
[Studim analitik, politik dhe i sigurisë kombëtare-19 tetor 2026].
_____
I. Shqipëria përballë një krize politike dhe institucionale
Ngjarjet e dhunshme të tetorit 2026 në Shqipëri kanë krijuar një situatë shqetësuese, e cila nuk mund të trajtohet thjesht si një përplasje ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Përballë kemi një krizë më të gjerë, ku pakënaqësitë qytetare, interesat politike, aktet e dhunës dhe akuzat për ndërhyrje të huaj janë ndërthurur në një mënyrë që kërkon analizë serioze. Protestat, të nxitura fillimisht nga pakënaqësitë e studentëve dhe qytetarëve për arsimin, korrupsionin, papunësinë dhe mungesën e perspektivës ekonomike, u përshkallëzuan në përplasje me Policinë e Shtetit, sulme ndaj institucioneve, përdorim koktejsh molotov, zjarrvënie dhe dëmtime të pronës publike e private.
Por një pyetje mbetet themelore: Kush i organizoi aktet e dhunës dhe a ka pasur struktura politike ose interesa të jashtme që kanë synuar ta shndërrojnë pakënaqësinë qytetare në destabilizim institucional?
Kjo pyetje nuk mund të marrë përgjigje përmes akuzave politike, por vetëm nëpërmjet provave dhe hetimeve të pavarura.
Qeveria, nga ana tjetër, nuk mund të shmangë përgjegjësinë e saj për mosadresimin në kohë të pakënaqësive qytetare. Një protestë që zhvillohet për muaj me radhë është sinjal politik që kërkon përgjigje, jo vetëm administrim policor.
II. ANTIFA dhe akuzat për një operacion të drejtuar nga Rusia
Më 18 tetor 2026, në televizionin ABC News, avokati Idajet Beqiri bëri deklarata të rënda, duke pretenduar se protestat e dhunshme përbënin një agresion kundër Republikës së Shqipërisë.
Sipas tij, Rusia kishte dhënë më 2 tetor një urdhër për mobilizimin e strukturave të ANTIFA-s në Shqipëri, Spanjë, Portugali, Brazil dhe vende të tjera të europës. Ai identifikoi Arlind Qorin, Agron Shehajn dhe Adriatik Lapajn si përfaqësues të asaj që e quajti ANTIFA shqiptare, duke pretenduar gjithashtu financim nga Rusia dhe Serbia.
Çfarë është ANTIFA?
Historikisht, emërtimi lidhet me lëvizjet antifashiste gjermane të viteve 1930. Sot përdoret nga grupe të ndryshme antifashiste, anarkiste dhe të majta radikale.
Disa veprojnë në mënyrë paqësore, ndërsa grupe të caktuara militante janë përfshirë në veprime të dhunshme.
Në shtator 2025, presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi ANTIFA-n organizatë terroriste të brendshme. Megjithatë, kjo masë amerikane nuk provon se ekziston një komandë e vetme ndërkombëtare që drejton të gjitha grupet antifashiste.

III. Protestat e dhunshme në Europë dhe jashtë saj gjatë shtator-tetorit 2026
Pas mesit të Shtatorit dhe pas datës 2 tetor 2026 janë zhvilluar protesta të dhunshme në disa vende europiane, veçanërisht në Francë, Itali, Belgjikë dhe Shqipëri. Në Spanjë e Portugali ka pasur gjithashtu mobilizime të mëdha, por jo të gjitha janë shoqëruar me dhunë.
1. Franca – Paris, Lion, Marsejë dhe Lilë: Protestat filluan që në shtator dhe u përshkallëzuan më 17-18 tetor.
Janë raportuar zjarrvënie, plaçkitje, përplasje me policinë dhe mijëra ndalime. Më 19 tetor, Reuters raportoi rreth 2.400 arrestime gjatë trazirave.
2. Italia-Milano, Torino, Bolonja, Brescia dhe Bergamo: Përplasjet më serioze u regjistruan më 17-18 tetor. Në Milano pati thyerje vitrinash, zjarrvënie dhe sulme ndaj policisë. ANSA raportoi më 19 tetor se 271 persona ishin shoqëruar në komisariat dhe 14 efektivë ishin lënduar gjatë trazirave të së dielës. [ANSA.it]
3. Belgjika-Bruksel dhe Liège: Përplasje me policinë janë raportuar më 9 dhe 17 tetor. Janë përdorur gaz lotsjellës dhe mjete ujëhedhëse gjatë demonstratave kundër shkurtimeve buxhetore dhe rritjes së kostos së jetesës. [Euronews].
4. Portugalia – Lisbonë dhe Porto: Më 17-18 tetor u organizuan demonstrata dhe kampe proteste kundër krizës së banesave. Në Porto janë raportuar përplasje gjatë një dëbimi policor më herët gjatë javës.
Megjithatë, protestat nuk përshkruhen përgjithësisht si trazira të dhunshme në shkallën e Francës ose Italisë.
[EL PAÍS English].
5. Spanja – protestat për strehimin: Gjatë tetorit pati demonstrata për çmimet e larta të qirave dhe dëbimet nga banesat. [EL PAÍS English]
A ka lidhje kjo valë protestash me urdhrin e pretenduar rus të 2 tetorit? Provat nxjerrin një fakt shumë të rëndësishëm: jo të gjitha protestat filluan pas datës 2 tetor.
Në Francë, lëvizja studentore kishte nisur që në mesin e shtatorit. Më 2 tetor kishte tashmë përplasje në Lion. Prandaj, kronologjia franceze nuk mbështet pretendimin se e gjithë lëvizja filloi si rezultat i një urdhri të dhënë më 2 tetor. [Euronews].
Gjithashtu:
– Në Itali, përshkallëzimi kryesor u shënua më 17–18 tetor.
– Në Belgjikë, përplasje janë dokumentuar më 9 dhe 17 tetor.
– Në Greqi, studentët protestuan më 13 tetor kundër kostos së strehimit, por nuk ka prova për një kryengritje të dhunshme të ngjashme me Francën. Reuters Connect
– Në Brazil, më 18 tetor u zhvilluan manifestime elektorale në mbështetje të Lulës, por nuk ka prova që ato ishin operacione të dhunshme të ANTIFA-s. [UOL Notícias]. [AP News]
Përfundim: Përputhja kohore e protestave është reale, por deri më 19 tetor nuk gjendën prova të besueshme se Rusia dha më 2 tetor një urdhër të përbashkët për aktivizimin e ANTIFA-s në këto vende.
Nga dokumentacioni publik i shqyrtuar nuk rezulton i provuar ekzistimi i një strukture të organizuar ANTIFA në Shqipëri, të drejtuar nga Qori, Shehaj dhe Lapaj, apo e financuar nga Moska dhe Beogradi.
Po kështu, nuk është identifikuar ndonjë dokument autentik që të vërtetojë urdhrin e pretenduar rus të 2 tetorit.
Rusia mund të ketë interes të shfrytëzojë tensionet në një vend anëtar të NATO-s, dhe BE pasi ato po mbeshtesin luftën ne Ukrainë.
Nëse një akuzë e tillë është e bazuar në informacione të klasifikuara, u takon institucioneve kompetente të përcaktojnë çfarë mund të bëhet publike.
IV. Partia Demokratike dhe përfshirja e saj në protesta
Ndryshe nga pretendimet e paverifikuara për ANTIFA-n, përfshirja politike e Partisë Demokratike në protestat e tetorit është e dokumentuar. Më 13 tetor, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve t’u bashkoheshin studentëve në protestën e ditës pasardhëse.
Më 14 tetor, ai zhvilloi takime me drejtuesit e strukturave partiake, duke kërkuar mobilizim dhe mbështetje për protestuesit. Në ditët pasuese, PD vijoi thirrjet për pjesëmarrje dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Këto dokumente provojnë se opozita ndërmori veprimtari politike për zgjerimin e protestave dhe lidhjen e tyre me objektivin e saj për ndryshim qeveritar. Opozita ka të drejtë të mobilizojë qytetarët, të kërkojë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Problemi lind nëse provohet se struktura ose individë të saj kanë organizuar, financuar, urdhëruar apo ndihmuar me vetëdije veprime të dhunshme. Megjithatë, përfshirja e saj politike dhe veprimet e disa personave gjatë protestave kërkojnë shqyrtim të veçantë.
V. Deklaratat e Berishës: paralajmërim politik apo gjuhë kërcënuese?
Një çështje me rëndësi lidhet me deklaratat e Sali Berishës.
Në shkurt 2026, ABC News publikoi një deklaratë në të cilën Berisha u kërkonte degëve të PD-së të kryenin rikonicjonin e selive të Partisë Socialiste në rrethe, duke paralajmëruar kundërpërgjigje ndaj sulmeve të mundshme mbi selitë e PD-së.
Në terminologjinë ushtarake, rikonicioni nënkupton zbulimin dhe njohjen paraprake të një objekti ose territori, përpara një veprimi të mundshëm. Në kontekstin e paralajmërimeve për veprime kundër selive të kundërshtarit politik, kjo gjuhë meriton vlerësim të kujdesshëm.
Një tjetër deklaratë e rëndësishme u bë më 15 tetor, kur Berisha i kërkoi Ramës dorëheqjen, duke iu referuar fatit të Ramiz Alisë dhe Nicolae Çausheskut, ish-diktatorit rumun të ekzekutuar në vitin 1989.
Përcaktimi i natyrës juridike të deklaratave u përket organeve të akuzës dhe institucioneve gjyqësore.
Por në situata tensionesh të larta, deklarata që evokojnë rrëzime të dhunshme regjimesh mund të ndikojnë në perceptimin e protestuesve dhe të rrisin rrezikun e përshkallëzimit.
Drejtuesit politikë kanë përgjegjësinë të përcaktojnë qartë kufirin ndërmjet protestës demokratike dhe përdorimit të dhunës.
VI. Incidenti i 18 tetorit në selinë e Partisë Demokratike
Një ndër zhvillimet më serioze ndodhi më 18 tetor. Report TV publikoi pamje të personave të maskuar në ambientet e selisë së PD-së. Policia deklaroi se persona të përfshirë në sulme me molotovë ndaj efektivëve ishin futur në ambientet e godinës. Deputetët demokratë Enno Bozdo dhe Belind Këlliçi kundërshtuan versionin policor, ndërsa Berisha deklaroi se partia do të mbronte protestuesit, veçanërisht të miturit.
Këto zhvillime ngrenë pyetje që kërkojnë përgjigje: A ishin personat e strehuar në selinë e PD-së disa nga autorët e sulmeve të dhunshme? A kishte dijeni drejtimi i partisë për veprimet e tyre? A është përdorur selia për strehim pas përleshjeve apo edhe për koordinimin e veprimeve? Pamjet filmike dhe deklaratat kundërshtuese nuk mjaftojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e drejtuesve.
Megjithatë, përdorimi i ambienteve të një partie politike nga persona të dyshuar për akte të dhunshme është një rrethanë që meriton hetim të pavarur.
VII. Dhuna, arrestimet dhe kufijtë e përgjegjësisë
Reuters dhe Associated Press kanë dokumentuar sulme me gurë, molotovë, zjarrvënie, dëmtime të ndërtesave dhe përplasje të ashpra me policinë.
Më 16 tetor, agjencia EFE raportonte 127 persona të arrestuar në Tiranë, 244 të tjerë nën hetim dhe 16 të mitur midis të arrestuarve.
Më 18 tetor, Associated Press raportonte 167 arrestime dhe 132 punonjës policie të lënduar. Agjencia njoftonte gjithashtu se shtatë efektivë policie ishin pezulluar në kuadër të hetimeve për përdorim të tepruar të forcës.
Bilanci zyrtar i Policisë së Shtetit për protestat e tetorit 2026.Në deklaratën zyrtare të publikuar më 19 tetor 2026, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bëri të ditur se gjatë protestave të dhunshme në disa qytete të Shqipërisë ishin arrestuar 167 persona dhe proceduar penalisht 388 të tjerë, gjithsej 555 shtetas ndaj të cilëve ishin ndërmarrë masa penale. Gjithashtu, sipas tij, ishin lënduar 132 punonjës policie dhe ishin pezulluar nga detyra shtatë efektivë, ndaj të cilëve kishin nisur hetime disiplinore për tejkalim të kompetencave dhe mosrespektim të proporcionalitetit.
Hita deklaroi gjithashtu se policia kishte evidentuar thirrje në rrjetet sociale, veçanërisht në Telegram, për sulme kundër efektivëve me mjete të forta, lëndë djegëse dhe plasëse.
Ai kërkoi distancimin e protestuesve paqësorë nga personat e përfshirë në dhunë. [Policia e Shtetit].
Këto të dhëna tregojnë përmasat e përshkallëzimit dhe shtrirjen e veprimeve hetimore, por arrestimi ose procedimi penal duhet të kalojë provën gjygjsore që që të përligjet.
Këto të dhëna kundërshtojnë pretendimin absolut se të gjithë personat e arrestuar ishin militantë mbi moshën 40 vjeç (siç pretendon Avokati I. Beqiri).
Nga pikëpamja e sigurisë, përdorimi i mjeteve zjarrvënëse dhe sulmet ndaj institucioneve mund të tregojnë koordinim ndërmjet individëve ose grupeve të caktuara. Prandaj, sulmet ndaj institucioneve duhen hetuar dhe ndëshkuar sipas ligjit.
VIII. Incidenti me marrëveshjen ushtarake Shqipëri-SHBA
Në akuzat e Idajet Beqirit përfshihet edhe Agron Shehaj, lidhur me incidentin e korrikut 2026 në Kuvend, kur ai mori një dokument konfidencial të lidhur me marrëveshjen e financimit ushtarak shqiptaro-amerikan.
Incidenti është raportuar publikisht dhe është shoqëruar me masa parlamentare. Çështja kërkon sqarimin e klasifikimit të dokumentit, kushteve të aksesit dhe mundësisë së kopjimit apo transmetimit të tij. Kjo është një problematikë e sigurisë së informacionit.
IX. Prania e pesë anijeve luftarake të NATO-s në Pashaliman dhe dyshimet mbi kohën e dislokimit
Më 17 tetor 2026, në Gjirin e Vlorës, pranë bazës detare të Pashalimanit, u raportua mbërritja e pesë anijeve ushtarake të vendeve të NATO-s, dy prej të cilave nga Turqia dhe Franca.
Sipas raportimeve, prania e tyre lidhej me një stërvitje të përbashkët të Aleancës dhe qëndrimi parashikohej deri më diten e sotme me 20 tetor.
Megjithatë, përkimi kohor i kësaj pranie ushtarake me përshkallëzimin e protestave në Shqipëri ka ngritur pyetje mbi natyrën, planifikimin dhe objektivat e stërvitjes.
A ishte kjo një veprimtari ushtarake e planifikuar më parë në kuadër të stërvitjeve të NATO-s, apo prania e anijeve lidhej edhe me zhvillimet e tensionuara të sigurisë së brendshme në Shqipëri?
Kjo pyetje merr rëndësi të veçantë në kushtet kur janë ngritur dyshime dhe pretendime se dislokimi i tyre mund të interpretohej si një sinjal mbështetjeje politike për qeverinë shqiptare.
Megjithatë, deri tani nuk janë paraqitur prova të verifikueshme që mbështesin një lidhje të tillë.
Për këtë arsye, nevojitet transparencë institucionale për të sqaruar qëllimin, kohën e planifikimit dhe karakterin e vërtetë të kësaj pranie ushtarake.
Nga informacionet publike të verifikuara nuk rezulton ndonjë provë se dislokimi i anijeve ishte përgjigje ndaj protestave, ose se NATO kishte planifikuar ndërhyrje në situatën e brendshme shqiptare.
Megjithatë, një sqarim zyrtar, mbi emërtimin, kohëzgjatjen dhe objektivat e stërvitjes do të ndihmonte në shmangien e spekulimeve.
X. Qëndrimi amerikan dhe përgjegjësia e institucioneve shqiptare
Në mesin e krizës, më 16 tetor 2026, u bë publik takimi i ambasadorit amerikan Eric Wendt me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji. Sipas informacionit të publikuar, takimi lidhej me bashkëpunimin ushtarak, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe sigurinë kolektive.
Disa media ngritën dyshime se mund të ishte diskutuar edhe përdorimi i ushtrisë gjatë protestave, por kjo lidhje nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Duhet kujtuar se ndërhyrja e Forcave të Armatosura për rivendosjen e rendit në kushte të jashtëzakonshme rregullohet nga Kushtetuta dhe nuk mund të vendoset mbi bazën e një takimi diplomatik.
Qëndrimi i shprehur publikisht nga Ambasada Amerikane ka theksuar të drejtën e protestës paqësore, dënimin e dhunës dhe nevojën për vetëpërmbajtje.
Në këto kushte, përgjegjësia e SHISH-it, Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe SPAK-ut, sipas kompetencave përkatëse, është e rëndësishme.
Duhet të hetohen autorët e sulmeve, burimet e mundshme të financimit, lidhjet organizative dhe çdo indicie serioze për ndërhyrje të huaj.
Njëkohësisht duhen hetuar edhe rastet e përdorimit të paligjshëm të forcës policore. Heshtja institucionale nuk duhet interpretuar automatikisht si bashkëpunim ose fshehje provash, por institucionet duhet të ofrojnë transparencën që lejon ligji.
XI. Përfundime të përgjithshme!
Nga analiza e materialeve të shqyrtuara dalin disa përfundime thelbësore.
Së pari, protestat kanë pasur shkaqe reale politike, ekonomike dhe shoqërore. Qeveria ka përgjegjësinë të analizojë pse pakënaqësitë e qytetarëve u grumbulluan dhe pse dialogu institucional nuk arriti të shmangte përshkallëzimin.
Së dyti, përfshirja e Partisë Demokratike në mobilizimin politik të protestave është e dokumentuar. Por përgjegjësia e saj për organizimin e akteve konkrete të dhunës duhet të provohet, nga organet kopetente.
Së treti, deklaratat kërcënuese dhe përdorimi i krahasimeve historike me rrëzime të dhunshme kërkojnë përgjegjësi politike dhe, kur ekzistojnë elementet ligjore, duhet vlerësim nga organet e drejtësisë.
Së katërti, incidenti i 18 tetorit në selinë e PD-së përbën një rrethanë konkrete që meriton hetim, veçanërisht për identifikimin e personave të maskuar dhe veprimeve që u atribuohen.
Së pesti, supozimat për një urdhër rus të 2 tetorit, financimin e ANTIFA-s shqiptare nga Rusia dhe Serbia, si dhe përfshirjen e Qorit, Shehajt dhe Lapajt, mbeten të paverifikuara me dokumentacionin publik të shqyrtuar (Akuzuar nga Beqiri).

Së gjashti, institucionet shqiptare duhet të mbrojnë rendin kushtetues pa cenuar të drejtat demokratike. Dhuna e protestuesve dhe përdorimi i paligjshëm i forcës nga policia duhet të hetohen me të njëjtat kërkesa për prova dhe përgjegjësi individuale.
Në përfundim, Shqipëria nuk ka nevojë as për një qeveri që e konsideron çdo kundërshtar armik të shtetit, as për një opozitë që mund ta shohë dhunën si instrument të luftës politike.
Shqipëria ka nevojë për institucione që zbatojnë ligjin, për një drejtësi të pavarur, për media që verifikojnë dhe për një klasë politike që kupton se pushteti nuk mund të merret ose të mbahet përmes dhunës.
Një qeveri që shtyp protestën paqësore cenon demokracinë. Një opozitë që nxit apo organizon dhunë kundër institucioneve cenon po atë demokraci.
Asnjëra nuk mund të justifikohet me gabimet e tjetrës.
Mbi të gjitha, siguria kombëtare nuk mbrohet duke shpallur fajtorë pa prova. Ajo mbrohet duke zbuluar të vërtetën dhe duke vënë përpara ligjit cilindo që organizon, financon ose kryen veprime kriminale, pavarësisht përkatësisë politike.
Shteti nuk është pronë e qeverisë, opozitës apo e ndonjë grupi militant. Ai është institucioni i përbashkët i qytetarëve shqiptarë dhe duhet t’u shërbejë atyre.
________________
SHENIME /BURIMET/ BIBLIOGRAFIA
2. Reuters, “Banks, Buildings Burn as Albania’s Capital Tirana Erupts into Student Violence,” 14 tetor 2026, https://www.reuters.com/…/fire-breaks-out-albanias…/.
3. ABC News Albania, “Protesta në Tiranë është agresion kundër Republikës, Beqiri: Antifa shqiptare është Qori, Shehaj dhe Lapaj! Janë bashkë!”, 18 tetor 2026, https://abcnews.al/protesta-ne-tirane-eshte-agresion…/.
4. The White House, “Designating Antifa as a Domestic Terrorist Organization,” urdhër ekzekutiv, 22 shtator 2025, https://www.whitehouse.gov/…/designating-antifa-as-a…/.
5. Partia Demokratike e Shqipërisë, “Berisha: ‘Padrino’ Edvin Kristaq Koleka sot tejkaloi dhunën e Ramiz Alisë ndaj studentëve në dhjetor ’90,” 13 tetor 2026, https://pd.al/berisha-padrino-edvin-kristaq-koleka-sot…/.
6. ABC News Albania, “Berisha, thirrje të hapur për luftë/Kërkon sulm ndaj selive të PS, asnjë reagim nga agjencitë e ligjit,” 21 shkurt 2026. Raportim mbi deklaratën për selitë partiake.
7. Partia Demokratike e Shqipërisë, “Berisha ultimatum Ramës: Jep dorëheqjen! Zgjidh fatin e Ramiz Alisë, dhe jo të Çausheskut,” 15 tetor 2026. Deklaratë zyrtare e kryetarit të PD-së.
8. Report TV, “Protestuesit e maskuar strehohen në PD, sulm me molotovë policëve! Berisha e pranon: Do gjejnë mbrojtje te ne,” 18 tetor 2026, https://report-tv.al/…/protestuesit-e-maskuar-fshihen….
9. Agencia EFE, “Albanian Students Continue to Pressure the Government,” 16 tetor 2026, https://efe.com/…/albanian-students-continue-to…/
10. Associated Press, “Riots in Tirana Enter a Fifth Day as Albania’s Anti-Government Protests Escalate,” 18 tetor 2026, https://apnews.com/article/9f0ce30c446aa9f273068b98d9f40b14.
11. Republika e Shqipërisë, Kodi Penal, ligji nr. 7895, datë 27 janar 1995, me ndryshime, dispozitat për veprimet kundër rendit kushtetues; dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 173.
12. Reuters, “Albanian PM Says Protests Pose Threat to EU Membership, Not Government,” 18 tetor 2026, https://www.reuters.com/…/albanian-pm-says-mass…/.
13. Fusnota 12. Periskopi, “Five NATO Warships Land in Orikum,” 17 tetor 2026, https://periskopi.com/en/2026/10/nato-warships-land-orikum. Shih gjithashtu NATO, “NATO Allies Test Drone Defences at Sea,” 1 tetor 2026, https://www.nato.int/…/nato-allies-test-drone-defences…. Burimi i NATO-s dokumenton stërvitje detare në Mesdhe, por nuk konfirmon drejtpërdrejt se anijet e raportuara në Pashaliman ishin pjesë e së njëjtës stërvitje.
14. Policia e Shtetit, “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, konferencë për median,” 19 tetor 2026. Deklarata e plotë zyrtare.
15. Reuters, “Milan Police Clash with Protesters on Second Day of Unrest,” 18 tetor 2026. Reuters.
16. ANSA, “14 Police Officers Injured in Clashes with Rioting Youths in Milan,” 19 tetor 2026. ANSA.
17. Le Monde, “Manifestations du 17 octobre: à Paris et dans les grandes villes de France,” 17 tetor 2026. Le Monde.fr
18. 4. Euronews, “Protesters Clash with Police in Belgium as Demonstrations Turn Violent across Europe,” 17 tetor 2026. Euronews
19. El País, “A Generation Takes to the Streets: Young Europeans Refuse to Accept a Future Stacked against Them,” 19 tetor 2026. EL PAÍS English
20. Euronews, “Des blocages aux violences: ce qui pousse les élèves français à manifester,” 5 tetor 2026. Euronews
Shih videon:


