
Shefqet Gjocaj, Prishtinë
Unë jam veteran i luftës së UÇK-së, por asnjëherë nuk jam ndjerë i përfaqësuar nga udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta. Sepse ata asnjëherë nuk më kanë pyetur mua për asgjë dhe kurrë nuk kanë ndaluar të merren me politikë provinciale, duke mos përfaqësuar interesat e ish-bashkëluftëtarëve të tyre, por interesat e veta. Njëjtë asnjëherë nuk jam ndjerë i përfaqësuar nga “presidentja ime”, për arsye se ajo asnjëherë nuk e ka ushtruar funksionin themelor që ia përshkruan kushtetuta, pra UNITETIN e popullit, por gjithmonë ka qenë skajshmërish polarizuese dhe makiaveliste. Në fakt kushdo që ndalët vetëm pak për të parë ngritjen politike të Vjosa Osmanit, nuk e ka të vështirë të konkludojë se e tërë karriera e sajë politike është ngritur mbi kontradikta, konflikte dhe “lëvizje” politike të pandershme.
Në shoqërinë tonë ka shumë pikëpyetje për cilësinë e shkollës sonë, por siç duket më se keqi qëndron jurisprudenca. E fatkeqësisht në jetën tonë politike dhe publike përgjithësisht më së tepërmi dominojnë juristët. Mund të jem i padrejtë me dikë dhe mbase dikush (edhe nga miqtë e mi juristë) mund të hidhërohet, por faktet nuk falin.
Si ka mundësi që një mori juristësh, alamet profesorë me grada shkencore, të njëjtin problem e shpjegojnë në mënyra diametralisht të ndryshme.
Çka me kërku pastaj prej studentëve të tyre. Apo si nuk kanë turp të dalin para tyre në katedër, kur e “huqin” tërësisht një shpjegim apo interpretim që është më se i qartë. Për të bërë një digresion nga ideja e këtij shkrimi, po përshkruaj “zhgënjimin tim” të radhës. Kur Parlamenti i Kosovës, para disa ditësh mbajti një seancë koti, kinse për ndërrimet kushtetuese, për të cilën të gjithë, pra edhe ata edhe ne, ishim të bindur që ishte vetëm farsë, deputeti i PDK-së Përparim Gruda, u mundua deri diku që këtë farsë ta shndërronte në diskutim normal parlamentar. Meqenëse nuk e njoh personalisht dhe nga disa miq, të cilëve ju besoj, kisha dëgjuar fjalë të mira për z. Gruda, mbase edhe e dëgjova fjalën e tij me subjektivizëm. Gjithsesi edhe z. Gruda sikur ngutej të më përgënjeshtronte jo me larg se të nesërmen: Me konkretisht ai ishte pjesë e një paneli diskutimesh në emisionin Presing, dhe nuk qëndroi shumë përballë një trysnie të njërit nga panelistët, dhe e “qiti duqin” përjashta, thonë te ne: Duke dashur të kundërvihej sa më “fuqishëm”, ai tha: “Jam krenar që jam në PDK”, deri këtu gjithçka në rregull, sikur të mos vazhdonte apo sikur të argumentonte p.sh. arritjet dhe kontributin e PDK-së, për çka ai i është bashkëngjitur kësaj partie. Por jo, ai e përmendi vetëm një “të arritur” duke thënë “… sepse PDK-ja asnjë minutë, asnjë sekondë nuk ka bashkë qeverisur me VV-në”.
Ndoshta te militantet e Partisë së tij kjo do t’i shërbejë z. Gruda për vota, por mua në atë moment mu zvogëlua dhe mu ba “sa një gogël“. Po të isha në studio do ja bëja një pyetje të thjeshtë: Çka nëse qysh të nesërmen kryetari Hamza vendosë me ba koalicion me LVV-në? Sepse politikë është dhe është e mundshme. A do të kishte të njëjtin mendim z. Gruda apo do ta braktiste partinë? Unë jam i bindur që jo.
Pse e bëra këtë digresion? Me shtyri një “argument” aq i ulët i presidentes Osmani, në një intervistë për një TV të Shqipërisë.
Presidentja jonë e nderuar, juriste me profesion, madje me grada shkencore deklaron:
“Edhe nëse e kam shkelur kushtetutën, unë nuk jam pejgamber”!!!
Skandaloze!!!
Dhe pas kësaj, unë e ndërrova kanalin e TV-së. Po si ka mundësi oj motër të bësh një pohim të tillë?
Po ne nuk të kemi zgjedhur për të qenë pejgamber dhe për tu falur pas teje.
Ti je presidente dhe “gardianja” e parë e kushtetutës. Ti duhet ta mbrosh atë, nëse e shkelin të tjerët, e jo ta shkelesh edhe vet e pastaj të arsyetohesh me shprehje foshnjarake. Po aq problematike ishte edhe deklarata tjetër e zonjës presidente.
Ajo pohonte, se: “ata” e kanë shkelur disa herë kushtetutën!!?
Kush oj motër e ka shkelë dhe ku ishe ti?
A e ke ditur atëherë këtë apo sapo e mësove sonte?
Dhe çka ke ndërmarrë ti herën e parë që e ke konstatuar këtë?
Unë e di, s’ka nevojë të përgjigjesh, por publikut të gjerë e edhe partive opozoitare duhet tua arsyetosh këtë. Nejse, edhe ata po e ditkan! S’ka rendësi, hiq mos u përgjigj. Bile mundësisht të lutëm mos del ma në media, sepse ke me ja “trashë” aktakuzën” vetës aq shumë sa nuk ka avokat në botë që të shpëton.
Apo ndoshta ke besuar se të shpëton Tom Gashi!? Hahahaha.
Ai i mjeri është ra në bela me ty. Sigurisht e ke paguar apo i ke premtuar ndonjë post të rëndësishëm, sepse krejt dhëmballët i kanë ra duke të “mbrojtur”. Nuk e di i shkreti çka ka me thanë më, pasi që ishte aq i sigurte se ti do te jesh Presidente edhe për 5 vjet. Ishte i zëshëm sidomos në mediat e Shqipërisë. Nejse Toma, si Toma. Para ka ba boll e sa për cilësitë e tij të avokatit, le ta gjykojnë klientët e tij që ja kanë trashë qafën.
Pasi e ndërrova kanalin, thash me vete ndoshta gabova. Mbase kisha dëgjuar edhe ndonjë “margaritar” tjetër të kësaj natyre. Sidoqoftë, nuk besoj qe e ka përmendur “faktin” që ajo është mohikanja e fundit e rugovizmit dhe sigurisht nuk i ka përmendur Brigadat e kuqe. A po ju kujtohen? Pak kohë para se ajo të nominohej për kryeministre nga ana e LDK-së, duke dashur të prek sa më në thelb sentimentin e militantëve të partisë që në atë kohë e përfaqësonte, përveç që bejke “be e rr’fe” për kokë të Rugovës dhe se si ajo do t’i sendërtonte idenë e tij madhështore, e kishte harruar për një çast “armikun” e saj kryesor PDK-në, sepse tani i frikësohej më tepër rritjes së “frikshme” të LVV-së dhe këta i kishte quajtur “Brigadat e kuqe”.
Një krahasim skandaloz, kur një parti legale politike e krahason me një organizatë terroriste e cila kishte likuiduar fizikisht qindra e mijëra njerëz. Po të kishim ne gjykata normale, ajo atëbotë do duhej futur në burg për këtë deklaratë. Ju e dini sigurisht edhe si rrodhën punët pastaj. Dini për negociatat maratonike në mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës. Bile edhe vogëlsia ime, që isha i interesuar atëherë të realizohej ky bashkëpunim, në një organizim në Kult Plus ia kisha kërkuar kryeministrit Kurti që të bënte lëshime vetëm të realizohej kjo bashkëqeverisje. Sigurisht kjo nuk i kujtohet tani z. Kurti, me gjithë memorien e tij për admirim. Por sigurisht Brigadat e Kuqe nuk i ka harruar. E dimë edhe si shkoi bashkëqeverisja edhe si u prish koalicioni edhe si u bë një qeveri tjetër me ne krye Avdullah Hotin, nejse… Nuk e kemi harruar po ashtu se Vjosa Osmani, bile-bile edhe Lumir Abdixhiku (njëri kryetar parlamenti dhe tjetri ministër) nuk e kishin pëlqyer këtë “divorc”. Dhe zonja Osmani ia pa hairin nuhatjes së saj. Ajo kinse për shkaqe parimore u nda nga LDK-ja dhe formoi listën “Guxo” të cilën e kishte para-projektuar për t’ia bashkëngjitur LVV-së dhe për të kapur pushtetin, pa të cilin ajo nuk ka asnjë vlerë. Dhe e bëri! I maksimalizoi ambiciet e saj dhe normalisht ajo e dinte qe pa “brigadat e kuqe” dhe pa Albin Kurin , nuk vlente asgjë. Dhe kësisoj u ankorua dhe në fund, me bekimin e Kurtit dhe me ndihmën e argatit të saj në LDK, u bë presidente. Dhe natyrisht, Kurti, sa për llogari të presidentes, ka mundur të shkel jo veç kushtetutën, por çdo gjë tjetër dhe ajo do të kishte heshtur. E vetëdijshme për interesat dhe forcën e saj.
Dhe çka ndodhi tash? Duke u afruar fundi i mandatit, ajo filloj të besonte se është bërë më e fortë. Mbase shumëkush që ia shtrëngon dorën Trampit ndjehet i tillë. Ku ta dish. Presidentja kishte harruar atë maksimën e vjetër romake: Kur komandantët romak që kalonin, me ushtrinë e tyre, nëpër “Portën e Triumfit”, të ndërtuar enkas për ta, në nderim të fitimit të një beteje dhe i drejtoheshin turmës së egzaltuar të publikut, një rob ishte i obliguar t’ia përsëriste komandantit fitimtar maksimën “Lavdia nuk është e përjetshme”! Kjo për faktin se pavarësisht fitores së madhe, mund të ndodhte që të humbiste ndonjë betejë tjetër të rëndësishme dhe i pritej koka. Zonja presidente, sikur e kishte çimentuar pozitën e saj të LVV-ja dhe tani po i vardisej PDK-së. Ishte shumë normale ta shihje presidenten duke protestuar kundër gjykatës speciale, por ishte aq transparent dhe i lexueshm qëllimi i saj. Jam shumë i sigurt se asaj aq i bën për ata që po gjykohen në Hagë. Madje besoj qe ajo avokon qe ata te dënohen. Por me paraqitjen e saj aty, bile duke u afruar sa më tepër djalit të Hashim Thaçit dhe Sami Lushtakut, ajo donte të prekte një sentiment tjetër. Atë të votuesve të PDK-së.
Po jo moj motër, jo!!!
Albin Kurti është politikan dhe e ka tejkaluar gjuhën tënde, në një moment të caktuar duke maksimalizuar votën dhe duke bërë qeverinë. Por, besoj thellësisht se te njeh mirë dhe nuk të respekton hiq! (le te me fal kryeministri që po flas në emër të tij). E aq më pak të respektojnë dhe të besojnë PDK-ja. Kështu që mos vajto! Edhe njohjet që i ke përmendë në intervistë, nuk ja ke sjellë Kurtit. Mbase e ke asistuar Donikën si ministre e jashtme, por është detyrë e jotja zonja presidente që të përfaqësosh interesat e shtetit tënd, e për të cilat, edhe nëse ke merita, nuk bën me i përmend, sepse ne fund te fundit për atë paguhesh dhe e ke ne përshkrim të detyrave të punës. Nëse të kujtohet z. Pacolli, edhe pasi e kishin shkarkuar nga pozita e presidentit, ende angazhohej për njohje…
Dhe për fund, Pas intervistës tënde të fundit me duhet ta falënderoj publikisht z. Albin Kurti dhe ta përkrahë pa rezervë që nuk të ka ri-kandiduar. Mos harro, në listën e presidentëve të Kosovës, sigurisht nuk ke qenë më e dobëta, por më e keqja gjithsesi.
LAVDI MARRËZISË!
P.S.
Politikanët po thonë se sa të jesh presidente nuk do të deklarohen. Unë meqenëse nuk jam politikan, po e marr këtë “rrezik”! Dhe simbolikisht po e bëj në përvjetorin e 45-të të demonstratave të studentëve të vitit 1981.
- Autori është dramaturg dhe skenarist. Nga vitet 2014-2022 ishte drejtor i Ansamblit “Shota” të Prishtinës. Shefqet Gjocaj ka qenë edhe gazetar i luftës së viteve 1998/1999, ish-profesor (1986-1997), autor i skenarit te filmit “Kthimi”, fitues i shumë festivaleve ndërkombëtare, përfshi edhe Sundance film festival dhe Sarajeva film Festival.
Më 11 Mars 2026


