Amerika realisht tregon se është me të drejtën…

0
153
US - Israel - AL - KS - flags
Arben Çokaj
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Në konfliktin Izrael – Palestinë, Amerika mban anë me Izraelin, pasi hebrejtë banonin dikur në ato toka, ku janë sot, para se t’i dëbonin ata, ku edhe u krijua shteti i Izraelit më 1948. U përpoqën të krijonin një marrëveshje me shtetet arabe aty dhe me popullsinë palestineze, që e kishin banuar territorin gjatë shekujve, që të lëvizej popullsia, që të krijohej shteti i Izraelit, pa konflikte të panevojshme me popullsinë muslimane e palestineze aty. Por kjo ka qenë e pamundur, konflikti i Izraelit si shtet me popullsinë palestineze vazhdon, kjo duket edhe për shkak se vendet islame duan t’i përdorin palestinezët si mish për top në këtë konflikt. Por edhe sepse Izraeli është shteti më i zhvilluar në atë zonë dhe shikon të kapë territoret e mundshme të konsideruara si izraelite, si toka e premtuar, që në lashtësi.

Se e kujt është ajo tokë, e ndarë me përpikmëri, nuk është e lehtë të përcaktohet, pasi të dyja palët kanë pretendimet e tyre, që janë diametralisht të kundërta, e për më tepër, kur palestinezët e kanë motiv kryesor të jetës së tyre shkatërrimin e shtetit të Izraelit, dhe mos-ekzistencën e tij. Këtu pra fillon edhe konflikti, për jetë a vdekje, që nuk di të shuhet! Prandaj ky konflikt ka dekada që nuk zgjidhet, sepse nuk mund të zgjidhet.

Presidenti Bill Clinton, tregon në librin e tij autobiografik, se ai u përpoq realisht të arrinte një marrëveshje mes Izraelit me president Ehud Barak, dhe autoritetit palestinez OÇP, të kryesuar nga Jaser Arafat – një marrëveshje më e mira e mundshme mes të dyja palëve, por që megjithatë, nuk u pranua nga Arafat. Clinton thotë se “krenaria është pararojë e dështimit” – duke nënkuptuar faktin se Arafat ishte tepër krenar për të pranuar një marrëveshje të tillë. Kjo pasi Arafat kërkonte atë që nuk i takonte. Pra, kërkesat e palestinezëve janë të pamundura, prandaj edhe konflikti vazhdon, e nuk ka zgjidhje…

Prandaj SHBA mban anë me Izraelin, pasi mendon se është më racional dhe më real dhe ka vullnet për ta zgjidhur konfliktin, por me këto pika të zgjidhjes nuk pajtohen palestinezët, të cilët edukohen me urrejtje për Izraelin dhe kërkojnë ose ëndërrojnë gjithë kohën shuarjen e shtetit të Izraelit, gjë që është edhe praktikisht e pamundur të bëhet!

Shqiptarët dhe konflikti Palestinë – Izrael

Shqiptarët politikisht në lidhje me Izraelin e Palestinën mbajnë një qëndrim neutral. Të ndikuar edhe feja islame dhe nga Turqia, shqiptarët kanë tendencë të jenë në krah të popullit palestinez, ku psh. edhe Dua Lipa, që shkon me një libanez, ka treguar se është pro çështjes së Palestinës. Por jo vetëm ajo. Shqiptarët në përgjithësi janë popull i dashur dhe i ndjeshëm shumë, që sakrifikojnë tepër për të tjerët, deri në vetë-mohim.

Shqipëria mban politikisht qëndrimin, që mbajnë vendet e BE-së në këtë rast. Ndryshon puna me Kosovën, e cila për shkak të marrëveshjes në Uashington me Presidentin Trump, dhe njoihjes që iu bë Kosovës menjëherë nga Izraeli, Kosova pranoi ta dërgonte ambasadën e saj në Jeruzalem, ku kishte shkuar më parë edhe ambasada amerikane, por jo Ambasada e Shqipërisë, e cila ndjekë politikat e jashtme të BE-së.

Por ajo që ka ngjallur debat shpeshherë tek ne, ka qenë qëndrimi i Palestinës dhe ambasadorit palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan, në lidhje me çështjen e Kosovës. Palestina nuk e njeh Kosovën dhe mban anë hapur me Serbinë. Përkundër kësaj, ka shqiptarë të Kosovës, që mbajnë anë, qoftë edhe shpirtërisht (për arsye fetare) me populllin palestinez. Kjo tregon se shqiptarët nuk dinë politikë.

Dje, ish-zv-Presidenti Mike Pence, me një fjali në Facebook u shpreh se SHBA është me Izraelin. Pra, në ngjarjet e fundit konfliktuale mes Izraelit e palestinezëve, SHBA mban anë me Izraelin. Ne shqiptarët nuk jemi kaq të fortë sa amerikanët, por edhe ne duhet të dimë si të orientohemi politikisht dhe të mos bëjmë marrëzira. Pse?

Sepse Palestina e Serbia janë në fakt në pozicione të njëjta, sa i përket të drejtës së tyre historike mbi një territor të caktuar. Palestina pretendon se territori i Izraelit është territori i saj, gjë që nuk është plotësisht e vërtetë, ashtu siç pretendon edhe Serbia se ka të drejtë mbi territorin e Kosovës, gjë që nuk është aspak e vërtetë, pasi është i banuar me mbi 90% shqiptarë. Prandaj Amerika, që mbahet me të drejtën historike, edhe pse përpiqet të jetë neutrale, mban anë qoftë me Izraelin në konfliktin e tyre, ashtu siç ka mbajtur dhe mban anë edhe me Kosovën, në marrëdhënie me Serbinë.

Kjo histori e ngjashme mes Palestinës e Serbisë, bën që Patlestina të mbajë anë me Serbinë, e jo me Kosovën, me popullsi shumicë muslimane. Nëse Kim Mehmeti dhe një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës, për arsye fetare mbajnë anë me Palestinën, e kundërta ndodhë me Palestinën, e cila mban anë me Serbinë! Palestina nuk pyet për fe, aq sa pyesin trutharët shqiptarë!

Prandaj ne shqiptarët, të ndodhur sot në kushte të tjera politike dhe ekonomike, duhet të mos tregohemi naivë, por të kuptojmë politikat që luhen në botë dhe të mbajmë anë me aleatët tanë dhe të përfitojmë nga kjo. Pra, të ruajmë më shumë intereat tona, se sa të dëmtojmë veten, duke mbështetur politika të caktuara të konflikteve në botë. Siç përfitoi edhe Kosova në njohjen nga Izraeli, duke qenë në një linjë me SHBA-të dhe politikat e tyre.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu