ARKIVI:
5 Mars 2026

E vërteta nuk hesht…, ese etike – refleksive nga Safet Sadiku

Shkrime relevante

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.   Idriz...

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

Prend Ndoja, New York ______ Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë...

Pas Vjosa Osmanit qëndron një burrë që zhgënjeu, zhgënjeu kombin që e zgjodhi atë

Aurel Desarioti Gra si Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla kanë një rol...

Shpërndaj

Nga Safet Sadiku

Ese etike-refleksive

E vërteta dhemb, por është e vetmja që shëron. Po ajo, e vërteta, në parim dhemb, sepse ajo na zhvesh nga iluzionet me të cilat kemi mësuar të bashkëjetojmë dhe na vendos përballë vetes pa filtra e pa justifikime, por pikërisht në këtë përballje të ashpër qëndron fuqia e saj shëruese.

Ajo nuk është një fjalë e lehtë për t’u thënë, as një realitet i rehatshëm për t’u pranuar, sepse shpesh kërkon të rrëzojmë bindje të vjetra, të pranojmë gabime dhe të rishikojmë qëndrime që i kemi mbrojtur me këmbëngulje.

Megjithatë, ashtu si një plagë që duhet pastruar përpara se të mbyllet, edhe shoqëria jonë, edhe politika, edhe vetë ndërgjegjja individuale nuk mund të shërohen pa kaluar përmes dhimbjes, rreth së vërtetës.

Ajo mund të trazojë, të përçajë, madje të rrënojë mite të ndërtuara me kujdes, por vetëm mbi themelet e saj mund të ngrihet një realitet më i drejtë, më i qëndrueshëm dhe më i ndershëm. E vërteta dhemb!

Ajo është e mprehtë, e ftohtë dhe shpesh e pamëshirshme, sepse nuk përshtatet me dëshirat tona, nuk zbukuron dobësitë tona dhe nuk i shërben rehatisë së përkohshme që ndërtojmë mbi iluzione. Ajo është më e dhimbshme pikërisht sepse është e zhveshur nga zbukurimet, sepse qëndron përballë nesh si një pasqyrë e kthjellët ku shohim jo vetëm atë që jemi, por edhe atë që kemi fshehur me kujdes nga vetja dhe nga të tjerët. Rreth saj shpesh sillen shumë të pavërteta, si hije që përpiqen ta mbulojnë dritën, si mjegulla që mundohet të fshehë malin, me shpresën se përsëritja e gënjeshtrës do ta dobësojë forcën e saj, apo madje do ta zhdukë fare.

Por e vërteta nuk fshihet. Ajo mund të vonohet, mund të shtrembërohet, mund të sulmohet, por nuk zhduket. Përballë saj nuk reziston asnjë gënjeshtër, sepse gënjeshtra jeton nga frika dhe interesat e çastit, ndërsa e vërteta mbështetet në qëndrueshmërinë e fakteve dhe në logjikën e arsyes.

Gënjeshtra kërkon mbështetje të vazhdueshme, kërkon rrjeta të reja mashtrimi për të mbajtur në këmbë një ndërtim të brishtë. Ndërkaq, e vërteta, përkundrazi, qëndron edhe kur lihet vetëm, sepse ajo nuk ka nevojë për mbrojtje artificiale. Në përditshmërinë tonë, qoftë kur flasim për gjëra të së kaluarës së afërt apo të largët, shpesh tundimi për ta zbutur realitetin është i madh.

Ne përpiqemi të rishkruajmë kujtimet, të justifikojmë gabimet, të fshehim përgjegjësitë, duke menduar se kështu ruajmë qetësinë dhe unitetin. Por çdo kompromis me të vërtetën krijon një çarje të vogël në ndërgjegjen individuale dhe në moralin kolektiv, dhe këto çarje, të padukshme në fillim, me kalimin e kohës shndërrohen në plagë që dobësojnë besimin mes njerëzve dhe themelet mbi të cilat ngrihet shoqëria.

Pa të vërteta nuk ka zhvillim, sepse zhvillimi kërkon vetëdije, kërkon pranimin e gabimeve dhe guximin për t’i korrigjuar ato. Një shoqëri që ndërton mbi iluzione mund të duket e fortë përkohësisht, por ajo është si një ndërtesë mbi rërë, e cila shembet sapo përballet me stuhinë e realitetit. Po ashtu, një shtet që shmang të vërtetën, që e manipulon historinë apo e përdor gënjeshtrën si mjet politik, në thelb dobëson vetveten, sepse humb besimin e qytetarëve dhe aftësinë për të ndërtuar politika të drejta e të qëndrueshme.

E vërteta, ndonëse dhemb, është themeli i çdo përparimi të qëndrueshëm. Ajo na detyron të reflektojmë, të përmirësohemi, të kërkojmë drejtësi dhe të ndërtojmë marrëdhënie të bazuara në besim. Dhimbja që ajo sjell nuk është shkatërruese, por pastruese. Ajo na çliron nga barra e mashtrimit dhe na jep mundësinë për të ecur përpara me dinjitet.

Prandaj, në vend që ta shmangim, duhet ta përqafojmë, sepse vetëm mbi të vërtetën mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë, një shtet i fortë dhe një e ardhme që nuk ka frikë nga drita. E vërteta e mimikës së politikanit është ndoshta më tronditësja nga të gjitha, sepse ajo nuk qëndron vetëm në fjalë, por në gjeste, në buzëqeshje të sforcuara, në vetulla që ngriten për të simuluar indinjatë, në duar që përplasen mbi tavolinë për të dhënë përshtypjen e vendosmërisë, ndërkohë që brenda fshihet llogaria e ftohtë e interesit personal.

Ata, edhe kur sabotojnë procese jetike për vendin, flasin me patos për përgjegjësi, edhe kur pengojnë marrëveshje që do t’i shërbenin qytetarit, deklarojnë se po mbrojnë popullin. Pra njësoj, edhe kur gënjejnë haptazi, e bëjnë me një siguri të tillë sikur e vërteta të ishte pronë private e tyre. Në vend që të përballen me thelbin e problemeve, ata shprehin mllef ndaj njëri-tjetrit, duke e kthyer debatin publik në një arenë akuzash, fyerjesh e përçmimesh, sikur të mos ishin përfaqësues të të njëjtit popull, por palë armiqësore që ushqehen nga përçarja.

Kjo frymë e mjegulluar, e mbushur me ego dhe hakmarrje politike, ka prodhuar destabilitet, ka mbjellë mosbesim dhe ka lodhur shpresën e qytetarit të zakonshëm, i cili pret zgjidhje e jo kjo që po merr si përgjigje, pra vetëm spektakël. Karaktere të tilla duket sikur nuk e njohin të vërtetën, sepse e vërteta kërkon përgjegjësi, ndërsa ata kërkojnë justifikime. Ah, e vërteta kërkon transparencë, ndërsa ata ndërtojnë perde tymi…

Po, e vërteta kërkon guxim moral, ndërsa ata shpesh zgjedhin rehati politike. Dhe megjithatë, drama nuk mbaron këtu. Sepse një pjesë e fajit bie edhe mbi shoqërinë që, nga lodhja, nga zhgënjimi apo nga interesat e vogla, mësohet të bashkëjetojë me gënjeshtrën.

Kur qytetari e pranon mashtrimin si “normalitet”, kur e ndërron të vërtetën me përfitimin e çastit, kur e shet votën për një premtim të zbrazët apo për një favor të vogël, atëherë gënjeshtra nuk është më vetëm e politikanit, ajo bëhet plagë kolektive.

Të hash gënjeshtrën si të ishte bukë e përditshme, të pranosh “sapun për djathë”, do të thotë të heqësh dorë nga kërkesa për dinjitet. ‘

E vërteta nuk lind vetëm në podiume, por në ndërgjegjen e secilit. Nëse qytetari zgjedh ta kërkojë, ta mbrojë dhe ta shpërblejë me votë e me zë, atëherë edhe politika detyrohet të ndryshojë fytyrë.

Sepse në fund, asnjë mimikë nuk e fsheh përjetësisht zbrazëtinë, dhe asnjë gënjeshtër nuk mbijeton kur përballet me një popull që vendos të mos mashtrohet më.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu