
Albert Zadrima
Nuk është problemi tek një djalë që reciton Kuranin. Problemi fillon kur feja kthehet në instrument politik, kur financohet, promovohet dhe përdoret nga qarqe të huaja për të ndërtuar ndikim mbi identitetin shqiptar.
Shqiptari nuk ka qenë kurrë problem për botën si besimtar. Problemi nis kur dikush përpiqet ta shkëpusë shqiptarin nga kombi dhe ta lidhë me projekte ideologjike që vijnë nga Lindja, nga Ankaraja, nga qarqe arabe apo nga organizata që nuk investojnë për shpirtin e njeriut, por për ndikim politik e kulturor. Kur një “recitues” ngrihet në piedestal politik, kur fotografohet me liderë që kanë axhendë neo-otomane, kur sponsorizohet në mënyrë të organizuar, kur lëviz nga një rrjet islamik në tjetrin me financime të errëta, atëherë pyetja nuk është më “sa bukur e lexon Kuranin”, por:
Kush po investon mbi të dhe pse? Feja është besim. Radikalizmi është projekt pushteti. Amerika nuk e ndalon dikë rastësisht në kufi. Sidomos jo dikë me vizë të rregullt. SHBA ka mekanizma sigurie që shpesh shohin më larg sesa ne duam të shohim. Dhe kjo duhet të na bëjë të reflektojmë, jo të viktimizohemi menjëherë.
Pyetja ime është tjetër: Ku janë institucionet shqiptare? Ku janë shërbimet informative? Ku janë hetimet mbi financimet fetare? Kush kontrollon milionat që hyjnë në Ballkan për “edukim fetar”? Kush kontrollon imamët, fondacionet, sponsorizimet, trajnimet dhe lidhjet ideologjike? Sepse kombet nuk rrëzohen gjithmonë me tanke. Shpesh rrëzohen me propagandë, me financime dhe me indoktrinim gradual. “Feja që të largon nga kombi, nuk të afron me Zotin.” “Radikalizmi nuk fillon me armë. Fillon kur mendja pushon së bëri pyetje.” “Kur politika hyn në faltore, Zoti del nga dera.” “Çdo ekstremizëm fetar është urrejtje e maskuar si devotshmëri.” Shqiptarët kanë mbijetuar sepse e kanë vendosur kombin mbi sektin. Prandaj kemi jetuar bashkë. Prandaj kemi shpëtuar. Në momentin që importojmë konfliktet fetare të Lindjes së Mesme në trojet shqiptare, ne nuk po forcojmë fenë. Po dobësojmë kombin.
Unë shqetësohem për këto fenomene jo sepse jam kundër fesë. Përkundrazi. Por sepse historia ka treguar se çdo radikalizëm, islamik, ortodoks, katolik apo ideologjik, kur kthehet në projekt politik, bëhet rrezik për kombin.
Shqiptari duhet të jetë besimtar në Zot. Jo ushtar i axhendave të huaja.


