar vendin e parë ose të tretë.
Në vitin 2024 Pauli dëshmoi se ka një karakter të vërtetë luftëtari. Në një turne në Zvicër ndodhi diçka e vështirë. Ai pati një lëndim të rëndë duke e thyer krahun në mes të ndeshjes finale. Megjithatë, Pauli nuk u dorëzua. Ai vazhdoi të luftojë deri në sekondën e fundit dhe me meritë fitoi medaljen e argjendtë.
Edhe në vitin 2025 ishte shumë aktiv. Mori pjesë në Kampionatin Gjerman për të rinj. Edhe pse aty kishte kundërshtarë më të rritur për të ishte një përvojë e rëndësishme. Në dy turne të tjerë të mëdha ai tregoi forcë dhe doli dy herë në vendin e dytë.
Nderimet nga qyteti
Sukseset e njëpasnjëshme të Paulit kanë bërë krenar jo vetëm familjen e tij, por edhe qytetin ku jeton. Për arritjet e tij të mëdha, ai është nderuar 7 herë radhazi nga kryetari i komunës së Waiblingenit. Ky vlerësim është një dëshmi e punës së tij të palodhshme.
Sot Pauli është 15 vjeç. Ai vazhdon të stërvitet çdo ditë për t’u bërë edhe më i mirë në Taekwondo.
Paul, të përgëzojmë për çdo sakrificë dhe sukses të deri tanishëm! Urojmë që rrugëtimi yt në Taekwondo të jetë i mbushur me shëndet, fitore të reja dhe suksese ndërkombëtare.


