
Kur frika nga drejtësia shitet si “mbrojtje e rinisë”
Zhurma politike dhe ligjërimi emocional kundër një ligjërate edukimi qytetar për Dhomat e Specializuara nuk është reagim spontan i shoqërisë – është prodhim i qëllimshëm i frikës. Ajo që po shohim nuk është mbrojtje e nxënësve, por përpjekje për ta mbajtur rininë larg njohjes së sistemit juridik.
Kjo është hipokrizi…
Dhomat e Specializuara janë pjesë përbërëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ato nuk janë opinion politik, por realitet juridik. Kur një institucion është i sanksionuar kushtetutshmërisht, ai duhet të jetë edhe pjesë e edukimit qytetar. Çdo tentativë për ta trajtuar këtë temë si tabu është mohim i vetë parimit të shtetit ligjor.
Në shumë shkolla të mesme në Shtetet e Bashkuara, nxënësit jo vetëm që informohen për sistemin gjyqësor, por marrin pjesë edhe në seanca reale të gjykatave – përfshirë raste të zakonshme si shkeljet e trafikut. Qëllimi është i qartë: të rinjtë të kuptojnë se shkeljet zgjidhen në gjykatë, jo në rrugë; se drejtësia nuk është armik, por mekanizëm shoqëror. Kjo praktikë ka një efekt konkret: e çliron rininë nga frika e institucioneve dhe e pajis me kulturë juridike. Në Kosovë, përkundrazi, po ndërtohet narrativë se njohja me drejtësinë është traumë.
Kur shkolla hesht Politika flet, apo thënë më mirë kur arsimtarët tërhiqen, komentuesit marrin mikrofonin. Rezultati është një brez që di slogane, por jo parime kushtetuese.
Edukimi qytetar nuk ka për mision të mbrojë nxënësit nga realiteti. Përkundrazi: ai duhet t’i pajisë me mjete për ta kuptuar realitetin. T’u shpjegojë dallimin mes drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare. T’u sqarojë pse ekzistojnë mekanizma të veçantë kur drejtësia vendase ka dështuar historikisht. T’u mësojë konceptet bazë: prezumimin e pafajësisë, të drejtën për mbrojtje, procesin e rregullt ligjor.
Këto nuk janë tema politike. Janë themele të qytetarisë.
Ata që sot bërtasin kundër një ligjërate informative, në fakt po i lënë të rinjtë peng të narrativave të gatshme. Po ua mohojnë mundësinë të formojnë mendim kritik mbi sistemin juridik të Kosovës dhe atë ndërkombëtar.
Frika nga debati nuk është ndjeshmëri. Është dobësi intelektuale. Nëse duam qytetarë që respektojnë ligjin, duhet së pari t’ua shpjegojmë ligjin. Nëse duam të rinj që i zgjidhin konfliktet në institucione, duhet t’i mësojmë si funksionojnë institucionet. Dhe nëse duam demokraci reale, duhet të pranojmë se edhe temat e vështira janë pjesë e edukimit.
E ardhmja e Kosovës nuk mbrohet duke e izoluar rininë nga drejtësia. Mbrohet duke e edukuar për të.


