
____
RIKTHIMI TE RRËNJËT NUK ËSHTË PËRÇARJE !
Një përgjigje për «Zërin e Vushtrrisë» dhe portaleve të territ
____
Së pari, mirënjohje e përzemërt për të gjithë shqiptarët e vullnetit të mirë, e veçmas për miket e miqtë që, gjatë këtyre dy viteve, më kanë mbështetur mua dhe aktivistët e rikthimit moralisht e shpirtërisht.
Sipas informacioneve të përcjella nga persona të përfshirë drejtpërdrejt në këtë veprimtari, rreth 40 mijë shqiptarë në Kosovë janë rikthyer te besimi i të parëve, pa përfshirë mërgatën. Kjo shifër nuk është statistikë zyrtare publike, por një vlerësim i përcjellë nga burime të përfshira në këtë proces. Është një zhvillim që meriton të trajtohet me seriozitet, jo të mbulohet me paragjykime.
Pagëzimi djeshëm i një grupi nga bija e bijë të këtij kombi , në Zogaj të Shalës së Bajgorës, në komunën e Vushtrrisë, pikërisht në vendin ku u bekua guri i themelit të kishës së ardhshme, është pjesë e këtij rrugëtimi , ka nxitur reagime të shumta e në disa raste edhe të çuditëshme !

Portali «Zëri i Vushtrrisë» e pagëzoi ngjarjen me një titull tjetër: «Rikthimi te nxitja e përçarjes».
Vërtetë ?
Ku qëndron përçarja kur shqiptarët, me vullnet të lirë, zgjedhin besimin e tyre dhe kërkojnë të ruajnë trashëgiminë historike? Nëse ka shkelje ligjore, le të paraqiten faktet. Por liria e ndërgjegjes nuk është faj, pagëzimi nuk është provokim dhe kërkesa për një kishë nuk është vetvetiu nxitje e përçarjes.
E tani, një pyetje hipotetike për «Zërin e Vushtrrisë» dhe portalet e ngjashme: Cila është qendra juaj e orientimit editorial — Beogradi, Ankaraja, Katari apo Kandahari?

Pyetje retorike, natyrisht; jo akuzë për lidhje të paprovuara. Por kur çdo hap drejt rrënjëve tona iliro-arbërore shndërrohet në alarm, publiku ka të drejtë të kërkojë gazetari të paanshme, fakte dhe respekt për lirinë e qytetarëve.
Sa për ne, guri i bekuar mund të jetë larguar, por kujtesa nuk zhduket. Kisha katolike shqiptare në Zogaj mbetet synimi ynë dhe do të vazhdojmë të punojmë për realizimin e saj, sipas procedurave përkatëse dhe në respekt të ligjit.
Portaleve që na përcjellin me kaq zell, u themi me ironi: faleminderit për vëmendjen! Nëse ju kushton «çmimin e çmendurisë» të raportoni për çdo hap tonin, faturën e titujve tuaj llogariteni vetë. Ne kemi punë më të rëndësishme.
Rikthimi te rrënjët nuk ndalet nga titujt e portaleve. Guri mund të hiqet, por historia nuk fshihet; kujtesa nuk shuhet dhe vullneti nuk dorëzohet!
Tempuj të kujtesës shqiptare do të ngrihen në zemër të Kosovës!



SHQIPETAR SHALJANI JUVE JENI NDERA DHE KRENARIA E CDO ATEDHEDASHESIT BESNIK ARMIQET TUEJ LE TE LEHIN SI QENJET SE NUK JU KA MBETUR AS NJE GJER TJETER VETEM SI JAN MESUAR GJAT GJITH JETES SE TYRE VETEM SE TE URREJN TE NENCMOJN DHE CVLERSOJN CDO ANGAZHIM DHE VEPRIMTARI QE ESHT NE INTERES TE IDENTITETIT TON KOMBETAR SI DHE ATIJ TE BESIMIT TE SHEJT DHE TE BEKUAR PER MBAR NJERZIMIN TE CILET BESOJN NE MRETIN E GJITHSIS JEZU KRISHTIN SHPETIMTARIN E NJERZIMIT I CILI EDHE JETEN E TIJ E SAKRIFIKOJ PER TE MBROJTUR POPULLIN PA DALLIM NGJYREN RACEN DHE BESIMIN E TYRE NGA KEQ PERDORIMI DHE SKLLAVERIZMI !