
Lirim Gashi, Prishtinë
___
Uau, sa e bukur paska qenë Justina në rini, shumë më e bukur se Kolinda Grabar-Kitarović!
Edhe sot, pavarësisht viteve, Justina arrin ta ruajë hijeshinë e saj. Duket se koha nuk ia ka zbehur vlerën. Si vera e mirë, disa gjëra bëhen edhe më të çmuara me kalimin e viteve.
Kjo ma kujton biçikletën time të vjetër. Edhe ajo i ka vitet e veta, nuk ka teknologji moderne dhe as nuk shtiret sikur është përtërirë. Por, sa herë që i hipi, më çon nga pika A në pikën G, pa më lënë në mes të rrugës.
Justina e ruan bukurinë, ndërsa biçikleta ime ruan funksionalitetin. Secila, në mënyrën e vet, dëshmon se vlera nuk matet me moshën, por me atë që mbetet pasi rinia ka kaluar.

Problemi është se jo të gjithë plaken si Justina dhe jo të gjitha biçikletat e vjetra janë si e imja. Disa gjëra shndërrohen në klasike, të tjerat në antikuare, ndërsa disa, ndonëse të reja, prishen pa u mbaruar ende garancia.
Dhe pikërisht këtu fillon ironia.
Biçikleta ime e vjetër nuk kërkon abonim, nuk i mbledh të dhënat e mia personale dhe nuk ma dërgon faturë sa herë që më çon në destinacion. Ajo thjesht e bën punën e vet.
Ndërsa biçikleta ime e re, që kushton sa e ardhmja e Kosovës, prishet në gjysmë të rrugës, ma shteron durimin, m’i kërkon të dhënat personale dhe, në fund, ma dërgon edhe faturën e mirëmbajtjes. Kur ankohem, më përgjigjet:
— Kështu funksionon modernizimi!
Justina fiton hijeshi me kalimin e viteve, biçikleta ime dëshmon besueshmëri, kurse sistemi ynë di vetëm të rrisë kostot.
Prandaj, problemi nuk është të jesh i vjetër. Problemi është të jesh i ri, i shtrenjtë dhe i prishur, por të presësh që të tjerët të të shtyjnë përpara, ndërkohë që ti ua shet këtë si përparim.
Në fund të fundit, më mirë një Justina që e dëshmon vlerën e saj pa shumë fjalë dhe një biçikletë e vjetër që të çon të sigurt në destinacion, sesa një biçikletë e re që premton të të çojë larg, por të lë në mes të rrugës.
Sepse Justina nuk ka nevojë të shtiret si e re për të qenë e bukur. As biçikleta ime nuk ka nevojë të hiqet si revolucion teknologjik për të funksionuar.
Vetëm sistemi ynë ende nuk e ka kuptuar se nuk mjafton të dukesh i ri, modern dhe premtues, nëse populli duhet të të shtyjë përpara gjatë gjithë jetës.


