Ismet Hasani, Suedi
Arsimi dhe besimi ndërpersonal rezultuan faktorë të rëndësishëm për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin politik, sepse rrisin ndjenjën se qytetari mund të veprojë dhe të ndikojë në vendimmarrje. Ky interpretim mbetet i vlefshëm edhe sot: demokracia ka nevojë jo vetëm për zgjedhje formale, por edhe për qytetarë që ndihen pjesë e sistemit dhe institucione që e meritojnë këtë besim. Atje ku mungon kjo marrëdhënie e dyanshme, rriten apatia, mosbesimi dhe prirja për ta parë politikën si fushë të mbyllur për qytetarin e zakonshëm.
(Zef Preçi)
Kultura politike shprehet në mënyrën si qytetarët e perceptojnë shtetin, në nivelin e besimit ndaj institucioneve, në formën e pjesëmarrjes politike dhe në stilin e debatit publik. Ajo vërehet te votimi ose bojkotimi, te angazhimi qytetar, te raporti me ligjin, por edhe te mënyra si trajtohet kundërshtari politik dhe sa hapësirë i jepet kompromisit. Tiparet e saj kryesore janë njohuritë politike, vlerat mbi lirinë, barazinë dhe drejtësinë, qëndrimi ndaj autoritetit, ndjenja e përfaqësimit dhe perceptimi i rolit qytetar. Kultura politike nuk është vetëm atribut i elitave; ajo formësohet nga historia, arsimi, media, përvoja me shtetin dhe mënyra si brezat socializohen politikisht.
Mendim: As teologët më të njohur nëpër kisha e xhamia, as oratorët më të zëshëm në parlamente, as profesorëtmë njohur në Shkolla e Ffakultete nuk kanë aq ndikim te populli sesa mdiat dhe shtypi.(autori – IMH)
Në një kulturë demokratike, dallimi themelor qëndron te mënyra si shoqëria e trajton pushtetin dhe mospajtimin. Pranimi i pluralizmit, debati përmes argumenteve, respekti për kundërshtarin dhe mundësia e ndryshimit paqësor të qeverisjes janë tregues të një kulture politike demokratike, ndërsa personalizimi i pushtetit dhe armiqësimi i kundërshtarit flasin për dobësi të saj.
Lidhja mes kulturës qytetare dhe dorëheqjes bëhet e qartë sapo pranohet se funksioni publik nuk është pronë personale, por përgjegjësi ndaj qytetarëve. Në këtë këndvështrim, dorëheqja nuk është domosdoshmërisht shenjë fajësie, por mund të jetë një akt llogaridhënieje politike kur besimi publik është cenuar ose kur ushtrimi i detyrës bëhet i pabesueshëm. Dorëheqja është një nga provat më të qarta se pushteti i përket institucionit, jo individit. Por pikërisht aty ku pushteti personalizohet, ku partia, administrata dhe vendimmarrja përqendrohen rreth një lideri, dorëheqja kthehet në fjalë pothuajse të ndaluar: ajo nuk perceptohet si përgjegjësi demokratike, por si kërcënim ndaj gjithë mekanizmit të kontrollit. Për këtë arsye, drejtues me prirje autoritare – si Aleksandar Vuçiç në Serbi apo Edi Rama në Shqipëri – priren ta paraqesin qëndrimin e tyre në pushtet si kusht për stabilitetin, ndërsa kërkesën për llogaridhënie si sulm politik ose përpjekje për destabilizim. Në thelb, problemi nuk është vetëm refuzimi për t’u larguar; është bindja e gabuar se pa liderin nuk mund të funksionojë as partia, as shteti, as vetë shoqëria.
Dr. Edmond Faber, bashkëshorti i ish-ambasadores së Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli Faber, i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të largohet nga detyra në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë.
Në letrën e tij, ai thekson se largimi në momentin e duhur do të ishte një akt dinjiteti dhe, sipas tij, do të ndihmonte në qetësimin e situatës dhe përfundimin e protestave. “Dëgjoi studentët dhe kërkoji falje në televizion”, i drejtohet Faber kryeministrit, duke e paralajmëruar se nëse nuk vepron tani, mund të jetë tepër vonë. Në përfundim të mesazhit, ai i drejtohet Ramës me fjalët “Lamtumirë i dashur Edi, suksese në jetë”, duke e cilësuar veten si një qëndrestar të hershëm të Partisë Socialiste.
LETRA
I nderuar Kryeministër Rama,
I dashur Edi,
I nderuar Kryeministër Rama,
I dashur Edi,
Kam shkruar mjaft herë për problemet e shumta të keq-qeverisjes, dhe jam kritikuar nga pushtet-mbajtes, por jam lëvduar nga mijra e mijra qytetarë dhe miq të mij si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj.
Këto ditë kam kujtuar me orë të tëra kalvarin e gjatë te perpjekjeve dhe përplasjeve për sjelljen ne pushtet të PS dhe Ty si Kryeministër. Ti në atë kohe të largët të fillim pranverës te vitit 2013, erdhe në Spitalin e Traumës dhe çele fushatën elektorale ku gjithë populli të përkrahu dhe ti erdhe në pushtet. Atëherë isha krenar, sepse isha idealist, desha nje zhvillim ekonomik dhe kulturor europian për gjithë shqiptarët. Dalë nga dalë pushteti yt degjeneroi në skandale të pa dëgjuara ndonjë herë, deri ne korruptimin e shefit të shërbimit sekret…… Ku Gysi dhe Beqiri vodhën me qindra milionë euro, ku banda e drejtorëve të tu…..ishte në garë kush e kush të bënte më shumë lekë se shoshoqi. Ku Deputetet e listave të tua si motrat e Këpëratës, bëjnë sfilata mode në një vënd të drobitur nga varferia. Nuk do zgjatem më shumë, sepse Elisa ti kishte rreshtuar më mirë se unë. Unë dua vetëm të të ndihmoj edhe një herë, për herë të fundit, duke të sjellë një shprehie mirditore.
Trim nuk është vetëm ai që qëndron, por edhe ai që ikën, dhe mirditorët thonë: Ma mirë një e hikme me nder… se sa një e qëndrume për gazep. Të largohesh në momentin e duhur (edhe pse je ca me vonesë) është dinjitet. Largohu me nder, që protestat të mbyllen, populli të qetësohet dhe jeta te rifillojë. Mos i lër turpin Zahos dhe Gregut të dëgjojnë jo mirë per babanë e tyre. Dëgjoi Studentët, dhe kërko falje në televizion (sepse po tu dalësh përpara… do të të turpërojnë). Bëje sot këtë… se nesër do jetë shumë vonë.
Trim nuk është vetëm ai që qëndron, por edhe ai që ikën, dhe mirditorët thonë: Ma mirë një e hikme me nder… se sa një e qëndrume për gazep. Të largohesh në momentin e duhur (edhe pse je ca me vonesë) është dinjitet. Largohu me nder, që protestat të mbyllen, populli të qetësohet dhe jeta te rifillojë. Mos i lër turpin Zahos dhe Gregut të dëgjojnë jo mirë per babanë e tyre. Dëgjoi Studentët, dhe kërko falje në televizion (sepse po tu dalësh përpara… do të të turpërojnë). Bëje sot këtë… se nesër do jetë shumë vonë.
Lamtumirë i dashur Edi, suksese në jetë.
Me respekt, një qëndrestar i hershëm i PS.
Dr. Edmond Faber.
Me respekt, një qëndrestar i hershëm i PS.
Dr. Edmond Faber.
*
Për këta udhëheqës të personalizuar, humbja e pushtetit mund të sjellë hetime, ekspozim të korrupsionit, humbje të kontrollit mbi administratën dhe izolim politik. Studimet e ndryshme mbi regjimet autoritare sugjerojnë se ish-udhëheqësit personalistë përballen më shpesh me pasoja serioze pas largimit, sidomos gjatë krizave ekonomike ose tranzicioneve politike. Kjo krijon një logjikë vetëmbrojtëse: sa më gjatë ka qëndruar lideri në pushtet dhe sa më shumë e ka përqendruar vendimmarrjen te vetja, aq më e kushtueshme bëhet dorëheqja. Në vend të një transferimi normal të pushtetit, largimi perceptohet si rrezik personal dhe politik.
Kur pushteti bëhet personal, përgjegjësia politike zëvendësohet nga mbijetesa politike. Kjo është arsyeja pse autokratët nuk e njohin dorëheqjen: sepse ajo hap derën për hetim, humbje të rrjeteve të patronazhit, shkëputje të elitave besnike dhe, mbi të gjitha, për rikthimin e idesë së rrezikshme për ta se askush nuk është i pazëvendësueshëm.
Ndryshe në demokracitë e konsoliduara, dorëheqja shihet si pjesë e etikës së funksionit publik, sidomos kur ka dështime serioze, konflikt interesi ose përgjegjësi institucionale. Përgjegjësia politike nuk është e njëjtë me fajësinë penale: një drejtues mund të mos ketë kryer vepër penale, por sërish të mbajë përgjegjësi për mënyrën si është drejtuar institucioni që ai përfaqëson.

Aleksander Vuçiq me “vëllain” e tij Edi Ramën
Pikërisht këtu kultura qytetare vendos një standard më të lartë se ai thjesht formal-juridik: ajo kërkon që pushteti të mos mbahet me çdo kusht, por të pranojë kufijtë moralë dhe politikë të legjitimitetit. Vlera demokratike e dorëheqjes nuk qëndron tek akti në vetvete, por te pranimi se përgjegjësia ndaj publikut është më e rëndësishme se qëndrimi në detyrë.
Përvoja shqiptare e bën këtë debat edhe më aktual. Në Shqipëri, dorëheqja politike ka qenë më tepër përjashtim sesa standard i kulturës qeverisëse, sepse jeta publike është dominuar shpesh nga personalizimi i pushtetit, polarizimi partiak dhe prirja për ta parë postin si instrument force, jo si detyrim ndaj qytetarit. Kjo ka dobësuar besimin se përgjegjësia politike mund të funksionojë realisht përtej retorikës. Rrjetet e patronazhit të konsolidura nën qeverisjen e gjatë në kohë të KM Rama kanë krijuar një sistem marrëdhëniesh politike ku pushteti përdor vende pune, kontrata, shërbime, leje apo favore të tjera publike për të blerë besnikëri, mbështetje elektorale dhe heshtje politike, duke e zëvendësuar meritën dhe interesin publik me varësinë personale ndaj kreut te partisë. Në këtë skemë, ai si “padron” i pushtetit shpërndan burime, ndërsa klientët, ndërmjetësit dhe përfituesit i kthejnë mbështetje politike, mobilizim dhe mbrojtje publike; prandaj dorëheqja e supozuar e tij kërcënon jo vetëm individin në krye, por gjithë zinxhirin e interesave që jeton nga ky sistem. Kjo është arsyeja pse ai ose Vucic ne Serbi si liderë me prirje të forta personalizuese rezistojnë me çdo kusht në pushtet: largimi i tyre mund të shembë rrjetin e favoreve, të hapë rrugën për hetime dhe të rikthejë idenë se shteti duhet t’u shërbejë qytetarëve sipas ligjit, jo sipas afërsisë politike.
Në praktikë, gjatë viteve të qeverisjes së KM Rama edhe kur ka pasur skandale, dështime administrative apo tensione të forta publike, reagimi më i zakonshëm i elitave ka qenë mbrojtja politike që kulmoi në rastin e ish-zëvendës kryeministres B. Balluku, relativizimi i përgjegjësisë politike e shprehur ne “përgjegjësinë personale” të politikanëve dhe zyrtarëve që përfshihen në korrupsion ose zhvendosja e debatit të kundërshtari, sic po ndodh për fat të keq edhe për protestat e dhunshme të nxënësve dhe studentëve gjatë ditëve të fundit. Për pasojë, gjatë drejtimit të PSSH prej tij jo vetëm është braktisuar trashëgimia demokratike e dorëheqjes e ish-liderit të ndjerë Nano, por ajo nuk është brendësuar ende si normë demokratike, madje shihet tashmë si humbje prestigji, si dorëzim politik ose si pranim fajësie penale.
Situata aktuale e demokracisë në Shqipëri e bën të domosdoshëm forcimin e një kulture qytetare më kërkuese. Një shoqëri që kërkon llogari, që dallon përgjegjësinë politike nga ajo penale dhe që nuk e pranon paprekshmërinë e pushtetit, krijon presionin e nevojshëm që institucionet të sillen sipas standardeve demokratike dhe jo vetëm sipas interesit të momentit. Pikërisht këtë presion ka ushtruar protesta qytetare paqësore e katër muajve të kaluar dhe përfshirja e gjerë e nxënësve dhe studentëve gjatë dy-tri ditëve të fundit. Incidentet e dhunshme dhe sulmet sporadike mbi pronën publike e private të dy ditëve të fundit duhën parë si shenja paralajmëruese të kaosit të mundshëm dhe cfarëdo qëndrimi në pushtet me imponim i kryeministri Rama dhe qeverisë është një kosto e panevojshme për qytetarët shqiptarë. Në këtë kuptim, Shqipëria ka nevojë jo vetëm për rregulla më të mira, por për një ndryshim më të thellë kulturor në marrëdhënien mes qytetarit dhe pushtetit. Vetëm kur dorëheqja të kuptohet si akt normal i llogaridhënies dhe jo si katastrofë personale, kultura politike shqiptare mund të afrohet më shumë me modelin e kulturës qytetare që mban gjallë demokracinë ne vendet perëndimore.


