Letër falënderimi për gazetën “Drini” dhe z. Gjergj Kabashi
Rugova ime – fjala juaj më ktheu frymën!
Të nderuar miq të gazetës Drini, Të nderuar z. Gjergj Kabashi – fjalës së lirë, zërit të së vërtetës dhe shpirtit të Malësisë,
Në këtë kohë të mjegullt për drejtësinë dhe të drejtat e trashëguara, kur malësorëve të Rugovës po u vihen prangat në emër të ligjeve të përkthyera dhe padrejtësive të importuara, fjala juaj më doli si dritë në errësirë – si borë e pastër në kullë, si zë i ndërgjegjes që nuk hesht!
Ju faleminderit që e hapët portën e gazetës “Drini” për zërin tim të vrarë, të burgosur dhe të ndaluar për shumë vite!
Faleminderit që nuk më shikuat si një ish-i burgosur politik të viteve ‘80, por si një malësor që nuk është përkulur as përballë torturës, as përballë harresës!
Nëpërmjet shkrimit tuaj, keni bërë më shumë se një publikim – keni ngjallur një histori të mohuar, keni rikthyer dinjitetin e një populli që po dëbohet nga shtëpia e vet në emër të parqeve zoologjike e vendimeve të falsifikuara!

Z. Gjergj Kabashi,
Zëri juaj më kujtoi fjalët e një bashkëvuajtësi në burgun e Nishit: “Kur ta dëgjosh dikë që flet për ty në kohë heshtjeje, dije që ende je gjallë!”
Ju e dëshmuat që ne jemi ende gjallë – me dhimbjen, me kujtesën, me të drejtën tonë të pashuar për të qenë në tokën tonë.
Faleminderit për guximin, për pendën e lirë dhe për bashkëndjenjën që nuk blihet. Faleminderit për faqen e gazetës që nuk u shit, por u bë strehë për të vërtetën e një populli të lënë jashtë.
Faleminderit në emër të gjithë malësorëve të Rugovës që ende nuk kanë zë, por që ju i dëgjuat.
Me respekt, vëllazëri dhe mall për tokën që më rriti, nga mërgimi i dhimbshëm por krenar – Sak (Sylë) Muji ,
I burgosuri i ndërgjegjes dhe artisti i gurit që nuk thyhet.


