Shqiptar Shaljani: “Po përballem me atë që unë e përjetoj si shënjestrim, intimidim, sharje dhe ofendime, në rrugë dhe sidomos në hapësirat publike të internetit”

Shkrime relevante

Loti yt na vuri përpara ndërgjegjës, o vëlla me uniformë

Luan - Asllan Dibrani, Gjermani Reflektim mbi dhimbjen e një polici, përçarjen...

Nga anashkalimi te etiketimi si “fraksion”

Nga Osman Osmani HISTORIA NUK ËSHTË PRONË – PJESA IV Nga anashkalimi te...

Shpërndaj

PËRNDJEKJET E TË RIKTHYERVE NUK KANË BRIRË ?
Po e shkruaj këtë si qytetar, por edhe për miqtë e mi, që ta dinë në çfarë rrethanash po përpiqem të jetoj dhe të flas në vendin tim.
Jam rikthyer në besimin e të parëve. E kam bërë publikisht, sikurse publikisht e kam bërë edhe emrin tim dhe idenë time për një kishë katolike në Shalë të Bajgorës.
Nuk i kam kërkuar askujt të besojë si unë. Nuk i kam imponuar askujt asgjë. Kam kërkuar vetëm të drejtën time për të qenë i lirë në bindjen time.
Por ajo që po përjetoj nuk është dukuri e ditëve të fundit. Ka qenë e pranishme gjatë gjithë kësaj periudhe, ndërsa kohët e fundit është shpeshtuar dhe dendësuar.
Po përballem me atë që unë e përjetoj si shënjestrim, intimidim, sharje dhe ofendime, në rrugë dhe sidomos në hapësirat publike të internetit.
Dhe këtu lind pyetja:
Ku është shteti kur qytetari ndihet i pambrojtur?
Ndonjëherë duket sikur shërbimet përgjegjëse i kanë vënë “veshët në lesh”. Ndoshta jo. Ndoshta thjesht nuk kanë dëgjuar ende.
Edhe një “selam alejkum” nga një pjesëtar i policisë, në rrethanat kur bindja ime e re dhe identiteti im publik janë të njohura, mund të jetë vetëm një përshëndetje.
Por qytetari ka të drejtë të pyesë edhe për kontekstin.
Unë kam shkruar publikisht për disa trende ideologjike që i konsideroj të dëmshme. Kam shprehur bindjet e mia dhe kam kritikuar ide, jo të drejtën e askujt për të besuar ndryshe.
Prandaj kam edhe një bindje tjetër: se disa prej zhvillimeve që po përjetoj mund të kenë karakter intimidues dhe mund të synojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, ta zbehin zërin tim publik.
Mund të jem gabim.
Pikërisht për këtë ekzistojnë institucionet, gjykatat dhe mjetet juridike.
Por një gjë duhet të jetë e qartë: unë nuk do ta shkëmbej të drejtën time për të folur me heshtje.
Nuk do t’u përgjigjem sharjeve me sharje, as urrejtjes me urrejtje.
Por as nuk do të pranoj që kritika ime ndaj ideve të interpretohet si humbje e të drejtave të mia si qytetar.
Kërkoj të njëjtin standard për të gjithë.
Nëse institucionet vendore nuk reagojnë ndaj asaj që unë e përjetoj si shënjestrim dhe intimidim, do t’u drejtohem institucioneve dhe mekanizmave juridikë kompetentë. Nëse rrugët juridike vendore nuk sjellin mbrojtjen që kërkon ligji, do ta shqyrtoj edhe ndjekjen e çështjes në mekanizmat ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, përfshirë rrugën e Strasburgut, nëse plotësohen kushtet juridike për një kërkesë të tillë.
Po ashtu, nëse e shoh të nevojshme, do t’i vë në dijeni edhe ambasadorët e vendeve të Quint-it, jo për t’u kërkuar të zëvendësojnë institucionet e Kosovës, por për t’i informuar për situatën dhe për të kërkuar vëmendje ndaj sigurisë dhe të drejtave të një qytetari.
Sepse unë nuk kërkoj privilegj.
Kërkoj mbrojtjen që ligji ua garanton qytetarëve.
Dhe nëse ligji është i barabartë për të gjithë, atëherë edhe rruga ime do të jetë e barabartë me të tjerët:
nga institucionet vendore, përmes të gjitha mjeteve juridike që më takojnë, e deri aty ku ligji lejon.
Do të vazhdoj të flas e të shkruaj.
Gjuhën mundën me ma shkurtuar, por fjalën kurrë.
Mund të më quajnë “antiislamist”, islamofob apo çfarëdo etikete tjetër. Këto etiketa nuk e ndryshojnë atë që jam dhe atë që mbroj: gjuhën, historinë, doket, zakonet dhe identitetin shqiptar.
E për këtë, siç thotë Fishta:
“Për sa t’mundem me ligjërue,
e sa gjallë me shpirt unë jam,
kurr Shqipni s’kam me t’harrue,
edhe n’vorr me t’përmend kam.”
Nëse përndjekjet e të rikthyerve nuk kanë brirë, atëherë le t’i shohim pa frikë:
me prova, me ligj, me drejtësi dhe me të njëjtin standard për të gjithë.
Sepse pyetja nuk është pse Shqiptar Shaljani po flet.
Pyetja është:
Pse po shqetëson kaq shumë fakti që ai ende po flet?

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu