
Prof. Dr. Jahja Drançolli, historian, Prishtinë
Një urim dhe përkujtim nga historiani i njohur.
Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, simbolin më të çmuar të historisë sonë mijëravjeçare, që përkujtohet sipas kalendarit historik në çdo vit e deri më sot shumë më tepër me gjak se sa me lot në sy!
Flamuri dhe stema e Arbërit sipas burimeve historike të shek. XIII konsiderohen si më të vjetrit në Europën Juglindore. Pas themelimit të Perandorisë Latine (1204) nga Republika e Venedikut, mbretëria e Francës dhe ndonjë vendi tjetër europian, shteti i Arbërit, Epirit dhe Moresë (siç kishte bërë mbretëria e Kroacisë në vitin 1102 me mbretërinë e Hungarisë), do të kërkojnë mbrojtje nga bujaria e shteteve në fjalë, shtete këto që kishin sjellë në Arbëri traditën europiane të heraldikës. Derisa, sipas traktatit në Viterbo të Italisë (1267), Epiri dhe Morea do të përfshiheshin nën mbrojtjen e Karlit I të Anzhuit, ky veprim do të preferohej nga zotërit arbër në vitin 1272, vit që përkon me themelimin e Mbretërisë së Arbërit (De Regnum Albaniae) me në krye Karlin I (Rex Albaniae), me qendër në Durrës. Në këtë kontekst, heraldika arbërore, e cila ruajti simbolikën, që nga kohërat më të hershme të qytetërimeve mesdhetare, do të përfshihet fuqishëm në rrjedhat e mëtejshme të Europës Perëndimore, në veçanti të shteteve italiane të kohës. Kjo traditë e pasur europiane do të shfaqet veçanërisht në heraldikën e familjeve të njohura arbërore, si Kastriotët, Dukagjinët, të cilët së bashku me qytetin e Prizrenit zotëronin edhe rajonin e Rrafshit të Dukagjinit.
Vendosja e sundimit Osman (gjysma e dytë e shek. XV) do ta ndalë këtë proces të trashëgimisë sonë të pasur, i cili do të vazhdojë sërish vetëm nga 28 Nëntori 1912!
Burimi: Arkivi Historik i Dubrovnikut.




