ARKIVI:
5 Mars 2026

Dinjiteti njerëzor dhe kundërshtimet morale rreth abortit

Shkrime relevante

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.   Idriz...

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

Prend Ndoja, New York ______ Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë...

Pas Vjosa Osmanit qëndron një burrë që zhgënjeu, zhgënjeu kombin që e zgjodhi atë

Aurel Desarioti Gra si Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla kanë një rol...

Shpërndaj

Don Fran Sopi, Pejë

Në këtë reflektim analitik bazuar në literaturat të titujve të mëposhtëm, flas si meshtar i Kishës Katolike “Shën Katarina e Aleksandrisë” në Pejë, pra, edhe nga përvoja ime shumëdekadëshe meshtarake, për një pyetje që na prek thellë si besimtarë dhe si njerëz: “A e shkel aborti dinjitetin njerëzor?” Dinjiteti i njeriut nuk është thjesht një nocion juridik apo filozofik, por themel i çdo jete dhe i çdo rendi shoqëror të drejtë. Ai prek ndërgjegjen tonë, besimin tonë dhe mënyrën se si e shohim tjetrin. Edhe në Ligjin Themelor Gjerman thuhet qartë: “Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm. Respektimi dhe mbrojtja e tij është detyrë e të gjithë pushtetit shtetëror.” (shih: GG, neni 1, paragrafi 1)

Kjo fjali vendoset në krye të Kushtetutës, si themel i çdo të drejte tjetër. Para lirisë së shprehjes, para të drejtës së pronës apo të drejtave politike, qëndron dinjiteti i njeriut. Por çfarë do të thotë saktësisht kjo fjalë – dinjitet? Dhe çfarë lidhjeje ka ajo me abortin? Nëse aborti e shkel dinjitetin e njeriut, atëherë a vihet në pikëpyetje legjitimiteti i tij? Unë si meshtar, dëshiroj t’i trajtoj këto pyetje jo me zemërim apo paragjykim, por me një ndërgjegje të kthjellët dhe me dashuri për të vërtetën.

Para së gjithash, duhet të kuptojmë se çfarë është dinjiteti njerëzor. Dijetarët shpjegojnë: “Termi dinjitet njerëzor përshkruan vlerën e brendshme të çdo individi njerëzor, i cili, si njeri, meriton respekt të pakushtëzuar në të njëjtën mënyrë, pra pavarësisht nga vetitë, karakteristikat apo arritjet e veçanta. Termi thekson se nuk ekziston jetë njerëzore e pavlefshme dhe se çdo njeri vlen njësoj. Në fund të fundit, thirrja ndaj dinjitetit njerëzor shpreh idenë se të gjithë njerëzit janë persona dhe se ata kanë të drejtën të kenë të drejta.” (Andorno, Christensen, Gunnar, Fangerau & Lenk, 2014, f. 197)

Kjo do të thotë se çdo njeri – i vogël apo i madh, i shëndetshëm apo i sëmurë, i drejtë apo kriminel – ka dinjitet. Nuk ka njeri me më shumë vlerë se tjetri: as i pasuri, as i fuqishmi, as i dituri. Kushti i vetëm për të pasur dinjitet është të jesh njeri. Nëse fillojmë ta lidhim dinjitetin me cilësi të caktuara – si vetëdija, aftësia mendore apo pavarësia – atëherë rrezikojmë të përjashtojmë disa njerëz nga kjo vlerë themelore. Edhe fjala gjermane Menschenwürde rrjedh nga “wirdi”, që lidhet me “wert”, që do të thotë “vlerë” (Weigl, 2017, f. 99). Pra, kur flasim për dinjitetin, flasim për vlerën e qenies njerëzore – dhe kjo vlerë është e barabartë për të gjithë, pa dallim dhe pa përjashtim.
Ligji gjerman thotë: “Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm.” (GG, neni 1, paragrafi 1)
Kjo nënkupton se askush – as shteti, as individi – nuk ka të drejtë ta cenojë, ta zvogëlojë apo ta mohojë dinjitetin e tjetrit. Dinjiteti nuk është një e drejtë që jepet nga shteti; ai vetëm njihet dhe mbrohet prej tij. Shteti ka detyrimin ta mbrojë atë në çdo rrethanë, edhe kur kjo është e vështirë ose krijon tension me të drejta të tjera. Por kur vijmë te aborti, lind pyetja: a e mbron shteti me të vërtetë dinjitetin e fëmijës së palindur?
Në Gjermani, aborti në parim është i ndaluar (StGB, neni 218, paragrafi 1), por lejohet në disa kushte: këshillim paraprak, ndërhyrje nga mjeku dhe brenda dymbëdhjetë javëve të para (StGB, neni 218a, paragrafi 1 kjo strukturë ligjore tregon një tension: aborti konsiderohet i paligjshëm, por në rrethana të caktuara përjashtohet nga ndëshkimi. Në nenin 219 thuhet se gruaja duhet të informohet se fëmija i palindur, në çdo fazë të shtatzënisë, ka një të drejtë të vetën për jetën. Pra, vetë ligji e pranon se fëmija i palindur ka të drejtë për jetë. Nëse ai ka të drejtë për jetë, atëherë ai konsiderohet njeri. Dhe nëse është njeri, ai ka dinjitet. Megjithatë, ligji civil gjerman thotë se aftësia juridike fillon me përfundimin e lindjes (BGB, neni 1, paragrafi 1). Këtu shfaqet një tension: një ligj pranon të drejtën për jetë të fëmijës së palindur, ndërsa një tjetër e lidh personalitetin juridik me lindjen. Kjo tregon se sistemi juridik përballet me një dilemë të thellë: kur fillon njeriu?

Për ta kuptuar më mirë dramën e një shtatzënie të padëshiruar, mund të imagjinojmë një situatë: ju zgjoheni një ditë dhe gjeni veten të lidhur me tuba me një burrë që po vdes. Ju jeni i vetmi që mund ta shpëtoni. Nëse shkëputeni, ai vdes. Duhet të qëndroni të lidhur për nëntë muaj që ai të jetojë.
Çfarë do të bënit? A do ta shkëputnit tubin për të ruajtur lirinë tuaj, apo do të sakrifikonit për jetën e tij?
Kjo situatë është përdorur shpesh në debatet etike për abortin. Ajo paraqet konfliktin midis të drejtës për vetëvendosje dhe të drejtës për jetë. Në rastin e shtatzënisë së padëshiruar, jeta e fëmijës varet nga nëna. Pyetja është: cila e drejtë ka peshë më të madhe?
Mbështetësit e abortit theksojnë autonominë e gruas dhe të drejtën e saj për të vendosur për trupin dhe jetën e saj. Amnesty International kërkon dekriminalizimin e abortit dhe garantimin e qasjes së sigurt në të (Amnesty International, 2018).

Njëkohësisht, kjo organizatë mbron të drejtat e njeriut dhe thekson se ato u përkasin çdo individi për shkak të qenies së tij njerëzore. Pra, unë meshtar, shtroj një pyetje: nëse të drejtat e njeriut i përkasin çdo individi për shkak se është njeri, a përjashtohet fëmija i palindur nga ky përkufizim? Nëse ai është njeri, atëherë edhe ai ka të drejtë për jetë dhe për dinjitet. Nëse nuk konsiderohet njeri, atëherë duhet të jepet një kriter i qartë për këtë përjashtim – dhe ky kriter duhet të jetë i qëndrueshëm edhe për raste të tjera, si të sapolindurit apo personat me aftësi të kufizuara.

Në përfundim, nga shqyrtimi i mësipërm del se si shteti gjerman, ashtu edhe mbështetësit e abortit, përballen me tensione të brendshme në argumentimin e tyre. Nëse pranojmë se fëmija i palindur është njeri, atëherë ai ka dinjitet. Dhe nëse ka dinjitet, ai duhet të mbrohet.
Prandaj, në dritën e këtij kuptimi të dinjitetit njerëzor, përgjigjja ndaj pyetjes “A e shkel aborti dinjitetin njerëzor?” është pohuese.

Megjithatë, kjo nuk është thirrje për të gjykuar gratë. Shumë vendime merren në kushte frike, presioni, varfërie apo vetmie. Për këtë arsye, mbrojtja e jetës duhet të shoqërohet me mbështetje konkrete për nënën dhe fëmijën: me solidaritet, drejtësi sociale dhe dashuri. Një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor duhet të gjejë mënyra për të mbrojtur njëkohësisht jetën e të palindurit dhe dinjitetin e gruas. Vetëm atëherë dinjiteti nuk mbetet një parim abstrakt, por bëhet realitet i gjallë në jetën e përditshme.

Literaturë:

Amnesty International. (2021). Menschenrechte. Marrë nga
https://www.amnesty.ch/de/themen/menschenrechte

Amnesty International. (August 2018). Schwangerschaftsabbruch. Marrë nga
https://www.amnesty.ch/de/themen/frauenrechte/sexuelle-und-reproduktive-rechte/schwangerschaftsabbruch/frauenrechte-schwangerschaftsabbruch

Andorno, R., Christensen, B. (2014). Në: Gunnar, D., Fangerau, H., & Lenk, C. Handbuch Ethik und Recht der Forschung am Menschen. Heidelberg.

BGB. (pa datë). Deutsches Bürgerliches Gesetzbuch.
GG. (pa datë). Deutsches Grundgesetz.
StGB. (pa datë). Deutsches Strafgesetzbuch.
Weigl, A. (2017). Der preisgegebene Mensch. Überlegungen zum biotechnischen.

Më 23 shkurt 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu