
Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
Noam Çomsky (1928– ) është një nga intelektualët më me ndikim të shekullit XX dhe XXI, i njohur fillimisht si themelues i gjuhësisë moderne, por njëkohësisht edhe si filozof politik, kritik i pushtetit dhe analist i institucioneve shoqërore.
Përtej kontributeve të tij shkencore, Çomsky ka zhvilluar një kritikë të thellë ndaj mënyrës se si shoqëritë moderne, përmes mediave, politikës dhe arsimit, formësojnë mendimin njerëzor.
Arsimi, në veçanti, zë një vend qendror në analizën e tij, pasi për Çomskin ai përbën një nga mjetet kryesore për riprodhimin ose sfidimin e rendit shoqëror ekzistues.
Në vizionin e Çomskit, arsimi modern nuk mund të kuptohet thjesht si proces neutral transmetimi të dijes. Ai është një institucion me funksion politik dhe ideologjik. Sistemet arsimore, sidomos në shoqëritë kapitaliste dhe burokratike, kanë prirjen të prodhojnë individë të disiplinuar, të bindur dhe të përshtatshëm për nevojat e tregut të punës, më shumë sesa qytetarë kritikë dhe të pavarur intelektualisht.
Kjo qasje, sipas tij, bie ndesh me natyrën krijuese dhe racionale të njeriut. Një nga aspektet më problematike të arsimit modern, sipas Çomskit, është standardizimi i tepruar: testet, notat dhe programet rigide. Këto mekanizma nuk synojnë të matin kuptimin e thellë apo aftësinë për të menduar në mënyrë kritike, por aftësinë për të riprodhuar informacionin e kërkuar nga autoriteti arsimor.
Nxënësi ose studenti mësohet të kërkojë “përgjigjen e saktë”, jo të shtrojë pyetje të reja. Si pasojë, arsimi humbet dimensionin e tij emancipues dhe shndërrohet në një proces konformizmi intelektual. Kjo kritikë merr një kuptim të veçantë kur e shohim në kontekstin e realitetit shqiptar. Sistemi arsimor në Kosovë dhe në Shqipëri dhe në hapësirën shqiptare në përgjithësi, përkundër një kurrikule shumë të përparuar arsimore, të bazuar në fusha mësimore dhe në kompetenca që duhet t’i arrijnë nxënësit ende karakterizohet nga një traditë dhe kulturë e fortë e memorizimit, nga autoriteti i padiskutueshëm i mësuesit dhe sidomos nga vlerësimi i nxënësit në bazë të notës, jo të mendimit.
Në shumë raste, nxënësi i “mirë” është ai që bindet, jo ai që pyet. Kjo situatë pasqyron pikërisht atë që Çomsky e konsideron si dështim themelor të arsimit modern.
Një tjetër element qendror në mendimin e Çomskit është komercializimi i arsimit, veçanërisht në nivel universitar. Universitetet, sipas tij, po humbasin karakterin e tyre si hapësira kërkimi dhe reflektimi kritik, duke u shndërruar në institucione që funksionojnë sipas logjikës së tregut. Studentët trajtohen si klientë, diplomat si produkte, ndërsa dija vlerësohet në bazë të “dobisë ekonomike”.
Edhe ky fenomen është i dukshëm në realitetin shqiptar, ku shpesh arsimi i lartë shihet kryesisht si mjet për punësim.
Kam dëgjuar që në kolegjet tona private ndodh që studenti ia qet indeksin profesorit dhe i thonë: “prof. qitma një notë kaluese se po më duhet për punësim”!
Edhe ky fenomen është i dukshëm në realitetin shqiptar, ku shpesh arsimi i lartë shihet kryesisht si mjet për punësim, jo si proces formimi intelektual dhe qytetar. Përballë kësaj gjendjeje, Çomsky nuk ofron një model të ngurtë alternativ, por parime themelore filozofike.
Në qendër të vizionit të tij qëndron ideja se arsimi duhet të ushqejë kureshtjen natyrore të individit, të inkurajojë dyshimin dhe të kultivojë përgjegjësinë morale.
Roli i mësuesit nuk është ai i autoritetit absolut, por i udhërrëfyesit intelektual, i cili krijon kushte për mendim të pavarur. Ky vizion lidhet drejtpërdrejt me traditën sokratike dhe iluministe, ku arsimi shihet si proces çlirimi, jo nënshtrimi.
Në kontekstin shqiptar, adoptimi i një qasjeje të tillë do të kërkonte jo vetëm reforma strukturore, por edhe një ndryshim kulturor: kalimin nga frika e gabimit tek pranimi i tij si pjesë e të mësuarit; nga autoriteti i pakontestueshëm tek dialogu kritik; nga arsimi si detyrim tek arsimi si proces kuptimi.
Në këtë kuptim, mendimi i Çomskit nuk është thjesht kritik teorik, por një thirrje për reflektim të thellë shoqëror. Në përfundim, kritika e Noam Çomskit ndaj arsimit modern shkon përtej pedagogjisë dhe prek vetë thelbin e demokracisë.
Një shoqëri që nuk edukon qytetarë kritikë rrezikon të prodhojë individë të lirë vetëm në formë, por të varur në mendim.
Për Çomskin, arsimi i vërtetë nuk matet me diploma apo renditje, por me aftësinë e individit për të menduar lirshëm, për të sfiduar pushtetin e pajustifikuar dhe për të marrë përgjegjësi morale në jetën shoqërore.
Kjo sfidë mbetet aktuale dhe thelbësore edhe për shoqërinë shqiptare sot.
Me 2 janar 2026


