
Saim Tahiraj, Zvicër
Një deklaratë e tillë nga një ish-deputet është më tepër se shqetësuese dhe antikombëtare e antishtetërore. Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të zgjedhurit e popullit dhe detyra e tyre parësore është miratimi i ligjeve që rregullojnë jetën e qytetarëve të Kosovës në të gjitha sferat e organizimit shtetëror dhe qytetar. Në radhë të parë, respektimin dhe zbatimin e ligjeve e kanë obligim ta dëshmojnë vetë deputetët, si miratues të tyre. Kur dëgjon deklarata të tilla nga ish-deputeti në fjalë, të krijohet përshtypja se në Kosovë ende vepron logjika e bandave, të cilat pretendojnë se janë mbi ligjin dhe nuk e respektojnë atë.
Të deklarosh se në protesta ka pasur persona të armatosur me bomba dhe, njëkohësisht, të mos reagosh për t’i njoftuar organet e policisë, të cilat janë të thirrura për zbatimin e ligjit, është çështje që kërkon një hetim serioz nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo deklaratë ngre shumë pyetje para opinionit publik: Kush ishin ata persona?
A i njihnit apo jo? Nëse nuk i njihnit, pse nuk e lajmëruat policinë, duke qenë se keni ushtruar funksionin e deputetit dhe e njihni përgjegjësinë që buron nga ligji? Nëse i njihnit, pse nuk reaguat për t’i larguar?
Apo, ndoshta, ishin pjesë e organizimit tuaj?
Edhe sot, sikurse në periudhën e luftës dhe pas saj, duket se disa persona që konsiderohen të «fuqishëm» vazhdojnë të sillen sikur mund ta bëjnë ligjin vetë, duke mos respektuar ligjet e miratuara nga vetë institucionet e shtetit. Shteti duhet të jetë i fuqishëm dhe ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, pavarësisht se kush je, çfarë pozite ke apo çfarë ndikimi ushtron në jetën politike dhe institucionale të vendit.
Rasti i Gani Gecit, i cili është arrestuar lidhur me një „kërcënim“individual dhe është dënuar me 30 ditë burg, ngre pikëpyetje kur vihet përballë deklaratave për një situatë shumë më të rëndë. Nëse, siç pretendohet në deklaratën e ish deputetit bë fjalë, Kuvendi i Kosovës ishte rrethuar nga demonstrues të armatosur me bomba dhe armë të tjera, madje kishte pasur edhe kërcënime për gjakderdhje ndaj deputetëve, atëherë lind pyetja: Pse nuk pati reagim të qartë dhe të vendosur nga institucionet përkatëse të sigurisë dhe drejtësisë?
Këto janë çështje që meritojnë sqarim dhe trajtim serioz institucional. Nëse deklarata të tilla janë bërë publike, institucionet kompetente duhet t’i shqyrtojnë ato dhe të përcaktojnë përgjegjësitë eventuale, duke u mbështetur në prova dhe në ligj. Kësaj nuk mund t’i thuhet drejtësi nëse ligji zbatohet në mënyrë të pabarabartë. Ky nuk është shteti serioz për të cilin kemi dhënë aq shumë si popull.
Në demokracitë e përparuara perëndimore, parimi themelor është që ligji të jetë i barabartë për të gjithë, pavarësisht pozitës në pushtet, ndikimit politik apo fuqisë që dikush mendon se ka. Kështu duhet të jetë edhe në Kosovë, nëse dëshirojmë të jemi pjesë e demokracive perëndimore.
Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të jetë i mbrojtur nga përgjegjësia vetëm për shkak të pozitës apo ndikimit të tij.


