Bekim David Asani, Tetovë
Ajo që po paraqitet sot si “hap përpara” në marrëdhëniet fetare dhe kulturore, në thelb përfaqëson një dyfytyrësi të thellë institucionale dhe një lojë të qëllimshme me kohën, e cila synon zhdukjen graduale të çdo gjurme të ekzistencës së ortodoksëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Përdorimi sporadik i disa fjalëve në shqip brenda një liturgjie maqedonase nuk e zhbën padrejtësinë historike, as presionin e vazhdueshëm institucional që ky komunitet ka përjetuar për dekada.
Një fakt i rëndësishëm, që shpesh anashkalohet në diskursin publik, është se Kisha Ortodokse Shqiptare në Maqedoninë e Veriut është e regjistruar ligjërisht prej vitesh. Pra, ekziston një strukturë formale dhe e ligjshme që synon t’u garantojë ortodoksëve shqiptarë të drejtën për besim, gjuhë dhe identitet. Megjithatë, kjo kishë ka qenë objekt sulmi të drejtpërdrejtë nga Kisha Ortodokse Maqedonase, e cila e ka trajtuar ekzistencën e saj jo si të drejtë legjitime të një komuniteti autokton, por si kërcënim.
Presioni nuk ka mbetur vetëm në nivel deklaratash apo pengesash administrative. Ndjekës të Kishës Ortodokse Maqedonase kanë ushtruar dhunë fizike, duke sulmuar dhe rrahur një nga iniciatorët kryesorë të Kishës Ortodokse Shqiptare, si dhe persona që kanë pranuar haptas identitetin e tyre si ortodoksë shqiptarë. Ky akt dhune përbën një mesazh të qartë intimidimi: se deklarimi i identitetit shqiptar ortodoks nuk tolerohet.
Në këtë kontekst, ceremonialet fetare të mbajtura sot marrin një domethënie edhe më problematike. Vendet ku zhvillohen këto ceremoni dikur tingëllonin shqip, sepse aty shqiptarët ortodoksë luteshin në gjuhën e tyre amtare. Këto kisha dhe manastire nuk janë objekte “neutrale”, por pjesë e trashëgimisë shpirtërore të komuniteteve shqiptare të Rekës së Epërme dhe të Manastirit. Mohimi i këtij realiteti historik përbën një përvetësim të qëllimshëm të trashëgimisë shqiptare dhe një fshirje të kujtesës kolektive.
Shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria që i gëzohen kësaj liturgie të re, pa reflektuar mbi historinë dhe kontekstin real, duhet të vendosin gishtin në kokë dhe të veprojnë me kujdes. Para se të publikojnë fotografi, tekste apo mesazhe që nuk pasqyrojnë realitetin, është thelbësore që të investigojnë, të mledhin informacion dhe të kuptojnë historinë e vërtetë të ortodoksëve shqiptarë në Maqedoni. Liturgjitë simbolike nuk mund të zëvendësojnë dhunën, mohimin dhe përjashtimin që ky komunitet ka përjetuar për dekada, dhe çdo promovim i paqartë i tyre rrezikon të shpërndajë një narrativ të gabuar dhe të ligështojë përpjekjet reale të Kishës Ortodokse Shqiptare të regjistruar ligjërisht.
Për këtë arsye, disa fjalë shqip të futura sot në një liturgji nuk mund të shërbejnë si zëvendësim për mungesën e veprimeve konkrete. Nuk ka struktura funksionale për ortodoksët shqiptarë, nuk ka kler të formuar sistematikisht në shqip, nuk ka shërbesa të rregullta dhe asnjë reflektim institucional për dhunën dhe mohimin e së kaluarës. Pa këto elemente, çdo gjest mbetet simbolik dhe i zbrazët.
Loja me kohën është pjesë e kësaj strategjie. Institucionet e dinë se komunitetet e vogla dhe të margjinalizuara, kur lihen pa mbrojtje dhe përballen me frikë, humbin gjuhën, vetëdijen dhe identitetin. Ky është asimilim i heshtur, por shumë efektiv.
Në fund, kjo çështje nuk është vetëm fetare, por kombëtare dhe demokratike. Shqiptarët historikisht janë ndërtuar mbi bashkëjetesën fetare. Zhdukja ose mohimi i ortodoksëve shqiptarë dëmton vetë idenë e identitetit shqiptar si identitet gjithëpërfshirës. Dhe përpjekjet për ta mbuluar këtë realitet me ceremoni simbolike nuk janë pajtim, por dyfytyrësi institucionale.



