(Reagim ndaj shkrimit të Reshat Sahitajt me titull: ” Mos e mashtroni popullin me rrena”!)
Debati mbi figurat e Oso Kukës, Tahir Mehës dhe Adem Jasharit është i ligjshëm dhe i nevojshëm për historinë shqiptare. Mirëpo, ai humb vlerën e tij kur shndërrohet në përpjekje për të zhvlerësuar njërin hero për të lartësuar tjetrin.
Oso Kuka mbetet një nga figurat më të ndritura të shekullit XIX. Qëndresa e tij kundër forcave shumëfish më të mëdha malazeze dhe flijimi i vetëdijshëm në Vraninë janë pjesë e pandashme e kujtesës historike shqiptare. Sakrifica e tij ishte simbol i mbrojtjes së trojeve shqiptare në një kohë kur kombi ende nuk kishte shtetin e vet.
Po aq e rëndësishme është edhe figura e Tahir Mehës. Në majin e vitit 1981, në një kohë kur pushteti jugosllav dukej i pathyeshëm dhe kur rezistenca e armatosur shqiptare ishte pothuajse e paimagjinueshme, ai ngriti flamurin e kundërshtimit të hapur. Qëndresa e Tahir Mehës në Prekaz,nuk ishte vetëm përballje fizike me forcat serbe, por edhe një mesazh politik e kombëtar për brezat që do të vinin.
Megjithatë, krahasimet e Sahitajt që synojnë të minimizojnë rolin e Adem Jasharit jo vetëm që nuk qëndrojnë por ato janë për një analizë më të thellë.
Adem Jashari nuk u bë simbol vetëm për shkak të mënyrës së rënies së tij. Ai u bë simbol sepse për vite me radhë ishte pjesë e organizimit të rezistencës së armatosur, e aksioneve të para të UÇK-së dhe e krijimit të strukturave që më vonë do të shndërroheshin në ushtrinë çlirimtare të Kosovës.
Ata që thonë se Adem Jashari nuk ishte komandant, shpesh e ngatërrojnë gradën formale me funksionin real historik. Në fazën embrionale të UÇK-së, kur nuk ekzistonin struktura klasike ushtarake, Adem Jashari ishte ndër figurat qendrore të organizimit, mobilizimit dhe drejtimit të rezistencës së armatosur. Pikërisht për këtë arsye ai u njoh dhe u pranua nga bashkëluftëtarët dhe nga populli si Komandanti Legjendar.
Dallimi kryesor mes Adem Jasharit dhe figurave të tjera historike nuk qëndron te niveli i trimërisë. Askush nuk mund të vendosë matës për trimërinë e Oso Kukës, Tahir Mehës apo Adem Jasharit. Dallimi qëndron te ndikimi historik që pati veprimi i tyre. Sakrifica e Oso Kukës frymëzoi breza të tërë shqiptarësh. Qëndresa e Tahir Mehës u bë pararendëse e rezistencës së mëvonshme. Ndërsa rënia e Adem Jasharit dhe e familjes së tij u shndërrua në pikën e kthesës që mobilizoi masivisht shqiptarët për luftën çlirimtare dhe e bëri çështjen e Kosovës një çështje ndërkombëtare.
Prandaj është gabim të shtrohet pyetja se kush ishte më i madh. Historia nuk funksionon si garë. Oso Kuka është hero i epokës së mbrojtjes së trojeve shqiptare. Tahir Meha është simbol i mosnënshtrimit në kohën e Jugosllavisë. Adem Jashari është simbol i luftës çlirimtare që çoi në lindjen e shtetit të Kosovës.
Secili prej tyre zë vendin e vet në panteonin kombëtar dhe asnjëri nuk bëhet më i madh duke u zvogëluar tjetrin. Përkundrazi, madhështia e historisë shqiptare qëndron pikërisht te fakti se ajo ka nxjerrë heronj të tillë në periudha të ndryshme, të cilët me gjakun dhe sakrificën e tyre e mbajtën gjallë idealin e lirisë.
Dhe krejt në fund, rëndësia e secilit duhet vlerësuar në kontekstin historik të kohës së vet dhe çdo përpjekje për injorim, mohim, minimizim dhe nënçmim bie në fahun e antishqiptarizmit.



Per mua me i madh eshte Shaban Polluzha se sa Adem jashari.
Reagimi i Zeqir Bekollit është i argumentuar, i matur dhe i mbështetur në një parim të rëndësishëm historiografik: heronjtë nuk maten duke i vënë në garë me njëri-tjetrin, por duke i vlerësuar në kontekstin e kohës dhe rolit që kanë luajtur.
Një vlerë e veçantë e këtij reagimi është se autori shmang gjuhën polemizuese dhe përqendrohet te faktet historike. Ai e vendos Oso Kukën, Tahir Mehën dhe Adem Jasharin në periudhat e tyre përkatëse, duke treguar se secili prej tyre përfaqëson një hallkë të rëndësishme të qëndresës shqiptare: Oso Kuka mbrojtjen e trojeve, Tahir Meha sfidimin e pushtimit dhe Adem Jashari kulmimin e luftës çlirimtare të Kosovës.
Veçanërisht bindës është argumenti se madhështia e Adem Jasharit nuk qëndron vetëm te rënia heroike, por edhe te roli i tij në organizimin dhe mobilizimin e rezistencës së armatosur. Po ashtu, autori me të drejtë thekson se termi “Komandant Legjendar” nuk buron domosdoshmërisht nga grada formale ushtarake, por nga autoriteti moral, historik dhe kombëtar që fitoi në vetëdijen e popullit.
Pjesa më e fortë e shkrimit mbetet përfundimi se historia shqiptare pasurohet nga figura të tilla dhe se përpjekjet për të ngritur një hero duke ulur tjetrin nuk i shërbejnë as së vërtetës historike dhe as kulturës sonë kombëtare. Në këtë kuptim, reagimi i Bekollit është një thirrje për maturi, respekt dhe vlerësim të drejtë të figurave që kanë sakrifikuar për lirinë e kombit.