Basri Beka, Prishtinë
- Ata që sulmojnë Gjergj Kastriotitn Skënderbeun, sulmojnë vetëdijen kombëtare shqiptare
Është e papranueshme dhe e neveritshme që në rrjetet sociale, nën maskën e fesë islame, individë si Halil Palushi – që as gjuhën shqipe nuk e zotërojnë si duhet – të helmojnë opinionin publik shqiptar me gënjeshtra historike flagrante, me urrejtje ndaj heroizmit kombëtar dhe me një ideologji që synon të tjetërsoshë, të përçajë dhe të nënçmojë identitetin shqiptar.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu nuk është “serb”, nuk është “kafir, armik i Islamit” dhe as simbol i “luftës globale kundër myslimanëve”, siç trillojnë këta renegatë. Ai është hero kombëtar shqiptar, udhëheqës ushtarak që, për një çerek shekulli, i dha goditje të rënda Perandorisë Osmane – një perandori që në atë kohë po pushtonte dhe islamizonte me forcë Ballkanin. Lufta e tij nuk ishte luftë kundër besimit islam si fe personale, por kundër pushtuesit osman që po shkatërronte sovranitetin dhe identitetin e popullit shqiptar. Ky është një fakt historik i pakontestueshëm, i njohur nga historianë seriozë shqiptarë, evropianë dhe jo vetëm.
Narrativa që Palushi dhe të tjerë si ai ndërtojnë – duke e quajtur Skënderbeun “vrasës të 30 mijë myslimanëve shqiptarë” dhe duke lidhur bustet e tij me “thirrje për vrasjen e myslimanëve” – është jo vetëm e pavërtetë, por edhe një provokim i hapur për urrejtje dhe përçarje. Kjo nuk është “fjalë e lirë”. Kur dikush demonizon heroin kombëtar, kur e lidh atë me gjenocidin aktual dhe kur nxit urrejtje fetare brenda shqiptarëve, ai kalon vijën e kuqe të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes shoqërore. Kjo prek dinjitetin e çdo shqiptari, qoftë ai mysliman, i krishterë apo ateist.
Shqiptarët kanë qenë gjithmonë tolerantë fetarisht. Islami në Shqipëri dhe Kosovë ka ardhur kryesisht me osmanët, por identiteti shqiptar ka qenë gjithmonë mbi fenë – “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, siç shkroi Vaso Pasha. Këta predikues me gramatikë të çalë dhe mendje të helmuar po e përdorin fenë si armë për të çmontuar pikërisht këtë unitet. Ata janë vegla të një projekti më të madh: atij serbomadh dhe anti-shqiptar, që kërkon të na kthejë në ballafaqime fetare, që ne të harrojmë gjuhën, historinë dhe tokën tonë.
Shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë për detyrë kushtetuese të mbrojnë unitetin kombëtar dhe të ndalojnë propagandën që nxit urrejtje. Organet e drejtësisë duhet të veprojnë ex officio ndaj këtyre individëve që, nën petkun e fesë, shpërndajnë helm, gënjeshtra dhe thirrje për përçarje. Heshtja ndaj tyre nuk është neutralitet – është bashkëpunim me ata që duan të na shkatërrojnë nga brenda.
Kushdo që sulmon Skënderbeun, sulmon themelet e identitetit shqiptar. Kushdo që lidh heroizmin tonë kombëtar me “krime kundër njerëzimit” ose me konfliktet aktuale në Lindjen e Mesme, po bën politikë të ulët armiqësore ndaj shqiptarëve. Ne nuk jemi palë në konfliktet e huaja fetare. Ne jemi një popull evropian me identitet të qartë, që ka dhënë kontributin e vet në histori duke luftuar për liri, jo duke u bërë vegël e të huajve.
Mjaft me helmin! Shqiptarët, pavarësisht bindjeve fetare, duhet të reagojnë me vendosmëri kundër këtyre renegatëve. Edukimi kombëtar, historia e vërtetë dhe uniteti mbi interesin kombëtar janë arma më e fortë. Shteti duhet të veprojë ligjërisht. Shoqëria duhet t’i izolojë ata që duan të na kthejnë në shekujt e errët.
Skënderbeu mbetet flamur. Dhe flamuri nuk përkulet para asnjë propagande të ulët.




