(Reagim ndaj shkrimit të Reshat Sahitajt me titull: ” Mos e mashtroni popullin me rrena”!)
Debati mbi figurat e Oso Kukës, Tahir Mehës dhe Adem Jasharit është i ligjshëm dhe i nevojshëm për historinë shqiptare. Mirëpo, ai humb vlerën e tij kur shndërrohet në përpjekje për të zhvlerësuar njërin hero për të lartësuar tjetrin.
Oso Kuka mbetet një nga figurat më të ndritura të shekullit XIX. Qëndresa e tij kundër forcave shumëfish më të mëdha malazeze dhe flijimi i vetëdijshëm në Vraninë janë pjesë e pandashme e kujtesës historike shqiptare. Sakrifica e tij ishte simbol i mbrojtjes së trojeve shqiptare në një kohë kur kombi ende nuk kishte shtetin e vet.
Po aq e rëndësishme është edhe figura e Tahir Mehës. Në majin e vitit 1981, në një kohë kur pushteti jugosllav dukej i pathyeshëm dhe kur rezistenca e armatosur shqiptare ishte pothuajse e paimagjinueshme, ai ngriti flamurin e kundërshtimit të hapur. Qëndresa e Tahir Mehës në Prekaz,nuk ishte vetëm përballje fizike me forcat serbe, por edhe një mesazh politik e kombëtar për brezat që do të vinin.
Megjithatë, krahasimet e Sahitajt që synojnë të minimizojnë rolin e Adem Jasharit jo vetëm që nuk qëndrojnë por ato janë për një analizë më të thellë.
Adem Jashari nuk u bë simbol vetëm për shkak të mënyrës së rënies së tij. Ai u bë simbol sepse për vite me radhë ishte pjesë e organizimit të rezistencës së armatosur, e aksioneve të para të UÇK-së dhe e krijimit të strukturave që më vonë do të shndërroheshin në ushtrinë çlirimtare të Kosovës.
Ata që thonë se Adem Jashari nuk ishte komandant, shpesh e ngatërrojnë gradën formale me funksionin real historik. Në fazën embrionale të UÇK-së, kur nuk ekzistonin struktura klasike ushtarake, Adem Jashari ishte ndër figurat qendrore të organizimit, mobilizimit dhe drejtimit të rezistencës së armatosur. Pikërisht për këtë arsye ai u njoh dhe u pranua nga bashkëluftëtarët dhe nga populli si Komandanti Legjendar.
Dallimi kryesor mes Adem Jasharit dhe figurave të tjera historike nuk qëndron te niveli i trimërisë. Askush nuk mund të vendosë matës për trimërinë e Oso Kukës, Tahir Mehës apo Adem Jasharit. Dallimi qëndron te ndikimi historik që pati veprimi i tyre. Sakrifica e Oso Kukës frymëzoi breza të tërë shqiptarësh. Qëndresa e Tahir Mehës u bë pararendëse e rezistencës së mëvonshme. Ndërsa rënia e Adem Jasharit dhe e familjes së tij u shndërrua në pikën e kthesës që mobilizoi masivisht shqiptarët për luftën çlirimtare dhe e bëri çështjen e Kosovës një çështje ndërkombëtare.
Prandaj është gabim të shtrohet pyetja se kush ishte më i madh. Historia nuk funksionon si garë. Oso Kuka është hero i epokës së mbrojtjes së trojeve shqiptare. Tahir Meha është simbol i mosnënshtrimit në kohën e Jugosllavisë. Adem Jashari është simbol i luftës çlirimtare që çoi në lindjen e shtetit të Kosovës.
Secili prej tyre zë vendin e vet në panteonin kombëtar dhe asnjëri nuk bëhet më i madh duke u zvogëluar tjetrin. Përkundrazi, madhështia e historisë shqiptare qëndron pikërisht te fakti se ajo ka nxjerrë heronj të tillë në periudha të ndryshme, të cilët me gjakun dhe sakrificën e tyre e mbajtën gjallë idealin e lirisë.
Dhe krejt në fund, rëndësia e secilit duhet vlerësuar në kontekstin historik të kohës së vet dhe çdo përpjekje për injorim, mohim, minimizim dhe nënçmim bie në fahun e antishqiptarizmit.



Per mua me i madh eshte Shaban Polluzha se sa Adem jashari.