ARKIVI:
26 Prill 2026

Pranvera që zgjoi një komb, kujtime për Epopenë e demonstratave studentore 1981 , dhe nismëtarin e demontratave Abdullah Tahirin

Shkrime relevante

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Nga Frank Shkreli (Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha...

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Vuçiç: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës

Gani I. Mehmeti (A.P / 25 April 2026 - 17:34, Kosova Sot...

Bllokim të deputetevë në Kuvend deri në zgjedhjen e Presidentit!

Florim Zeqa Në demokraci sovrani (populli) është forca mbrojtëse e shtetit dhe...

Shpërndaj

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

PRANVERA QË ZGJOI NJË KOMB

EPOPEJA E DEMONSTRATAVE STUDENTORE 1981

(Kushtuar nismëtarit të demonstratave të 11 Marsit 1981, heroit të Kosovës Abdullah Tahiri)

Epigraf

Ai e brohoriti Republikën në demonstratat e vitit 1981, dhe në vitin 1990 ia dha këtë emër edhe vajzës së tij.

Hyrje historike

Pranvera e vitit 1981 shënon një kthesë të madhe në historinë politike dhe kombëtare të Kosovës. Në mbrëmjen e 11 Marsit 1981, në menzën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, shpërtheu një revoltë që fillimisht u paraqit si pakënaqësi ndaj kushteve të jetesës së studentëve, por që në thelb shprehte pakënaqësinë e thellë politike dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Ajo që nisi si një reagim në menzën studentore shumë shpejt u shndërrua në një lëvizje të gjerë studentore dhe popullore.

Demonstratat që pasuan u përhapën në gjithë Kosovën dhe artikuluan hapur kërkesën historike të shqiptarëve: Kosova Republikë. Në mesin e studentëve që guxuan të ndërmarrin hapin e parë ishte edhe Abdullah Tahiri, i cili me vendosmëri dhe guxim u bë  nismëtari i parë kësaj lëvizjeje studentore me përmbysjen e tabakut me ushqim e që rezultoi me përmbysjen e e të sēmurës së Ballkanit ish Jugosllavisë, që do të mbetej përgjithmonë në kujtesën historike të Kosovës.

Ideali i tij për Republikën e Kosovës nuk mbeti vetëm në thirrjet e demonstratave. Në vitin 1990, në kohën kur pushteti serb ushtronte presion dhe kërcënime të shumta ndaj shqiptarëve, ai e pagëzoi vajzën e tij me emrin “Republikë”.

Pushteti kundërshtoi regjistrimin e këtij emri dhe u përpoq ta ndalonte atë, duke ushtruar edhe presione e kërcënime.

Por, pavarësisht kësaj, ai qëndroi i palëkundur në vendimin e tij. Ky veprim simbolik dëshmon se ideali për Republikën e Kosovës nuk ishte vetëm një parullë e demonstratave, por një besim i thellë që e udhëhoqi jetën dhe qëndrimin e tij.

Kjo poezi i kushtohet kujtimit të tij dhe të gjithë studentëve të pranverës së vitit 1981, të cilët me guxim, ideal dhe sakrificë hapën një kapitull të ri në rrugën e gjatë të Kosovës drejt lirisë.

Dedikim

Në kujtim të Abdullah Tahirit dhe të gjithë studentëve të Pranverës së Madhe Studentore të vitit 1981, që me guxim ngritën zërin për dinjitet, liri dhe Republikën e Kosovës.

Foto e përbashkët e familjes së gjerë Tahiri nga Malisheva e Gjilanit

EPOPEJA E PRANVERËS STUDENTORE ‘1981

Në darkën e 11 Marsit ‘81,
Një grup studentësh në menzë janë hy,
Abdullah Tahiri u ka pri.
Dhe me t’marr tabakun me ushqim,
Para masës ai jep kushtrim:
Kush është burr e kush është trim,
Nuk e merr më këtë ushqim!
Dhe pa asfarë dileme
E përmbys tabakun për dysheme.
Kështu vepruan dhe shokët e tij,
Shpejt shkoi lajmi në polici,
Në polici e në komitet,
Në komunizëm siç ish adet.
Disa studentë kanë que kry,
S’don me ngrën e as me pi,
Na e bën menzën tollovi!
Policia vie me shpejtësi,
Ca shqiptarë e më shumë shkji,
Turr e vrap në menzë janë hy.
Të madhe bërtet kryepolici zi:
“Ç’është kjo guzhvë, kjo tollovi?
Kush krijon këtu pakënaqësi?
Kjo s’është gjë tjetër veç një farsë,
Se këtu e keni si n’parajsë!
Dhe s’është për ju problem ushqimi,
Veç është shteti e regjimi!
Dikush juve u ka mësu,
Këtë regjim doni me rrëxu,
Bashkim – vllaznimin me shkatrru!
Por ta dini të gjithë ju:
Këtë kurrë s’kemi me leju,
E kjo shtrejt ka me u kushtu!”
Në këtë hidhërim këta barbarë
Disa studentë i kanë marr,
I kanë marr dhe arrestuar,
Drejt në burg i kanë dërguar.
Ky akt bëri shumë jehonë
Në qendër t’studentëve në t’katër anë.
Të gjithë studentët në këmbë u çuan,
“Lironi shokët!” ata kërkuan.
Kështu u bënë tre katër mijë,
Dhe qendrës ia kanë mësy,
Abdullahu me shokë në ball u ka pri.
Kështu filluan këto demonstrata
Me kërkesa e synime të qarta.
Të gjithë brohorisnin pa asnjë frikë:
“E DUAM KOSOVËN REPUBLIKË!”

Mbyllje përkujtimore:

Pranvera e vitit 1981 nuk ishte vetëm një protestë studentore. Ajo ishte zgjimi i një brezi të tërë, që guxoi të kërkojë liri, barazi dhe dinjitet për popullin e vet. Studentët e asaj pranvere mbollën farën e rezistencës që në vitet që pasuan do të rritej në një lëvizje të madhe kombëtare dhe që më në fund do të çonte drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Prandaj, 11 Marsi 1981 mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e qëndresës dhe të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Lavdi studentëve të Pranverës së vitit 1981!

Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu